Home / Ekonomia / Shqipëria turistike prezanton edhe paketën lehtësuese për investime

Shqipëria turistike prezanton edhe paketën lehtësuese për investime

Viti 2018 pritet të sjellë jo vetëm rritje të numrit të të huajve që do të vizitojnë Shqipërinë, por përmes një pakete fiskale lehtësuese, ky sektor pritet të njohë edhe investime të reja.

Në një intervistë për ATSH-në, Ardit Çollaku, kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, thotë se po punohet për rritjen e promovimit të produkteve të reja që do t’i bashkohen së shpejti edhe gamës së gjerë që ka oferta turistike shqiptare, siç janë turizmi social dhe ai shëndetësor në mënyrë që të kemi një dije sa më të gjerë rreth këtyre produkteve.

“Ne kemi pasur një turizëm në rritje gjatë vitit 2017. Shifrat flasin vet, por ne nuk duam të rrisim vetëm shifrat por duam të rrisim edhe kualitetin duke ofruar një ofertë sa më të qëndrueshme me synimin për të shkuar në turizmin gjithëvjetor”, shprehet Çollaku.

Ndërsa Shqipëria turistike ka marrë një jehonë të madhe edhe në mediet më të njohura ndërkombëtare. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit thotë se është një punë e pandalshme që po bëhet.

“Ne kemi përfshirë në udhëtime familjarizuese operatorë turistik të shumtë. Kemi promovuar Shqipërinë turistike në mbi 20 panaire ndërkombëtare. Gjatë këtyre panaireve kemi zhvilluar takime B2B mes operatorëve turistike. Gjithashtu janë bërë edhe takime të vazhdueshme mes medias dhe operatorëve të ndryshëm të huaj, ku kemi dhënë jo vetëm informacion për mundësitë që ofron vendi ynë, por edhe i kemi ftuar të kalojnë disa ditë në Shqipëri, që të njohin dhe prekin zonat nga afër. Gjithë kjo punë e madhe ka sjellë edhe vëmendjen e medieve të huaja shumë të njohura ndërkombëtare që kanë vendosur Shqipërinë në fokus kryesor të ofertës turistike”, deklaron ai.

Pritshmëria është që viti 2018 të jetë shumë më shumë pozitiv se ai që lamë pas ku u shënuan rreth 1.5 miliard euro të ardhura nga turizmi. Gjithsej hyrjet e shtetasve të huaj arritën në shifrën rekord prej 5.117.700 personash për vitin që lamë pas, nga të cilët 2.37 milionë kanë deklaruar si qëllim turizmin.

“Viti 2018 do të jetë shumë më i mirë se viti 2017. Pozitive është lehtësia e re fiskale që qeveria shqiptare i ka dhënë sektorit të turizmit, ku të gjitha investimet me 4-5 yje në hoteleri do të kenë taksa zero për 10 vitet e ardhshme. Kjo do të bëjë që të rritet vëmendja e investitorëve serioz për të investuar në Shqipëri në fushën e turizmit”, thotë Çollaku.

Kjo lehtësi fiskale, sipas tij, i bashkohet edhe nismës që qeveria shqiptare ndërmori një vit më parë për uljen e TVSH-së për njësitë e akomodimit nga 20% në 6 %.

“Kemi më në fund një ofertë të re, jo vetëm për promovimin turistik por edhe investimet”, shprehet ai.

Çollaku informon se ka pasur shprehje interesi nga investitorët në sektorin e turizmit.

Sipas tij, një delegacion nga Malta i kryesuar nga Princi, Alfred Josef Baldacchino që zhvilluan një vizitë një javore në vendin tonë kërkuan të njohin të gjithë kuadrin ligjor që lidhet me investimet për të parë mundësitë reale për të investuar në këtë sektor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: