Kryeartikull

Izeti përballë Berishës

Bedri Islami

Ka disa ditë, që pas lajmit të vendimit për ekstradimin e Izet Haxhisë drejt Shqipërisë, që media të ndryshme kanë ngritur hamendje të ndryshme: përse u bë pikërisht tani dhe a është ky një vendim politik i gjyqësorit turk, tezë që e mbështet edhe vetë Izet Haxhia; a do të ketë kompromis mes Haxhisë dhe prokurorisë, më saktë shtetit shqiptar, për deponimin e tij; a është ky sinjali i hapjes së dosjes Berisha, duke patur si dëshmi pikërisht njërin ndër më të afërtit e tij, shoqëruesin e parë; a ka lidhje ekstradimi i financierit të bandës Habilaj me rikthimin e Haxhisë, i pari për të mbyllur një dosje të nxehtë dhe i dyti për të hapur një dosje edhe më të nxehtë; në fund të fundit, ajo që është më thelbësore, sa qëndrojnë akuzat e Izet Haxhisë dhe sa mund të merren ato parasysh?

Ka shumë gjëra në zhvillimet mes dy njerëzve që ishin aq të afërt, sa e kishin vënë jetën e tyre në duart e tjetrit, dhe që, fillimisht u bënë aq të largët dhe më pas u kthyen në armiq të njëri-tjetrit.

Ndodh, jo rrallë, që liderë apo figura të njohura të politikës, të kenë kundër vetes njerëz të afërt, që u kanë shërbyer besnikërisht dhe kanë qenë në gjendje të ecin edhe mbi krimin për të qenë besnikë deri në vdekje.

Me Berishën kjo ka ndodhur me të gjithë pasuesit e tij të afërt; edhe me ata që sot shfaqen si mbështetësit e tij të zjarrtë.

Ka ndodhur me Zogajn, Cekën, ky i fundit kërkonte me ngulm që të hetohej Berisha si agjent serb; ka ngjarë me Çupin, në kohën kur nuk ishte më kryeredaktor i RD-së, me Imamin, Pollon, ky e denigroi politikisht e financiarisht idhullin e tij, në instancat më të larta Atlantike, sidomos në Bruksel, ku gjeti një mike të tij, Doris Pack; me Shehun, Baletën, nga e gjithë opozita e sotme Baleta ishte deputeti që dërmoi fillesat e greqizimit të vendit tonë;  Vrionin, Koplikun, Rulin, Pashkon e ndjerë, që e pësoi më pas, përplasjet e Azem Hajdarit me Berishën ishin, po ashtu, tribunale, deri në kërcënimin e hapur se “unë kam qenë Njëshi dhe njëshi di shumë gjëra”.

Pra, thuajse të gjithë. Dhe u kthyen përsëri në vathën e tij. Izet Haxhia është njëri prej tyre, as i pari dhe as i fundit. Por, më denoncuesi dhe më këmbëngulësi në denoncimin e tij.

Izet Haxhia është njeriu që ka qëndruar më gjatë se të tjerët pranë Berishës.

Edhe kur të tjerët janë rebeluar ndaj tij, ai ka qenë aty, jo vetëm si një shoqërues i zakonshëm dhe shefi i truprojave të tij, por edhe ndëshkues i rebelëve dhe ka luajtur me të vërtetat dhe jetën e të tjerëve.

Dëshmia e tij, sado e vonuar, për zgjidhjet me forcën e dajakut të problemeve politike, është njëra nga ato që të shpërfaqura përmes njeriut të dorës së parë, tregon se si është rritur dhe se si ka qeverisur një forcë politike, e cila bëri të tjerët të aspirojnë për një vend modern dhe europian.

Zakonisht rebelimi ndaj Berishës ka ardhur pas thyerjes së parë, ndërsa tek Izet Haxhia shumë vonë, por, si duket, e pakthyeshme.

