Kryeartikull

Heshtja në përvjetorin e “Republikës së re”

Nga Mero Baze

Aktualisht mund të kishim dhe një festë tjetër “Republike”, përveç asaj të Repubikës së Kosovës.

Një vit më parë më 18 Shkurt, në zemër të Bulevardit të Tiranës, Lulzim Basha eksperimentoi për herë të parë idenë e tij për “Republikën e re”. Dhe sot mund të kishim përvjetorin e saj të parë. Por sot nuk e kujtoi askush, edhe pse ne e kemi traditë që edhe të vdekurve ua kujtojmë një vjetorin.

Dhe meqë ideatorët e “Republikës së re” po përpiqen ta harrojnë atë, kemi rastin të kujtojmë betejën e humbur të “Republikës së re”, me kauzat fallco që ngriti.

Së pari betejën e humbur me Perëndimin. “Republika  e re” u ngrit si një kauzë fallco kundër Perëndimit, nën paranojën se Perëndimin e ka blerë Sorosi dhe gjithë zyrtarët evropianë “paguhen” prej tij. Dhe meqë në SHBA kishte ardhur President Donald Trump, armiku i Sorosit, kjo u bë një fabul e lehtë për t’ua shpjeguar gjithë budallenjëve, se e ardhmja u takonte atyre.

Është koha të kujtojmë se ushtarë të Sorosit nuk u quajtën vetëm Donald Lu dhe Romana Vlahutin, por dhe Minisitri i Jashtëm gjerman, Gabriel, kreu i Komisionit Politikës Jashtme të BE, McAllister, Komsioneri Hahn, Komisionerja Mogherini, e dhjetra figura të Perëndimit, që u angazhuan për të zhbërë marrëzinë e “çadrës”.

Për ironi të fatit heronjtë e “çadrës” ishin ambasadori rus, një djalë buçko, greko-amerikan, që fliste sikur ishte vëllai i Salianjit, gjashtë senatorët e Fatmir Mediut, që ndriçuan me shpresë “çadrën”, dhe natyrisht oratorët thuajse qesharakë të “çadrës”, që kishin filluar ti mbushnin mendjen vetes tek filozofia e re e “çadrës” që po “lindte” Republikën e Re.

Dhe ironia e fatit, ishte se vetë Basha nuk i besonte ato që thoshte, pasi siç del më vonë, i është dashur të paguajë qimet e kokës, përmes një turku, që është në kërkim ndërkombëtar si terrorist, përmes një kompanie off-shore, që të shkojë të fotografohet me Trumpin, dhe që ta vazhdonte gënjeshtrën e “çadrës”.

Së dyti është koha të kujtojmë, pazarin që mbylli “çadrën”. Njeriu që refuzoi Gabrielin, Mogehrinin, Hahn dhe McAllisterin, i mjaftoi tre orë muhabet me Edi Ramën, i cili i fali gjysmën e qeverisë dhe gjithë agjensitë me lekë të pushtetit dhe ai doli nga “çadra”. Kauza tre mujore e “çadrës” dhe “Republikës së re”, mori fytyrën e CEZ, Hipotekës, AZHBTR, AKU, ALUIZN, si dhe gjashtë ministrave të rëndësishëm që hynë në zyra.

Me një vetësiguri se po ja dilte të merrte pushtetin në tavolinë Lulzim Basha e zhbëri “Republikën e re”, brenda natës, jo si interes Perëndimor, jo si interes shqiptar, jo si ide apo platformë politike, jo si interes i PD, por thjesht si pazar.

Së treti është koha të kujtojmë pasojat e “Republikës së re” brenda PD.

Një javë pasi doli nga “çadra”, Lulzim Basha shpalli listën e re të dalë nga “mitra” e “Republikës së re”, që ishte një përpjekje për t’u garantuar për ditën e parë pas zgjedhjeve. Ishte një listë tërësisht klienteliste, ku ishte “sharruar” gjithë ish udhëheqja e PD dhe ishte zëvendësuar me “eunukë” dhe njerëz pa personalitet, që i janë mirënjohës vetëm Lulzim Bashës që i ka kthyer nga anonimë në rrogtarë në Parlament.

Ajo listë arriti të marrë rezultatin më të ulët historik të Partisë Demokratike, duke lënë rreth 220 mijë votues të PD në shtëpi, pa dalë të votojnë, të zhgënjyer nga ajo që ndodhi.

Sot ajo listë po provon dita ditës se nuk përfaqëson as PD, as të djathtën dhe mbi të gjitha as Lulzim Bashën. Skandali i fundit Dume-Salianji, është një provë se Lulzim Basha është i pafuqishëm t’u kërkojë dorëheqje, pasi ata mund të mos i binden dhe t’i bashkohen shumicës, edhe pse kanë diskretituar rëndë PD.

Një vit pas aksionit më të madh politik të jetës së tij, Lulzim Basha nuk guxon as ta përmendë “Republikën e re”, dhe kjo është shenja se sa pak e sigurtë është të shkosh pas një njeriu, që kërkon të harrohet brenda vitit, projekti i vetëm dhe më i madh politik i tij, “Republika e Re”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button