Kosova

Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi

Qeveria e Kosovës në një mbledhje solemne në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë miratoi sot në mënyrë unanime deklaratën e përbashkët të nënshkruar dje nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si aneks-marrëveshje për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë, Haradinaj theksoi se “më anë të kësaj marrëveshje vuloset rishikimi dhe korrektimi i kufirit me Malin e Zi që përfshin Kullën dhe Qakorrin”.

“Kam përgëzuar Kosovën për këtë marrëveshje të arritur. Kosova po tregon zotësinë e saj institucionale që të gjitha temat e vështira në tavolinë t’i zgjidhim duke respektuar popullin”.

Kreu i qeverisë tha se “parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi”.

Ai theksoi se “kjo marrëveshje ka një element shumë të të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës, por edhe të Malit të Zi, që vërtetë rishikimi dhe korrektimi të jetë substancial dhe të respektohen të drejtat e bazuara, të gjeturat e Komisonit të ri Shtetëror të Kosovës, si dhe krijimi i një grupi të përbashkët të punës mes dy vendeve”.

“Këtë arritje të vendit e shohim në kuadër të mundit e sakrificës së të gjithëve, që e drejta e Kosovës të zbatohet”, tha Haradinaj.

Pas miratimit të marrëveshjes, duke folur për jubileun e parë të Pavarësisë së Kosovës, Haradinaj tha se “Kosova është sot një shtet, shtëpi për qytetarët e saj, e ngritur me flijimin e shumë brezave, shtet që ndërton paqe, që është në liri me miqtë e saj të shtrenjtë, në miqësi të përhershme me SHBA-në, e rreshtuar me Perëndimin, por e hapur me të gjitha ato kombe që e njohin dhe e respektojnë”.

“10 vjet pavarësi dhe 19 vjet liri do të thotë mbyllje e konfliktit të tmerrshëm që rrënoi shumë jetë njerëzish dhe nisjen e një jete të re”, tha Haradinaj.

Haradinaj u shpreh se “Kosova e pavarur do të thotë një shtet më shumë në hartën gjeopolitike të globit, një shtet pretendent për t’u anëtarësuar në OKB, NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare që i shërbejnë paqes e mirëkuptimit mes kombeve”.

“Kosova ka arritje të mëdha, por edhe shume sfida që me unitet politikë dhe institucional do t’i kapërcejmë”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se “jemi të vetëdijshëm që nuk janë përmbushur në tërësi pritjet e qytetarëve për një shtet modern, por jemi në një rrugë të pakthyeshme që bashkarisht me partnerët tanë të arrijmë aty, ku të ndjekim të drejtën për lumturi”.

“Kosova e tyre e idealeve do të bëhet sepse atdhedashuria e besnikëria që qytetarët tanë kanë për shtetin është e lartë. Kosova po promovon vlerat demokratike të një shteti të barabartë për të gjithë, ku liritë e të drejtat e njeriut dhe barazia para ligjit janë themeli i palëkundur i tij”, tha Haradinaj.

Gjatë mbledhjes solemne qeveria nderoi të rënët për liri e pavarësi edhe me një minutë heshtje.

“Përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri e pavarësi të Kosovës”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri u uroi 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës të gjithë qytetarëve të vendit dhe shqiptarëve kudo që janë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button