Nuk e kam takuar kurrë. Kur ai ishte truprojtës i Berishës, unë isha në “Zërin e Popullit”; pra në dy kahe shumë të ndryshme. Nëse nuk do të isha larguar nga Shqipëria në fundin e vitit 1992 ishte krejt e mundur që të isha njëri ndër të rrahurit prej tij. Por, në të vërtetë, për të kam dëgjuar shumë vonë, në grushtin e shtetit të vitit 1998, kur përsëri ishim në dy kahe të ndryshme, më saktë, të kundërta. Ai ishte bërë sëbashku me një grusht renegatësh të “qeverisë” Bukoshi, shumica e të cilëve kishin dezertuar nga zona operative e Dukagjinit dhe ishin të njohur si pjesë e KOS, Shërbimi i zbulimit ushtarak serb; unë isha pjesë e një lëvize të armatosur çlirimtare.

Pas gjyqit kundër tij, të cilin e kisha pritur si një vazhdim lufte brenda të të njëjtit lloj, ai kishte humbur nga vëmendja e shumëkujt, pra, edhe nga e imja.

Dënimi i tij me 25 vite burg, pikërisht për vrasjen e Azem Hajdarit, kur ai, një ditë më pas, me arkivolin e këtij të fundit sulmonte qeverinë dhe pushtonte kryeministrinë, ishte absurd, aq më tepër se denoncimi i tij vinte nga e njëjta seli që ai, me vëllezërit e tij, e kishin mbrojtur në vitin e mbrapshtë 1997 dhe e kishin kthyer në një depo të armatosur.

Izat Haxhinë nuk e kam takuar kurrë. Do të kisha shumë dëshirë ta takoja. Jo vetëm tani, por edhe para shumë viteve. Në fakt, duke e takuar atë, do të takoja një pjesë të fillimit të historisë së fundit, përmes syrit të një dëshmitari kurajoz dhe që kishte guximin të dilte mbi veten. Kjo ndodh rrallë. Ndoshta në rastet e pakta. Ka pasur e ka gjithfarë “rebelësh” ndaj atyre që u kanë shërbyer apo kanë qenë ndihmës të tyre.

Duke u rebeluar, sidomos pas akshamit, ata ngrenë veten. Jo vetëm në Shqipëri. Liderët , zakonisht, tradhtohen ose ndaj tyre rebelohen njerëzit e afërt. Milazim Krasniqi, dikur ndihmësi më i afërt i Rugovës, kur iku nga ai, bëri një dëshmi të habitshme politike. Krejtësisht e kundërta e asaj që ishte thënë deri asaj kohe.

Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, dy miq të mi, rebelimin më të madh e kanë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, megjithëse ngritja e tyre në politikë erdhi përmes tyre. Por, të gjithë, duke u rebeluar, ngrenë veten, ndoshta edhe ku nuk e meritojnë.

Me Izet Haxhinë ndodh ndryshe. Duke bërë denoncimin e Berishës, ai fundos edhe pjesë të vetvetes. E bën këtë sinqerisht, me ndjenjën e fajit, por edhe i revoltuar. Nëse ai do të kishte përballë Berishën, ndoshta do i kishte thënë edhe më shumë, por edhe ajo që është dëshmuar, nga një dorë e parë, është shumë. Më tepër se shumë për të pasur një dosje të madhe, të hapur, të trajnuar ndershmërisht dhe pa asnjë pasvijë politike.

Izet Haxhisë i shkrova një ditë, duke i treguar se do të kisha dëshirë ta takoja. Doja ta njihja, por edhe të mësoja se cili ishte momenti kyç, fillestar, më i theksuari kur filloi prishja, më saktë, thyerja e madhe mes tij dhe Berishës.

Kishte qenë një thyerje e pabarabartë: i pari ishte truproje, njeri me një detyrë të caktuar, nga ato që shohin e nuk shohin, dëgjojnë e nuk dëgjojnë, janë e nuk janë; ndërsa tjetri ishte i pari i vendit, president, kryeministër, zot e rob, gjithçka në këtë vend.

Doja të dija se cili ishte momenti kur ai i kishte thënë vetes me bindje se në staturën e Berishës nuk kishte para vetes një atdhetar, por një renegat të dorës së parë, atdheshitës, i cili, për hir të pushtetit është i gatshëm të mbyllet në një dhomë hoteli zviceran për orë të tëra me një eksponent të lartë serb; të mendojë të sulmojë ambasadën amerikane, të bëjë puç dhe përmes grushtit të shtetit të qeverisë përsëri; të kërkojë bombardimin e zonave të rebeluara ndaj tij.

