Home / Opinion / Më e pakta, të dorëzojnë mandatin e pamerituar

Më e pakta, të dorëzojnë mandatin e pamerituar

Artur Ajazi

Skandali më i fundit i bërë publik nga disa media të shkruara dhe elektronike, që lidhej me “bisedën” erotike  në celular mes dy deputetëve të afërt  të kreut të PD zotit Basha, tregoi edhe njëherë se brenda asaj partie dhe brënda atij grupi parlamentar, gjithçka mund të ketë, vetëm ligjëvënës jo.

Një  turp i paparë, një sjellje dhe përqasje që as rrugaçët nuk do ta bënin mes  tyre qoftë edhe me  sms celularësh, në një institucion ku diskutohen dhe miratohen ligjet e shtetit.

Publikimi më i fundit i bisedimeve erotike mes dy deputetëve, ishte dhe fillimi i fundit të turpshëm të një liste e cila u hartua dhe miratua fund e krye nga i vetmi person, zoti Lulzim Basha.

Janë ata që zoti Basha i afroi dhe prezantoi si “prurja e re në PD, (pasi largoi të vjetrit) gjaku i ri në parti”, dhe që prej 6 muajsh po e turpërojnë, dhe po e nxijnë nga themelet atë parti.

Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur në PD-në e Lulzim Bashës, u afruan njerëz  pa shkollim, pa formim, pa dinjitet, pa integritet, të marrë nga konviktet e Qytetit Studenti, dhe u bënë sekretarë, propogandues dhe deputetë të asaj partie  vetëm për të votuar kryetarin.

Dhe nuk kishte se si të mos ndodhnin skandale të tilla (dhe të tjera që pritet të ndodhin ndoshta më vonë) kur në grupin parlamentar Lulzim Basha, ose  nuk e di, ose  dhe nuk i njeh pothuajse fare gjysmat e tyre, pasi i ka të rekomanduar ose nga kunati, ose nga servilët e fshehur deri dje pas Berishës, dhe që sot  dolën  për të bërë “cubin” edhe para kamerave.

Më e pakta që mund të bënte Lulzim Basha sot, do të ishte kërkesa ultimative për dy deputetët e listës së tij, të dorëzonin mandatet, më e shumta do të ishte ti flakte jashtë rradhëve të partisë, madje edhe jashtë  selisë.

Kjo pasi ata nuk e kanë vendin në parti, ata nuk e kanë dashur dhe nuk e duan Partinë Demokratike, ata ndoshta kanë ardhur rastësisht në atë parti, ata u bënë “miqtë” e Lulit pasi nisën të shanin të larguarit  dhe të mbronin kryetarin sipas mënyrës  së tyre periferike dhe provinciale.

Ata e turpëruan Partinë Demokratike, (sepse atë fatkeqësish përfaqësojnë) dhe heshtja e Lulzim Bashës ndaj skandalit e thellon edhe më tepër atë. Jam i bindur se Sali Berisha do ti kishte nxjerrë me shkelma jashtë selisë, dhe një gjë të tillë e ka bërë dikur.

Por Lulit i duhen edhe ca kohë deputetët e skandaleve, sepse ai sërish do ti kërkojë atyre votën, sërish ai do ti kërkojë atyre të dalin në debate televizive dhe të “sulmojnë qeverinë Rama”.

Por një gjë nuk  duhet të harrojnë deputetët e listës dhe Lulzim Basha, qeveria e Ramës nuk rrëzohet dhe nuk “damkoset” me të damkosur, nuk akuzohet dhe nuk denoncohet me të akuzuar dhe të denoncuar, pasi ajo veçse fiton kredenciale.

Mjafton të lexosh dhe shikosh komentuesit e rrjeteve  sociale elektronike  lidhur me videon dhe bisedat erotike të dy deputetëve të Bashës, dhe të bindesh përfundimisht se, kjo opozitë veç problemeve me organizimin, programimin, dhe ristrukturimin politik të saj, ka shumë probleme edhe në aspektin moral të përfaqësimit në Parlament.

Ai  institucion ka qenë dhe mbetet tempulli i fjalës së lirë, tempulli i elitës politike dhe  intelektuale, dhe kurrsesi nuk mund të bëhet as streha e kriminelëve, por edhe as streha e të pamoralshme dhe rrugeçërve.

Fillimisht  duke  ngritur gishtin e mesit para kamerave , dhe pastaj duke flirtuar me sms telefonike mes tyre , periferikët e rastësishëm të grupit parlamentar të Lulzim Bashës, janë bërë turpi botës, duke njollosur jo vetëm një parti politike me tradita, por edhe elektoratin që i ka votuar, ndoshta gabimisht ata.

Do të ishte në nderin e zotit Basha, të dilte dhe të prononcohej publikisht për dy “prurjet” e tij  në grupin parlamentar të PD, ti dënonte publikisht veprimet e tyre, fjalorin e tyre, dhe ti largonte pa asnjë mëdyshje nga rradhët e asaj partie.

Do të ishte në moralin e dy deputetëve të përgojuar , që më e pakta të dorëzonin mandatet e grabitura , dhe të mos dukeshin më në sallën e atij Parlamenti, pasi edhe sikur të qëndrojnë brënda tij  tani e tutje, ata kurrë nuk do të mund ta fshijnë nga kujtesa e shqiptarëve aq më keq e demokratëve, gjithçka të publikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.