Politika

Pavarësia e Kosovës, festë e mbarë kombit shqiptar

Presidenti Ilir Meta ka uruar sot  Presidentin Thaçi me rastin e 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në urimin e tij, Presidenti Meta shprehet se “me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta vëllazërore”.

Duke folur për përparimin e Kosovës  dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkëpunimin për integrimin euro-atlantike,  Meta shprehet se “në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë. Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane  dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.

Më tej, Meta shprehet se “kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar”.

Po ashtu, Presidenti  Meta garanton Presidentin Thaçi se institucionet e Shqipërisë do mbështesin Kosovën.

Bushati: Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka uruar sot Kosovën në 10 vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar.

“Kosova 10! Urimet më të përzemërta Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj në 10- Vjetorin e Pavarësisë! 17 shkurti i vitit 2008 i dha jetë dëshirës së hershme të popullit të Kosovës, ëndrrës së luftëtarëve e martirëve dhe jetësoi mbështetjen e miqve e partnerëve të shumtë të Kosovës për liri, mëvehtësi, përparim e begati”, shprehet Bushati.

Më tej, Bushati shton se “në vetëm një dekadë, Kosova është transformuar rrënjësisht. Nga një entitet i nëpërkëmbur dhe me të drejta të shkelura sistematikisht në ish-Jugosllavi, ajo është kthyer sot në një hapësirë demokratike, multietnike dhe multikonfesionale, e cila aspiron drejt integrimit në hapësirën euro-atlantike”.

Ministri Bushati ka vënë theksin anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare si një garanci për rajonin. “Vetëm në tre vitet e fundit, Kosova është anëtarësuar në një numër organizatash rajonale e ndërkombëtare, përfshi këtu pjesëmarrjen e saj me të drejta të plota në “MARRI”, në Fondin e Ballkanit Perëndimor, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si vëzhguese në Nismën e Evropës Qendrore dhe si kontribuese e angazhuar në Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale e më gjerë, pasi përfshirja e saj është një garanci më shumë për sigurinë e stabilitetin rajonal”, shprehet Bushati.

Më tej, Bushati flet për dinamikën e reformave që kanë përfshirë Kosovën në konsolidimin e institucioneve. “Për momentin, Kosova, ashtu si i gjithë rajoni është përfshirë në një dinamike të re reformash të thella në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, avancimit të reformave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe të zhvillimit ekonomik. Përgëzojmë Kosovën për përpjekjet e saj në drejtim të përafrimit e paqtimit të shoqërive e komuniteteve në rajonin tonë, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje në paqe e në siguri për qytetarët tanë”, tha ai.

Po ashtu Bushati çmonë kontributin e miqëve dhe aleatëve që mbështetën Kosovën në rrugën e saj të lirisë dhe të pavarësisë. “Ndërsa sot përulemi të gjithë me nderimin më të thellë përpara përpjekjeve shumëvjeçare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, vlerësojmë po ashtu, mbështetjen e çmuar e të vazhduar të miqve e aleatëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe të gjitha vendeve që kontribuan në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë bashkëkohore evropiane” pohon Bushati.

“Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar. Në këto 10 vite pavarësi, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë e vëllazërore partneriteti strategjik. Projektet tona konkrete për heqjen e barrierave ekonomiko-tregtare, krijimin e lehtësirave të qarkullimit të kapitalit, mallrave dhe njerëzve, si dhe promovimin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare në botë, janë udhëzues për dhjetëvjeçarët e ardhshëm, pjesë e projektit të përbashkët evropian”, shkruan Bushati.

Ministrja e Mbrojtjes,  Olta Xhaçka ka uruar sot me rastin e 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Gëzuar ditëlindjen, Kosovë e lirë dhe e pavarur! ”, shkruan Xhaçka, duke postuar një foto të një djali që mbanë në dorë flamurin e Kosovës.

Basha: Pavarësia e Kosovës burim për paqen, zhvillimin dhe europianizmin e të gjithë Ballkanit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar sot shqiptarët me rastin e 10 vjetorit të  pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se pavarësia është jo vetëm liri por burim për paqen, zhvillimin dhe europianizmin e të gjithë Ballkanit.

Nëpërmjet një postimi në statusin e tij social Facebook, Basha shprehet se “Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët!”

“Sot, ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë. Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lire”, shprehet ai.

Më tej, Basha thekson faktin se pavarësia e  Kosovës është jo vetëm liri por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit.

“Por mbi të gjitha, sot jemi krenarë për Kosovën. Jemi kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar çdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit. Jemi plot besim se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane. Sot, ne e dimë se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!”, shkruan Basha, duke postuar edhe një foto të flamurit të Kosovës me mbishkrimin e urimit.

Urimi i veçantë i Erion Veliajt për Pavarësinë e Kosovës 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me anë të një videomesazhi ka uruar të gjithë qytetarët për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Veliaj shprehet i lumtur për arritjet e Kosovës në këto vite, një rrugëtim i jashtëzakonshëm.

“Përshëndetje të gjithëve nga Tirana. Sot është një ditë fantastike për t’ju uruar të gjithë vëllezërve tanë në Kosovë gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë”.

“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Të mendosh gjithë atë përpjekje, për luftën, për fitoren e luftës dhe pastaj për të fituar paqen, ajo që është arritur në Kosovë është e mrekullueshme. Unë e di që ne të gjithë jemi kritikë, të gjithë jemi cinikë, të gjithë jemi skeptikë, gjithmonë mundohemi të gjejmë diçka që nuk shkon, por le t’i shikojmë 10 vjet dhe atë që është arritur”, shprehet Kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke shtuar:

“Unë kam qenë i impresionuar që nga dita e parë, kur kam ardhur të punoj në Kosovë fill pas luftës, dhe sa është transformuar vendi, çfarë rinie progresiste ka Kosova, çfarë inovacioni bëhet në Kosovë, sa krenarë kemi qenë sa herë është ngritur flamuri i shtetit të ri të Kosovës me sportistët dhe me të gjithë arritjet e të rinjve kosovarë”, shton ai.

“Unë besoj që në total ka më shumë gjëra që na bashkojnë dhe ka më shumë rezultate pozitive sesa problematika. Për të gjitha ato gjëra që nuk shkojnë, ndoshta ka ardhur koha të mobilizohemi, jo vetëm të kritikojmë, por të shikojmë çfarë mund të bëjë secili prej nesh, në qytetet tona, në lagjet tona, në komunitetin tonë”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës thekson në mesazhin e tij se Shqipëria dhe Kosova e kanë të ardhmen përpara. “Unë besoj që kjo është një ditë për të reflektuar se sa kemi arritur, por ama edhe për të hapur imagjinatën tonë se sa larg mund të shkojmë. Shqipëria dhe Kosova e kanë të ardhmen përpara, ditët më të mira janë përpara nesh, kur ne bashkëpunojmë për të punuar për vendin tonë. Ju uroj të gjithëve gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë. Urime dhe shumë dashuri e përqafime nga Tirana”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button