Të gjitha këto i përjeton Izet Haxhia, e megjithatë, ai vazhdon të jetë përsëri krahu i armatosur i Berishës. Që nga dita e parë deri tek ndarja.

Ndërsa është për shumë vite njeriu më i besuar i Berishës, është ndërkohë edhe njeriu që është shitur më lehtësisht e më barbarisht prej tij. Është situr jo vetëm ai, por të gjithë vëllezërit e tij. Ndoshta pa asnjë të dhënë ose duke ngritur një piramidë faktesh të rreme, të cilat dërguan drejt burgut vëllezërit Haxhia.

Kam menduar gjithnjë se ndarja e tyre ka ardhur nga një fjalë që ai e përmendi në njërin nga reagimet e fundit të tij: besëthyerja. Të rritur të dy në një vend ku besa trajtohet si institucion dhe jashtë saj jo i leçitur, Izet Haxhia e ka ndjerë besëthyerjen menjëherë kur ai mund të bëhej i rrezikshëm për klanin Berisha.

E ndjen veten të shitur nga njeriu për të cilin mund të bënte gjithçka dhe, në fakt, bëri shumëçka. Kjo thyerje, megjithëse e vonët, ka qenë më e fuqishme se gjithçka ai ka parë në rreth 7 vite pranë Berishës. Ndërsa ka qenë i gatshëm ta falë atë, edhe për veprime monstruoze, nuk e ka falur pikërisht për thyerjen e këtij institucioni.

I nisur me besë drejt tij, ai, kur mund të bëhej dëshmues i një rrethane të re, faktit se ishte urdhëruar të sulmonte ambasadën amerikane dhe nuk e kishte sulmuar, ndjen se besa po kthehet në antibesë.

Me shumë fije që lëviznin nëpër duart e tij, të cilat nganjëherë ishin meskine, si humbja e një valixheje me këpucë e zonjës së parë të kohës berishiane, apo një çek 10 mijë dollarësh dhuratë, dalëngadalë rrezikshmëria e tij po bëhej e pranishme. Ndaj edhe e leçitën, duke e dërguar drejt burgimit të gjatë.

Dosja e tyre, pra, e të dyve, ka një përdallim të madh. I pari, Izet Haxhia, nuk fsheh dot as ato që mund ta çonin drejt një dënimi të ri, që kësaj here nuk do të ishte politik: bëmat nën hyqmin presidencial.

I dyti, Berisha, në mbrojtjen e tij gjen vetëm një alibi: Izet Haxhia është një i dënuar dhe si i tillë nuk duhet besuar. Asgjë tjetër në këtë përballje mes dy njerëzve që e njohin mirë njëri tjetrin.

I pari është i besueshëm, sepse është i vetëdënuar përmes dëshmisë, i dyti, si zakonisht nuk mund të besohet, sepse, edhe për gjëra që më pas dolën të sakta, ai ka mohuar, si për takimin e tij me dorën e djathtë të Millosheviçit, kryeministrin e Malit të Zi, kontrabandën e naftës dhe të armëve, takimin e Gazidedes me Arkanin, etj. I pari është i besueshëm, pasi sjell në vëmendje ngjarje me një saktësi të habitshme; i dyti mashtron deri për emrin e baxhanakut të tij. I pari nuk ka drojën e vetëdënimit përmes fakteve; Berisha fsheh edhe të dhëna të saktësuara , si për shembull  dijeninë e tij për Gërdecin dhe rolin e të birit në këtë masakër. Izet Haxhia e di se si ndodhi vrasja e Azem Hajdarit, të cilin nuk e madhëron, nuk e trajton si hero, por si një kontrabandist i zakonshëm politik, që, kur lihej jashtë derës kërcënonte dhe se, kur mendonte se po i hapej porta qeveritare ngazëllehej; i dyti, pasi planifikon një ngjarje të rëndë dhe e kishte mallkuar në vite Hajdarin, befas, pas vrasjes së përdorur si një ash rrethimesh të kështjellave, e ngre në piedestal dhe rënkon para varrit të tij.

