Rajoni

Çfarë tregoi vizita e presidentit serb në Bullgari?

Në fund të javës së kaluar me ftesë të homologut të tij bullgar Rumen Radev presidenti i Serbisë fqinje Aleksandër Vuçiç bëri një vizitë në Bullgari. Ajo u realizua dy javë pasi BE-ja shpalli strategjinë e re për Ballkanin Perëndimor, në vendin i cili është në krye të Këshillit të e BE-së. Sipas strategjisë në fjalë Serbia dhe Mali i Zi janë më të përgatitur për pranim në BE-në. Vetëm dy ditë pas bisedimeve të presidentit Vuçiç në Sofje, sot për vizitë në Beograd është kryetari i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker.

Vizita e presidentit Vuçiç u ndoq me vëmendje të madhe edhe për faktin, se ai është një nga figurat më të njohura politike në fqinjën tonë perëndimore. Si lider i Partisë të së Djathtas Centriste Përparimtare Serbe që nga vet formimi në vitin 2008, ai ishte kryeministër në periudhën nga viti 2012 deri në të 2017-tën. Pas kësaj jo vetëm që propozoi kryeministren e tanishme të Serbisë Ana Bërnabiç, por u bë president në një moment vendimtar për perspektivën evropiane të Serbisë. Orientimi i së djathtas centriste të Vuçiçit i afron atij i partisë GERB, e cila është në pushtet në Bullgari. Mandati i tij si president pothuajse plotësisht përputhet me atë të presidentit Radev. Për këtë arsye mund të theksohet, se bisedimet e zhvilluara javën e kaluar caktuan drejtimet e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh midis Sofjes dhe Beogradit të paktën për tri vitet e ardhshme.

Pas bisedimeve të dy presidentët bënë deklarata të përbashkëta, nga të cilat u bë e qartë, se Bullgaria do të vazhdojë të përkrahë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. Presidenti bullgar theksoi, se përkrahja do të jetë për reforma të realizuara dhe për fqinjësinë e mirë në regjion, gjë nga e cila nënkuptohet, se ajo nuk do të jetë pa kushte. Sofja do të vazhdojë të ngulë këmbë për rregullimin e mosmarrëveshjeve midis Serbisë dhe Kosovës. Pala bullgare nuk do të heqë dorë nga mbrojtja aktive e të drejtave të pakicës bullgare në Serbi, në se gjykohet nga fakti, se presidenti Radev nguli këmbë para homologut të tij Vuçiç për masa, të cilat t’u sigurojnë përparim rajoneve, në të cilët ajo është e përqendruar. U arrit marrëveshje që gjatë vizitës së ardhshme të presidentit bullgar në fqinjën perëndimore bashkë me homologun e tij serb të frekuentojë edhe rajonet në fjalë. Mbi këtë temë tepër të ndjeshme për Bullgarinë presidenti Vuçiç siguroi, se pala serbe do të bëjë gjithçka të mundshme që numri i nxënësve të cilët mësojnë gjuhën bullgare të shtohet.

Pak para vizitës në Bullgari Vuçiçi u takua në Beograd me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov. Gjatë bisedimeve Vuçiçi tha, se Serbia nuk ka ndërmend që në emër të integrimit evropian të ndërrojë kursin drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Rusisë, nuk do të vendosë sanksione kundër saj dhe do t’i mbetet mirënjohëse Federatës Ruse , “se mbron tërësinë territoriale të Serbisë dhe përkrah pozitën e saj përsa i përket Kosovës”. Për këtë pozitë të Serbisë gjatë bisedimeve në Sofje nuk u bë fjalë. Kjo vjen të sugjerojë se pala bullgare e respekton këtë pozitë dhe se në marrëdhëniet me Serbinë do të udhëhiqet kryesisht nga pragmatizmi.

Dhe në të vërtetë gjatë bisedimeve dominuan çështjet me karakter pragmatik. Në nivel presidentësh u shpreh shpresë, se në një plan afatshkurtër të thellohet bashkëpunimi në lidhjen infrastrukturore dhe energjetike. Si projekte konkrete me prioritet për të dy vendet u caktuan përfundimi i autostradës midis qyteteve Nish dhe Sofje, ndërtimi i interkonektorit të gazit midis të dy vendeve, optimizimi dhe elektrifikimi i transportit hekurudhor, shtimi i numrit dhe efikasitetit të pikave kontrolluese në kufirin e përbashkët. Presidenti Vuçiç tha para gazetarëve, se ka mundësi të mëdha për bashkëpunim edhe në industrinë ushtarake. Në nivel ministrash u nënshkruan memorandum për përmirësimin e efikasitetit të transportit hekurudhor, memorandum për bashkëpunim në zhvillimin e infrastrukturës së porteve të lumit Danub dhe memorandum për thellimin e shkëmbimit të përvojës dhe praktikave të mira në sferën e punës, punësimit, integrimit të njerëzve me aftësi të kufizuara, legjislacionit të punës dhe të sigurimit social dhe politikave për inkurajimin e punësimit dhe kualifikimit profesional.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button