Kronika

Historia e panjohur: Si u inskenua “Grupi terrorist” që do hidhte në erë Kombinatin e Beratit në 1977-ën

Në kuadrin e ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën” i cili është një projekt i ideuar dhe mbështetur nga zyra e Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Wollmer, në bashkëpunim të ngushtë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm z. Thoma Gëllçi, dy bashkëautorët realizues të projektit në fjalë, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, sjellin para teleshikuesëve dokumentarin e gjashtë, me titull “Kurthi i një sabotazhi të paralajmëruar”, që Berati e pati “fat”.

Ky cikël dokumentarësh i cili ka filluar prodhimin që në muajin shtator të vitit të kaluar dhe trasmetimin në ekranin e RTSH1 që nga fillimi i muajit dhjetor, sjell para teleshikuesëve ngjarje të bujshme apo dhe të panjohura nga periudha e regjimit komunist të para viteve ’90-të.

Në këtë kuadër, dy autorëve të sipër cituar, sjellin këtë dokumentar që i kushtohet ngjarjes së vitit të largët 1977, kur në qytetin e Beratit u zhvillua një gjyq publik (me dyer të hapura)ku në bankon e të akuzuarëve ishin katër të rinj nga rrethi i Beratit, të cilët akuzoheshin se në bashkëpunim me njëri tjetrin, kishin bërë plane për të hedhur në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun”.

Kjo ngjarje, apo më saktë gjyqi ndaj katër të rinjëve beratas (dy vëllezërve Luftar e Muharrem Protoduari dhe Riza Hazisi e Ushtar Çobo), është mjaft i njohur jo vetëm për faktin se ai u bë një gjyq publik me bujë të madhe, (jashtë sallës së Kino-Klubit të Kominatit, ishin sjellë në mënyrë të organizuar me qindra veta, punëtorë dhe fshatarë, si nga qyeti ashtu dhe nga fshatrat që ndiqnin seancat gjyqësore nëpërmjet artopolantave), por edhe për faktin se një pjesë e seancave gjyqësore dhe momenti i dhënies së vendimit nga ana e trupit gjykues, u filmua nga një grup xhirimi dhe deri në fundin e viteve ’80-të, ai filmim jepej si dokumentar para shfaqjes së filmave në kinema të ndryshme pothuaj në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Po kështu, edhe pas viteve ’90-të ai filmim i rrallë është trasmetuar disa herë në emsione të ndryshme televizive dhe është ndjekur me mjaft interes, edhe për faktin e thjeshtë se të katër të akuzuarit, i pranojë akuzat që iu bëhen nga prokurori dhe kryetari i gjyqit?! Dhe si rezultat, dy nga të pandehurit, përkatësisht Luftar Protoduari dhe Riza Hazizi, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan.

Nisur edhe ka ky fakt, dy bashkëautorët ciklit të dokumentarëve “Përballje me të kaluarën”, gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, si dhe stafi i tyre, e kanë përfshirë atë ngjarje në projektin në fjalë, duke tentuar ta rindërtojnë atë ashtu siç ka ndodhur në atë kohë. Kjo, si nëprmjet dëshmive të dy personazheve, Muharrem Protoduari dhe Ushtar Çobo, apo familjarëve të Riza Hazizit, ashtu dhe nga dokumentet arkivore që përmbante dosja hetimore dhe gjyqësore e të ashtuquajturit “Grupi terroristo-sabotator” që “do hidhte në erë” Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” të Beratit.

Në këtë kontekst, në dokumentarin në fjalë vijnë me dëshmitë e tyre mjaft interesante para kamerave, Muharrem Protoduari, Ushtar Çobo, Agron Hazizi, (vëllai i Riza Hazizit që u pushkatua), motra e tij, Feride Hazizi, etj të afërm të tyre. Dhe, si Muharrem Protoduaria, ashtu dhe Ushtar Çobo, japin versionin e tyre rreth asaj ngjarje, duke treguar të gjithë inskenimin që iu bë asaj nga Sigurimi i Shtetit dhe Hetuesia e Beratit, duke përmëndur të gjithë oficerët e Sigurimit dhe hetuesit që ushtruan dhunë fizike, psiqike e tortura nga më të tmerrshmet gjatë gjithë procesit hetimor ndaj tyre. Po kështu, Ushtar Çobo dhe Muharrem Protoduari, dëshmojnë para kamerave se si u detyruan (me pistoletë në gojë) të pozonin për fotot që iu bëri Sigurimi i Shtetit nëpër muret e ndërtesat e Kombinatit Tekstileve “Mao Ce Dun”, të cilat u përdorën për të “kopsitur” dosjen e tyre.

Lidhur me inskenimin e atij grupi, rrëfen para kamerave edhe Demir Shuli, shok i katër të pandehurve, i cili tregon të gjitha presionet që iu bënë atij asokohe nga oficerët e Sigurimit, që e detyruan për t’ju dalë dëshmitarë në gjyq shokëve të tij. Krahas këtyre, me dëshmitë e tij mjaft interesante para kamerave, vjen edhe ish-hetuesi i Degës së Brëndëshme të Beratit, Gurazi Branko (aktualisht avokat i njohur në Tiranë), i cili jep versionin e tij rreth asaj ngjarje të bujshme si dhe opinionet e tij për ish-kolegët që u përfshinë në atë process, që nga ndjekja operative, hetuesia, gjyqi dhe ekzekutimi i dy të akuzuarëve, Luftar Protoduari dhe Riza Hazizi.

Përveç dëshmive të gjalla të ish-protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, dy bashkëautorët e dokumentarit, Kaloçi dhe Stafa si dhe stafi i tyre, kanë bërë publike edhe një numër të madh dokumentash arkivore dhe foto të rralla të panjohura më pare të nxjerra nga dosja përkatëse hetimore dhe gjyqësore që disponon Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme në Tiranë. Ky dokumentar që realizohet me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë e kryesuar nga znj. Claudia Ëollmer dhe Radio-Televizioni Publik Shqiptar, nën kujdesin direkt të drejtorit të përgjithshëm, Thoma Gëllçi, vjen premierë të mërkurën, dt.28 shkurt, në ora 20 e 35 dhe ritrasmetohet të premten, dt. 2 mars, në ora 13 e 20 në Radio Televizionin Publik Shqiptar

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button