Nuk e besoj se një ditë do të ketë një përballje mes tyre në sallën e gjyqit. Sistemi ynë i drejtësisë , prej shumë kohësh, do të duhej të ishte tronditur nga deklaratat e Izet Haxhisë dhe duhej të kishte rendur drejt tij për të marrë dëshmitë serioze dhe për ta trajtuar atë, ose si një dëshmues i rëndësishëm, ose si një renegat i lënë jashtë derës.

Nuk bëri as njërën e as tjetrën, e si duket, nuk do e bëjë edhe në të ardhmen. Por droja nga ai ndjehet në të gjithë familjen ish kryeministrore.

Nëse do të vijë një ditë e ballafaqimit mes tyre, kjo do të jetë ditë e bekuar për drejtësinë, pavarësisht se nga do të rëndojë peshorja e saj. Do të jetë njëra nga fillesat e seriozitetit të drejtësisë, por që, jam i bindur, do të ketë një të pafajshëm tjetër, Izet Haxhinë në çështjen Hajdari.

Njërën nga ditët e intervistave të Izetit tek DITA, të cilat ishin tronditëse dhe befasuese deri në thelbin e tyre, unë i shkrova dhe e falënderova si një njeri i zakonshëm për dëshmitë e tij, të cilat, si e cilësova, janë edhe vetëdënuese.

Më ktheu shumë shpejt përgjigje dhe, edhe një herë, më habiti sinqeriteti i tij. I kërkoj ndjesë për publikimin e një pjese të përgjigjes së tij, por po e sjell si vazhdë e një njeriu që ka bërë purifikimin e tij dhe kërkon që kjo të ndodhë edhe më tej.

Të bësh katarsisin tënd nuk është vonë kurrë.

Më shkruante:

“Edhe unë të falënderoj. Në radhë të parë për kontributin që ke dhënë në organizimin e drejtimin e LPK-së, fakt që më ka habitur e, kuptohet, gëzuar. Sepse, edhe ti e di, or mik, që ne u ushqyem me një propagandë të inspiruar nga Beogradi, dhe, përcjellë tek ne në Shqipëri nga veglat e tyre që, të majtët, apo “enveristët”, si i quanin, sidomos në Kosovë, ishin bashkëpunëtorë të serbit e punonin për të.

Koha tregoi se “enveristët” e Kosovës ishin bërthama dhe promotori i fillimit të rezistencës dhe luftës çlirimtare… dhe ata, që shiteshin si patriotë e atdhetarë në Kosovë e në Shqipëri, ishin, më së paku sabotatorë të kësaj lufte. Besoj se kemi ardhur në një pikë kur duhen ndarë një herë e mirë gjërat. Megjithëse shumë të ngatërruara nga ana e agjenturave të huaja, e sidomos asaj serbe, se kush janë tradhtarët e bashkëpunëtorët e armiqve tanë, në mesin tonë, e sidomos në politikën tonë.

Edhe unë kam dëshirë t’ju takoj sepse edhe për ty dhe për mua rëndësi ka Shqipëria dhe bërja e një shteti të gjithë shqiptarëve, bindjet politike i kemi kapërcyer me kohë. Të uroj shëndet në radhë të parë e suksese në misionin tuaj patriotik“.

I kam lexuar me vëmendje të gjithë dëshmitë e tij. Kam pasur dyshimet e mia, hamendjet, lëkundjet. I jam kthyer përsëri e përsëri. Kam ardhur në bindjen se mes dy njerëzve, dikur të përbashkët e tashmë të kundërt, qëndron jo vetëm besëthyerja, jo vetëm çështja Hajdari, ku është shumë e mundshme që i pafajshmi të jetë i dënuar dhe fajtori të jetë ende në politikë, por më tepër se kaq:

Përplasja mes tyre ka të bëjë mbi gjithçka me zhgënjimin e një njeriu që shihte misionarin dhe gjeti një kusar politik, i cili, i gatshëm të shiste gjithçka, mund ta shpinte këtë vend drejt fundosjes.

Këtë e thotë vetë ai dhe unë, ndryshe nga fillimi i kësaj përplasje, kam nisur ta besoj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button