Kryeartikull

Sistemi ynë do pjell gjithnjë “peshq të mëdhenj”

Ben Andoni

Futja e ish-kryeprokurorit shqiptar Adriatik Llalla në listën e zezë të SHBA-së për të udhëtuar në këtë vend ka ngjallur një shpresë kombëtare se gjërat po ndryshojnë dhe se rrjeta e Drejtësisë do të bjerë mbi “Peshqit e Mëdhenj”. Ardhja pas disa ditëve e Kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të turit ballkanik për vendet aspirante në BE ka shtuar shpresat se nga muaji tjetër do kemi rezultatet e para të Reformës në Drejtësi.

Ka edhe një shpresë të vagullt për arritjen e disa rezultateve reale dhe kjo lidhet kryekëput me punën e prokurorisë shqiptare, që tashmë udhëhiqet përkohësisht nga Arta Marku. Por, deri më tani, paçka punës në themel që po mundohet të bëj shefja e re e prokurorisë, gjërat nuk flasin për ndryshime drastike. Edhe nëse do të arrestohet Saimir Tahiri, ish-Ministri i Brendshëm, paçka impaktit dhe kjo nuk do të thotë asgjë. Mjafton rezistenca politike dhe justifikimi që është bërë për të deri më tani të kuptosh se  sistemi që është ngritur dhe mbahet nga e gjithë kasta politike në vend, nuk do të lerë kurrë vend për arrestime të bujshme.

Është sigurisht lajm i mirë ardhja e ekipit të madh të FRONTEX, ekspertëve nga Bashkimi Europian, të cilët do të marrin në dorë menaxhimin e Kufijve, si dhe mëtimi se ata do na sjellim evidenca të llogarive bankare të fshehura të krimit të organizuar dhe të korrupsionit shqiptar, por edhe kjo nuk do të thotë se do të prishë sistemin, nëse realisht nuk shkakton trandje, ku Drejtësia të ketë rol.

Sistemi që ka në dorë mbarëvajtjen e Shqipërisë është i rrënjosur thellë dhe jeton falë informalitetit dhe sigurinë e të Keqes, që e kemi ngado. Vetë ai, ka përshtatur një Reformë Drejtësie që i shkon për shtat dy partive kryesore; ka fuqinë kryesore tek dy personazhe, që janë kryetar partie; e ka një klasë drejtësie që është frikshëm e korruptuar, ndihur dhe bashkëpunuese prej monopoleve që e kanë zënë në fyt shtetin shqiptar. Dhe, nuk ndryshon shumë edhe Ballkani evropian. Po të shikosh ngecjet e përparimit në rastin e Kroacisë dhe vendet përreth, që janë pjesë e BE-së e kupton se Evropa është një cak, por jo El Dorado e duhur, pra një objektiv ku gjërat nuk fashiten.

Për të gjithë këtë parashtrim mjafton të shikosh qetësinë e kreut republikan, fajtor për ngjarjet e Gërdecit, që shkon e vjen lirisht në SHBA dhe prezantohet në çështjet e sigurisë; të kujtosh pafytyrësinë kur Damir Fazlliç merrte pjesë në Këshillin tonë të Sigurisë krah këshilltarit amerikan, që kurrë s’iu morën vesh invoice-t; të kujtosh kontrabandën që bëmë me Ish-Federatën kundër NATO, e kupton se përrallat me peshq të mëdhenj janë e do të mbeten fatkeqësisht rrëfime nga ato që tregohen shpesh ndaj shteteve-fëmijë të përgjumur ballkanase. Sistemi ynë e ka të planifikuar edhe këtë zhurmë, ku të gjithë pretendojmë se do të kapim shpejt “peshqit e mëdhenj”, ndaj rri dhe na sodit në ndërkryerjen tonë dhe në pengesat që i vemë njëri-tjetrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button