Kryeartikull

Pasqyra që çekuilibroi mendërisht Doktorin

Nga Flogert Muça

Përplasja e mbrëmshme mes gazetarit Artan Hoxha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha ka marrë vëmendjen e opinionit publik duke na kthyer në memorie modelin e sjelljes ndaj medias nga një ish-pushtetar që sot nuk e di si do të shkojë fati i tij.

Mbrëmë pamë një Sali Berishë që kur i përmend në sy ca të vërteta si ato që i tha Hoxha mbrëmë e humb toruan dhe fillon si fëmijë të shajë me ç’i nxë goja, sepse ka frikë, ka shumë frikë nga e shkuara e tij. Nga ajo përplasje pamë se si një ish-president, ish-kryeministër dhe lider i njërës prej partive më të mëdha në vend i sheh gazetarët si rrezik, ndaj dhe nuk ngurron t’i kërcënojë në lidhje direkte në sy të të gjithë publikut.

Dukshëm  doktori mbrëmë u vu në një pozitë aq të vështirë sa rrallë herë mund të jetë gjendur. Ndoshta është ndjerë aq ngushtë sa mbrëmë vetëm kur ka kryer ato që gazetari Hoxha ja reshtoi  një e nga një. E nga sikleti doktorit iu errësuan sytë dhe nuk e llogariti faktin që është përpara shqiptarëve kur iu hakërrye një gazetari.

Duhet thënë që Berisha mbrëmë  përfundoi në atë emision televiziv si pasojë e një dite të lodhshme për të dhe me një ngarkesë të lartë psikologjike, gjë që e justifikon edhe faktin pse ai ishte mbrëmë i sinqertë në vrazhdësinë dhe dhunën e tij ndaj gazetarit dhe medias në tërësi. Ai ishte totalisht vetvetja mbrëmë sepse po mbronte veten pa e llogaritur fare që publiku do e gjykojë. Kjo sepse Berisha ka kohë që nuk llogarit më publikun dhe gjykimin e tij, pasi ka halle shumë më të mëdha se opinioni publik i cili ia ka dhënë përgjigjen ka ca vite.

Sali  Berisha ishte i ngarkuar dje nga seanca plenare e paradites ku ministri i Brendshëm  Fatmir Xhafaj i tha se shumë shpejt familjet e politikanëve do të verifikohen për pasuritë dhe gjithçka tjetër.  Familja është pika e dobët e Berishës, pasi fëmijët e tij janë përfolur në shumë afera kur ai ishte kryeministër.

Megjithatë, ajo që i çorri maskën doktorit ishte fakti se personi që po fliste me fakte kundër argumentave të tij ishte gazetar, pra ishte një autoritet i pavarur. Nëse ato që i tha mbrëmë Hoxha do t’i thoshte një politikan, Berisha njëlloj do të reagonte, por nuk të besohej në opinion publik as ai as kundërshtari i tij, sepse do të shihej si një luftë politike.

Mirëpo, thënë të gjitha ato nga një gazetar investigativ, i cili mund të themi që është ndër më të mirët dhe më të informuarit (për të mos thënë më i miri) në fushën e tij e kanë trembur Berishën. Sali Berisha nuk është trembur kurrë nga kundërshtarët politikë, nuk është trembur as nga drejtësia sepse e ka patur gjellë të tijën gjatë gjithë kohës. Por, ai është trembur gjithmonë nga media dhe gazetarët. Dihet se që nga djegja e “Koha Jonë” e “TemA” te gjoba ndaj TCH, ai mediat vetëm i ka sulmuar, gjobitur, kërcënuar dhe padyshim, blerë. Frika me e madhe e tij sot është media dhe drejtësia që se ka më në dorë. E kur këto të dyja nuk janë në dorën e një njeriu që ka bërë shumë zullume, gjëja më normale që ai mund të bëjë është t’i sulmojë ato për t’i delegjitimuar faktet që dalin prej tyre.

Doktori ndoshta ka ende pak shpresë nga ato media e ata gazetarë që i janë mirënjohës për qokat e rënda që ju ka bërë kur ishte në pushtet. Ndoshta ka dhe nga ata që e adhurojnë si lider, pasi janë mësuar të jenë të nënshtruar ndaj dhunës së pushtetit dhe lëpijnë këpucët e atij që i godet. Se sa do e mbajnë në këmbë doktorin këto media e këta gazetare nuk di ta them, ama di të them që mjafton edhe vetëm një gazetar si Hoxha mbrëmë për t’i rrëzuar të gjithë puthadorët. Dhe një gazetar do jetë gjithmonë i lirë dhe i guximshëm për t’i thënë të vërtetat që  për fat të mirë publiku di t’i dallojë nga mashtrimet dhe propaganda.

Nga Flogert Muça

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button