Home / Kronika / Tillerson: Ish-kryeprokurori Llalla i përfshirë në raste korrupsioni

Tillerson: Ish-kryeprokurori Llalla i përfshirë në raste korrupsioni

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar vendimin zyrtar për ndalimin e hyrjes në SHBA të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili cilësohet në këtë deklaratë si njeri i lidhur me raste dhe afera të mëdha korruptive.

Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të DASH, sqarohet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

“Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht”, thuhet në deklaratë.

Përveç Adriatik Llallës, Sekretari Tillerson ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Më 2 shkurt të 2017, një listë me prokurorë e gjyqtarë, mes të cileve edhe ish-kreu i Prokurorisë, Adriatik Llalla iu refuzua dhënia e vizës amerikane.

Vendimi vinte para nisjes së vettingut dhe u komentua gjerësisht si një vetting amerikan për njerëzit e drejtësisë. Ajo që ndodhi më pas i konfirmoi komentet.

Mes ish-kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu pati dukshëm një marrëdhënie të tensionuar. Konseguenca me të cilën ambasadori amerikan e ndoqi rrugëtimin e Llallës, edhe pas largimin nga sistemi i drejtesisë tregon që asgjë nuk ishte rastësi, apo qëndrim spontan.

Në kohën kur ish-prokurori deklaroi largimin nga drejtësia dhe për këtë njoftoi edhe organet e vettingut, ambasadori iu rikthye duke bërë të qartë se historinë e Llallës nuk do ta mbyllë as kërkesa e tij për të mos qenë më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Përmes dy mesazheve në Twitter, Lu reagoi se vendimi për tërheqje nuk i shfajëson ish zyrtaret nga pergjegjesite e mundshme penale për korrupsion, apo shpërdorim.

Po a kanë amerikanët një listë të zezë për të dyshuarit si të implikuar në korrupsion? Një vit më parë e kishin, ndërsa tani zhvillimet tregojnë se ish-kryeprokurori nuk do të jetë i fundit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: