Kronika

Asnjë imunitet nuk i mbron politikanët në marrëdhënie me grupet kriminale

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi sot se çdo politikan i majtë apo i djathtë që ka marrëdhënie me krimin, asnjë lloj imuniteti nuk do t’i përjashtojë ata nga goditja e ligjit.

“Nëse përfaqësues të politikës qofshin këta të majtë apo djathtë, janë në një mënyrë apo një tjetër në marrëdhënie me grupe kriminale, kanë mbështetje financiare apo çdo lloj interesi tjetër prej tyre, ne emër të qeverisë ku unë bëj pjesë, ju siguroj që asnjë lloj imuniteti nuk do t’i përjashtojë ata nga goditja e ligjit. Policia e Shtetit është e vendosur të ecë në këtë rrugë dhe ka gjithë mbështetjen time dhe të kryeministrit. Kjo është ajo që qytetarët tanë presin dhe duan nga ne. Pjesa e shëndetshme e politikës duhet të bëhet bashkë për të mbështetur çdo nismë, e cila synon të zhdukë simbiozën e krimit me politikën nga të gjitha krahët”, garantoi ministri Xhafaj.

“Sa më gjatë ta shtyjmë këtë luftë në kohë, aq më e vështirë do të bëhet kjo luftë në të ardhmen”, deklaroi Xhafaj sot në Kuvend teksa mbrojti ligjin për vettingun në polici e gardë.
Projektligji për vlerësimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe punonjësve të Shërbimit të Brendshëm, tha ai, është garancia për siguri më të madhe për qytetarët e vendit tonë për rend dhe siguri të standardit më të lartë europian.

Xhafaj deklaroi se vlerësimit kalimtar do t’i nënshtrohen të gjithë punonjësit.
“Si konfirmim i paanshmërisë politike në qëllimin e këtij akti, ne kemi njohur të drejtën dhe kemi parashikuar mundësinë e kryerjes së procesit të vettingut edhe për ish punonjësit të policisë së shtetit të cilët mundet të rikthehen në këtë organizatë. “Të gjithë këta punonjës nga titullari e deri të punonjësi më i thjeshtë duhet të verifikohen përsa i përket integritetit, profesionalizmit dhe pasurisë”, deklaroi Xhafaj.

Projektligji, tha ai, propozon që organet e vlerësimit të jenë të pavarura nga ministria e Brendshme apo ekzekutivi në përgjegjësi.

“Procesi është ndërtuar të jetë i ndershëm, i pavarur dhe i paanshëm. Vetëm kështu, vet punonjësit do të krijojnë besim në këtë proces dhe publiku do të bindet për objektivitetin e procesit”, bëri të ditur ministri.

Më tej, ai vuri në dukje se e kemi pasur të qartë që në fillim se do të ishte e padobishme dhe humbje kohë nëse procesi i vettingut do të ishte procesi i radhës i largimeve dhe ardhjeve në polici, apo nëse ai nuk do të përfshinte që në përmbajtjen e tij, besim të plotë tek ata të cilët do ti nënshtrohen këtij procesi.

Ndaj, tha ministri, ne kemi synuar që procesi së pari të jetë i besueshëm dhe më pas të sigurojë largimin nga radhët e Policisë të të atyre nuk përmbushin standardin profesional dhe moral, për të qenë mbrojtës të jetës dhe pasurisë të çdo qytetari të këtij vendi.

Procesi i vettingut në polici’, vuri në dukje ministri, do t’i hapë rrugën reformave të tjera për t’u dhënë qytetarëve atë që meritojnë dhe kërkojnë, një shtet të së drejtës.

“Me reformën në drejtësi besoj fort se kemi bërë një hap përpara në këtë drejtim, por është e domosdoshme që atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që meritojnë dhe që do të kalojnë me sukses këtë proces, jemi në gjendje t’u garantojmë mbështetjen e shërbime nga agjenci ligj zbatuese të përkushtuar,  si Policia e Shtetit. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një kontribut i padiskutueshëm, jo thjeshtë për pastrimin e radhëve të këtyre organizmave nga elementët e korruptuar, inkriminuar e të paaftë por para së gjithash, do të jetë një proces që do t’i shërbejë asaj pjesë së shëndoshë të dedikuar mbi të cilën do të ngrihen misionet e nesërme ligj zbatuese. Jam i bindur se ky akt do të jetë mundësi reale për të afirmuar e promovuar të gjithë ata punonjës të Policisë së Shtetit që në punën e tyre udhëhiqen nga parime të larta morale e profesionale. Një polici me këtë përbërje do të garantojë një besueshmëri më të lartë kundrejt qytetarëve agjencive të tjera ligj zbatuese por edhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha Xhafaj.

