Opinion

Siguria evropiane në epokën e Trumpit

Nga Carl Bildt

Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të vitit të kaluar, gjendja e frikës mes zyrtarëve evropianë të sigurisë ishte e dukshme. Tre vjet më parë, Rusia kishte aneksuar Krimenë dhe kishte kryer inkursione në Ukrainën Lindore. Dhe në vitin e mëparshëm, një shumicë e ngushtë votuesish britanikë kishin vendosur të largonin vendin e tyre nga Bashkimi Europian, ndërsa amerikanët kishin zgjedhur një president, i cili ishte kritik ndaj NATO-s dhe admironte haptaz Presidentin rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, Perëndimi deri më tani i ka mbijetuar epokës së Donald Trumpit. Dhe pavarësisht konfuzionit të vazhdueshëm ndaj Brexit dhe vështirësive të udhëheqësve gjermanë në formimin e një qeverie të re, BE duket se është rikthyer. Shumica e ekonomive të shteteve anëtare po ecin mirë, dhe administrata e presidentit francez, Emmanuel Macron po rifut gjallëri në idenë evropiane.

Edhe pse administrata Trump ka vazhduar të dërgojë sinjale të përziera në lidhje me gatishmërinë e saj për të mbështetur angazhimet amerikane, SHBA-ja megjithatë ka përmbushur premtimin e ish-Presidentit Barak Obama, për të forcuar qëndrimin ushtarak të NATO-s, në Balltik dhe Poloni. Dhe në prag të një samiti të NATO-s në fund të këtij viti, SHBA ka treguar se do të bëjë edhe më shumë për të siguruar integritetin territorial të shteteve anëtare të Balltikut dhe atyre Skandinave.

Për më tepër, frika se Trump mund të përpiqet të krijojë një marrëveshje të re me Kremlinin, të ngjashme me atë të Jaltës – në të cilën vendet e Europës Lindore do të braktiseshin në fatin e tyre – nuk janë zhdukur aspak. Në fakt, shqetësimi më i madh tani është se marrëdhëniet SHBA-Rusi po bëhen gjithnjë e më të acaruara, madje edhe në kufijtë e irracionales.

Ndërkohë, Rusia duket e gatshme të tërheqë ushtrinë e saj nga një situatë e vështirë në Siri, ku deri më tani i ka luajtur si duhet kartat e saj. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Ukrainën, ku Kremlini ka mësuar se pushtimet nuk janë një mënyrë e mirë për të bërë miq. Duke e armiqësuar atë vend për gjeneratat që do të vijnë, Rusia ka ndeshur në një pengesë gjeopolitike të përmasave historike.

Herët a vonë, Rusia do të dëshirojë të reduktojë humbjet dhe të largohet nga Ukraina Lindore. Ajo ka hedhur tashmë idenë e një operacioni të kufizuar paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara atje. Dhe ndërsa Rusia nuk ka shprehur ende gatishmërinë për të hequr dorë nga kontrolli i kufirit Ukrainë-Rusi, as nuk ka bërë progres në bisedimet me SHBA, Putini me siguri e di se status quo-ja është e paqëndrueshme.

A do të thotë e gjithë kjo, se frika e një viti më parë është davaritur? Aspak. Goditjet strategjike të viteve të fundit kanë lënë plagë të thella dhe e kanë shtyrë Evropën në ujëra të reja e të paeksploruara. Një dekadë më parë, krerët e BE flisnin plot vetëbesim rreth projektimit të stabilitetit së jashtmi. Sot, prioritet i tyre është të parandalojnë që paqëndrueshmëria të “derdhet” në Europë.

Në të njëjtën kohë, ka një vetëdije në rritje se, ndërkohë që SHBA është ende garantuesi kryesor i sigurisë evropiane, ajo mund të mos jetë përgjithmonë. Edhe në qoftë se një pjesë e retorikës që shoqëron propozimet për një union të BE për mbrojtjen është e tejkaluar, liderët e bllokut kanë të drejtë të fokusohen më shumë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, sesa në të kaluarën. Pavarësisht nëse bëhet nëpërmjet “politikave të industrisë së mbrojtjes” apo diçka tjetër, BE-ja duhet të zhvillojë kapacitetin e saj për të zhvilluar reagime të përbashkëta, ndaj kërcënimeve të ardhshme.

Kjo është e vërtetë edhe nëse Kremlini është penduar për veprimet e tij në vitin 2014, gjë që çoi në vendosjen e forcave ushtarake perëndimore në kufijtë e Rusisë. Në fund të fundit, Rusia vazhdon të mbajë ende Krimenë, ku ka shumë baza ushtarake. Dhe, përveç Rusisë, Evropa është e rrethuar nga konflikte që vazhdojnë. Tensionet po rriten nga Indusi në Nil dhe në të gjithë Afrikën e Veriut, ku çdo trazirë do të ketë një ndikim të menjëhershëm në sigurinë evropiane. Siç e dinë mirë evropianët, nuk ka asnjë mënyrë për të ndërtuar një mur në Mesdhe.

Veç kësaj, është shqetësuese që administrata Trump as nuk flet në lidhje me ruajtjen e rendit liberal ndërkombëtar të pasluftës. Në vend të kësaj, ajo e sheh botën si një konkurrencë strategjike me shumë zero, ku SHBA duhet të kujdeset vetëm për vetveten. Fatkeqësisht, në një botë pa institucione të përbashkëta që të frenojnë shtetet sovrane, duke mos i lejuar që të përshkallëzojnë konflikte me njëri-tjetrin, rreziqet e një lufte totale do të rriten shumë.

SHBA thotë se po e shton angazhimin e saj ndaj sigurisë evropiane. Por, duke parrë rritjen e fuqisë ushtarake të Kinës dhe rëndësinë strategjike të rajonit Azi-Paqësor, SHBA nuk do të ketë zgjedhje tjetër, përveçse të orientohet drejt lindjes. Në fakt, pavarësisht gjithë ankesave të Trumpit mbi kontributin e tepruar të Amerikës në NATO, SHBA që tani e ka drejtuar pjesën më të madhe të shpenzimeve ushtarake, drejt rajonit të Azi-Paqësorit.

Kështu që, ndërsa frikërat e 2017 sikur janë zbehur disi, dhe një ndjesi normaliteti është rikthyer, evropianët nuk mund të shmangin më marrjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e tyre. Edhe pasi Trumpi të ketë ikur, fuqia e butë nuk do të mjaftojë në një botë me konflikte të fortë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button