Home / Ekonomia / AKEP miraton analizën e tregjeve celulare, konsultim 30 ditë për tarifat e terminimit mes operatorëve

AKEP miraton analizën e tregjeve celulare, konsultim 30 ditë për tarifat e terminimit mes operatorëve

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar analizën për tregjet me shumicë të telefonisë celulare, si dhe një sërë vendimesh, të cilat synojnë të rregullojnë tregun e telefonisë së lëvizshme.

Bazuar në analizën e tregut të shërbimeve celulare: “Tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet individuale celulare”, AKEP ka shpallur tre operatorët Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom me fuqi të ndjeshme në treg në tregjet përkatëse, ndërkohë që është hapur konsultimi publik për tarifat e terminimit, konsultim që sipas ligjit pritet të zgjasë për 30 ditë.

Vodafone Albania është shpallur operator me fuqi të ndjeshme në treg për terminimin e thirrjeve në rrjetin publik telefonik të lëvizshëm Vodafone Albania.

Telekom Albania Sh.a. është shpallur operator me Fuqi të Ndjeshme në Treg për terminimin e thirrjeve në rrjetin publik telefonik të lëvizshëm Telekom Albania.

Albtelecom Sh.a. është shpallur me Fuqi të Ndjeshme në Treg për terminimin e thirrjeve në rrjetin publik telefonik të lëvizshëm Albtelecom

Tarifat e terminimit, 30 ditë konsultim

Një nismë e AKEP për të rregulluar asimetrinë për tarifat me shumicë të terminimit në tregun e telefonisë së lëvizshme, për thirrjet dalëse nga operatorët më të mëdhenj, tek operatorët më të vegjël, shkaktoi reagime tek dy operatorët e mëdhenj Vodafone dhe Telecom Albania, kundër operatorit më të vogël, Albtelecom. Përmes asimetrisë, për operatorin më të vogël, Albtelecom do të aplikoheshin tarifa më të larta për thirrjet nga operatorët më të mëdhenj Vodafone dhe Telecom Albania, pra Albtelecom Albania do të marrë më shumë të ardhura ndërsa dy operatorët e mëdhenj do të marrin më pak të ardhura për thirrjet nga Albtelecom drejt rrjeteve të tyre. Aktualisht Vodafone dhe Telekom paguajnë për thirrjet drejt Albtelecom 1.48 lekë për minutë dhe anasjelltas (Albtelecom paguan dy operatorët po me 1.48 lekë për minutë).

“Lufta” mes operatorëve nisi nga një rrjedhje e brendshme e një tabele, ku përcaktoheshin tarifat e asimetrisë mes operatorëve, ndërsa AKEP vetëm sot e ka bërë publik dokumentin: “Rregullimi i tarifave të sipërmarrësve me FNT në tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare”, i cili është i hapur një muaj për konsultim publik.

AKEP thekson se, në vlerësimin për aplikimin ose jo të asimetrisë si dhe kohëzgjatjen dhe nivelin e saj, ka marrë në konsideratë rekomandimet e Komisionit Europian dhe Autoritetit Rregullator për Komunikimet Elektronike (BEREC).

 

Alternativat e AKEP dhe tabelat e asimetrisë

AKEP më poshtë ka dhënë një tabelë me disa alternativa të mundshme për tarifat e terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare

(MTR) në 2-3 vitet në vijim. Në tabelë janë përfshirë dhe alternativat që kanë propozuar operatorët gjatë këshillimit publik për dokumentin e publikuar në Dhjetor 2016: Alternativa 1 është simetri në nivelin aktual të MTR01.48 lek/minutë e sugjeruar nga Vodafone Albania dhe Telekom Albania.  Alternativa nr.1 është situata aktuale që është në fuqi nga 1.12.2014 për tre operatorët celularë, thekson AKEP.

Ndërsa vetë AKEP vlerëson se alternativa më e mirë për nivelin e tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare për 2-3 vitet në vijim është sipas përcaktimeve në tabelën më poshtë.

Sipas tabelës së AKEP, Albtelecom i jepet një asimetri prej 118% duke filluar nga maji 2015. Kjo nënkupton që për thirrjet e terminimit nga Vodafone tek Albtelecom, ky i fundit do të marrë 1.48 lekë për minutë, ndërsa për thirrjet nga Albtelecom te Vodafone, Vodafone do të marrë  1.22 lekë për minutë, pra 18% më pak (deri tani merrte 1.48 lekë për minutë). Një vit më vonë do të aplikohet niveli 1.11 lekë për min. Asimetria do të bëhet zero deri në vitin 2020.

Për Telecom Albania, asimetria fillon një vit pas Vodafone, në 2019 dhe bëhet menjëheë 1.11 lekë për minutë.

Në vitin 2020, të gjithë operatorët do t’i paguajnë njëri-tjetrit 1.11 lekë për minutë (pa asimetri).

Sipas AKEP, Niveli i synuar (target) për orientim në kosto do të jetë 1.11 lek/minutë;

– Për të arritur në këtë nivel të synuar, të aplikohet glide path me katër faza që fillojnë nga data 1.05.2018 ose nga data që do përcaktohet nga AKEP në vendimet finale për MTR pas këtij këshillimi publik;

– Për Vodafone Albania të aplikohet MTR prej 1.22 lek/minutë në Fazën I dhe një vit më pas në Fazën II të reduktohet në 1.11 lek/minutë.

– Për Telekom Albania në Fazën I të vijojë të zbatohet MTR prej 1.48 lek/minutë dhe pas një viti në Fazën II të reduktohet në 1.11 lek/minutë në të njëjtën kohë me Vodafone, por duke lejuar një asimetri të përkohshme prej një viti me Vodafone;

– Për Albtelecom në Fazën I të fillojë të aplikohet MTR prej 2.66 lek/minutë që përbën vlerën e parashikuar nga AKEP në Mars 2014 si fazë e ndërmjetme para kalimit në nivelin 1.48 lek/minutë (e aplikuar për Vodafone dhe Telekom në Prill 2014-Dhjetor 2014). Albtelecom propozohet të parashikohet të arrijë nivelin e synuar 1.11 në Fazën IV.

Leave a Reply

%d bloggers like this: