Kosova

Ndryshojnë qëndrimet e partive për Demarkacionin, Delawie kthehet në Kuvend

Lista Srspka thotë se nuk e voton Demarkacionin, LDK-ja thotë se nuk e voton nëse në votim përfshihet raporti i Bulliqit, ndërsa deputeti i AAK-së thotë se nëse nuk përfshihet ky raport, atëherë ai voton kundër. Të gjitha këto kanë turbulluar edhe më shumë ujërat, ndërsa këto kanë kthyer ambasadorin Delawie në Kuvend për të provuar t’i bindë deputetët.

Ambasadorin amerikan po e mundojnë deputetët e Kuvendit me mosbindjet dhe lëkundjet e tyre, shkruan Gazeta Express.

Në mëngjes Delawie iu kishte bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta votojnë Demarkacionin dhe të mundësojnë që qytetarët të lëvizin lirshëm.

Pas largimit të ambasadorit, nuk filloi seanca, ndërsa filluan që nga partitë shqiptare e edhe Lista Srpska të vihen kushtet. Ai është parë sërish në Kuvend, aty ku raportohet të jenë mbledhur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti.

Edhe më tutje pritet të fillojë seanca në të cilën do të shqyrtohet dhe do të hidhet në votim Projektligji për Demarkacionin.

Demarkacioni u dërgua në Kuvend, pasi Presidenti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi u morën vesh që me anë të një Aneks-Marrëveshjeje të jetë i mundshëm korrigjimi i vijave kufitare edhe pas ratifikimit.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi u nënshkrua më 26 gusht të vitit 2015 dhe ratifikimi i tij është kushti kryesor nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.

Për shkak të refuzimeve të ashpra të opozitës së atëhershme që përbëhej nga VV-ja, AAK-ja dhe Nisma, si dhe në mungesë të votave të disa prej deputetëve të LDK-së, Demarkacioni tash e tri vjet nuk ka kaluar në Kuvend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button