Politika

“Deti”, Qeveria kërkon leje. Meta konsultohet me Nishanin e Topin, nesër me Berishën

Kur Gjykata Kushtetuese dha vendimin për të rrëzuar si antikushtetues paktin detar Shqipëri-Greqi, i lidhur nga qeveritë Berisha dhe Karamanlis 9 vjet më parë, një ndër arsyet ishte mungesa e plotfuqisë nga presidenti i Republikës.
“Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për mungesën e plotfuqisë së lëshuar nga Presidenti i Republikës për grupin negociator shqiptar gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është i bazuar dhe duhet pranuar. Mosmarrja e plotfuqisë…bie ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.

Bazuar në këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati hedh hapin zyrtar tek Presidentit Ilir Meta, për të marrë leje për ndarjen e re të detit me Greqinë.

Nga të dy institucionet u konfirmua se plotfuqia e kreut të shtetit është kërkuar pasditen e së martës. Një lëvizje kjo vetëm pak ditë pasi presidenca nuk e fshehu shqetësimin për këtë mungesë lejeje, ndërsa nga Greqia vinin informacione konkrete mbi bisedimet Bushati-Kotzias dhe parimet e dakordësuara për një marrëveshje te re për kufijtë detarë.

Siç ka theksuar Gjykata Kushtetuese, qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër vetëm për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e saj.

Gjithsesi Presidenti i Republikës ka zgjedhur që të mos vendosë vetëm duke pyetur stafin, por do të këshillohet edhe me pararendësit e tij në Presidencë. Konsultimet i ka nisur të mërkurën në mëngjes me ish-presidentin Bujar Nishani, i cili u tregua kritik ditët e fundit për mungesën e plotfuqisë edhe gjatë bisedimeve.

Ndërsa në mbrëmjen e së mërkurës Ilir Meta priti ish-presidentin Bamir Topi, plotfuqia e të cilit nuk u kërkua nga qeveria Berisha për marrëveshjen e detit. Kurse vetë zotin Berisha do ta takojë të enjten për t’i kërkojë mendim për plotfuqinë që qeveria Rama po i kërkon tani presidentit Meta.

Ministria e Jashtme thekson se kjo kërkesë bëhet përpara se ekspertët të ulen në tryezën me harta për të piketuar kufijtë detarë. Në prononcimet e tij publike Bushati ka deklaruar se vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese do të respektohet pikë për pikë për një marrëveshje më të mirë se në 2009-ën.

Kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve detare dhe të vijës së mesit. Nga parimi i 12 miljeve përfitojnë Shqipëria dhe Greqia bashkë dhe se matja do të niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913, duke shmangur matjen e herës së shkuar nga shkëmbi Barketa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button