Home / Kronika / Xhafa: Mos u merrni me hallexhinjtë që vendosin një çati, bosët e krimit duhen goditur

Xhafa: Mos u merrni me hallexhinjtë që vendosin një çati, bosët e krimit duhen goditur

“Do të përballen me ligjin të gjitha grupet kriminale dhe të gjithë abuzuesit me tokat publike të vijës bregdetare të Lezhës”, ka deklaruar sot në një prononcim për mediat, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i cili mori pjesë  në analizën vjetore të Policisë së qarkut Lezhë.

Pas takimit ku u prezantua edhe Drejtori i ri i Drejtorisë Vendore tè Policisë Lezhë, Ferdinat Mara, ministri Xhafaj deklaroi për mediat se prioritet i policisë mbetet lufta ndaj grupeve kriminale dhe sekuestrimi i aseteve të krimit si dhe vendosja para drejtësisë e abuzuesve me tokat publike në vijën bregdetare të Lezhës.

I pyetur për arrestime të grupeve kriminale, Xhafa tha se ka kërkuar luftë pa kompromis ndaj krimit si dhe korrektësi maksimale nga çdo efektiv i thjeshtë apo drejtues i policisë.

“Ne jemi duke bërë një riorganizim të ri policor që synon një kontroll më të mirë të territorit dhe një marrëdhënie të re të policisë me qytetarët. Duam të forcojmë praninë e policisë në territor, komunikimin e drejt për drejtë të oficerëve të komunitetit me banorët. Për t’i shërbyer parandalimit të krimit, dhe për të qenë më të vëmendshëm ndaj krimeve në mjedis, ndërtimeve të paligjshme dhe më shumë shërbim ndaj qytetarëve në jetën e tyre të përditshme”, tha Xhafaj.

“Të goditen grupet kriminale të evidentuara dhe të ketë zero tolerancë ndaj trafiqeve të drogës, pasi do të jem i pari që do të ndëshkoj këdo që nuk vepron sipas ligjit. Ka ardhur koha që fytyra e policisë së shtetit të ndryshojë totalisht, prandaj edhe Vettingu është një hap i parë që shënon kthesën” u shpreh Xhafaj.

Duke u ndalur te abuzimet me tokat në vijën bregdetare të Lezhës, posaçërisht, ministri informoi se hetimet janë në proces. “Besoj se do te jenë efiçente të suksesshme. Janë hetime që po bëhen bashkë me prokurorinë e Lezhës, bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Besoj fort që shkaktarët e kësaj batërdie do vendosen përballë përgjegjësisë penale”, theksoi Xhafaj.

Po sot, ministri i Brendshëm ishte edhe në Shkodër, ku u prezantua Drejtori i ri Vendor, Vehbi Bushati.

Xhafaj kërkoi nga policia që të godasë bosët e krimit dhe jo të merret me hallexhinjtë duke theksuar se lufta sapo ka nisur dhe kriminelët nuk mund të lëvizin të lirë, por të dërgohen para ligjit.

“Janë 4-5 grupe të rëndësishme kriminale që duhen goditur. Mos u merrni me hallexhinjtë që vendosin një çati. Bosët e krimit janë vërdallë dhe ata duhen goditur. Bosët e krimit nuk duhen falur për asnjë arsye. Ai që përmend emrin tim të goditet i pari. Dua një integritet nga të gjithë policët, nga shefat deri tek polici me i thjeshtë, të mos ketë një sjellje harbute me qytetaret. Nëse marr vesh se ka tolerime për ndërtime të mëdha pa leje, përfshirje në lejimin e trafiqeve të drogës të policisë do jem unë i pari që s’do lejoj dhe do përballeni me ligjin. Fytyra e policisë së shtetit duhet të ndryshoje totalisht” deklaroi Xhafaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.