Ai bëri të ditur se në këtë rrugë nuk ishin të vetëm. “Ne nuk jemi vetëm në këtë rrugë, procesi ka mbështetjen e qytetarëve, por edhe të shumicës së punonjësve të ndershëm në radhët e policisë. Në këtë rrugë, kemi si asnjëherë tjetër mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përmes misioneve të asistencës ndërkombëtare. Ata kanë punuar krah për krah për konceptimin e hartimin e kësaj nisme. Mbështetja që kjo inisiativë ka gjetur edhe nga pjesa e përgjegjshme politikës shqiptare, është garanci për suksesin e saj”, tha ai.

Xhafaj vlerësoi edhe mbështetjen e dhënë prej disa nga kolegët deputetë të opozitës rreth përmbajtjes së projektligjit dhe vet procesit. “I mirëkuptoj disa prej tyre në rolin opozitar me kritikat e adresuara pasi kryesorja vlerësoj mbështetjen që i kanë dhënë këtij procesi”, deklaroi ministri.

Sa i përket atyre që gjetën përsëri mundësinë për të hedhur baltën e radhës ndaj meje, vijoi ministri, nuk po formuloj asnjë reagim.

Ka disa, tha ai, që e kanë konsideruar këtë proces një praktikë komuniste. Por, Xhafaj sqaroi se çfarë ky p/ligj përmban është një standard ndërkombëtar dhe jo një inovacion shqiptar.

Ka pasur, vijoi ministri, gjithashtu disa arsyetime politike që e konsiderojnë ndërmarrjen e këtij projektligji si pranim i faktit se policia e sotme është e korruptuar.

“Ne e kemi pranuar se në radhët e policisë, ashtu si në radhët e drejtësisë, administratës publike dhe vet politikës ka individë të korruptuar, të paaftë dhe të implikuar në veprimtari kriminale. Jo sot, por për vite të tëra. Jemi të ndërgjegjshëm se kultivimi i kanabisit dhe trafiku i saj nuk ka kursyer edhe punonjës të policisë. Ndaj jemi të ndërgjegjësuar kur themi se kjo lloj veprimtarie kriminale është e rrezikshme për rendin dhe sigurinë publike dhe kemi të gjithë vendosmërinë për ta luftuar me rrënjë atë”, deklaroi ministri.

Kjo, tha ai, është rruga më e mirë për të pastruar policinë nga këto fenomene dhe praktika negative. Pasi, vijoi ministri, ky është një fenomen i krijuar prej vitesh dhe jo i dy viteve të fundit siç edhe artikulohet.

“Prandaj ju kërkoj që të mos spekuloni as të nxitoheni. Ajo që bën dallimin është se ne sot kemi vendosur të përballemi me këtë problem”, deklaroi ministri. Shumë ndryshe nga të tjerët ne, theksoi Xhafaj, me këtë proces nuk po përpiqemi ti fshehim problemet për qëllime politike.

Ndaj, vijoi ai, dhe qasja jonë është vetëm në interes të sigurisë për qytetarin.

Përbaltja që disa prej jush i bën Policisë së Shtetit, tha Xhafaj, ju siguroj se jo vetëm nuk e ndihmon policinë të bëhet më e mirë, por nga ana tjetër as ju nuk ju sjell ndonjë përfitim politik.

Xhafaj foli edhe për rezultatet e arritura në këta muaj. “Janë rezultate që jo vetëm po penalizojnë elementët kriminal por edhe po dekurajojnë elementë të tillë për tu përfshirë në veprimtari të paligjshme. “Falenderimi dhe mirënjohja opozitare për këto rezultate, do të ishte edhe një inkurajim më shumë për forcat e policisë”, u shpreh ai.

Operacioni “Forca e ligjit”, bëri të ditur ministri, tashmë nuk është thjeshtë një projekt. Sipas tij, ai është sot një realitet i prekshëm. “Jemi qartësisht të fokusuar në goditjen e grupeve të strukturuara kriminale dhe aseteve të krijuara prej tyre. Ne kemi gjithë vullnetin e duhur për të goditur krimin e organizuar. Kemi grumbulluar informacionin e duhur për grupet e strukturuara kriminale aktive dhe po vazhdon puna për identifikimin e grupeve kriminale që operojnë në vendet e tjera dhe që kanë kontakte apo investime të paligjshme në vendin tonë. Të dhënat tregojnë se disa grupe kriminale zotërojnë edhe kapacitete financiare domethënëse që i bën ato mjaft të rrezikshme për rendin dhe sigurinë. Në bashkëpunim shumë të ngushtë me partnerët tanë po punojmë për kapjen dhe vënien para drejtësisë të anëtarëve të këtyre grupeve. Në këto tre muaj janë shënuar rezultate të dukshme”, u shpreh Xhafaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button