Ekonomia

KLSH: Doganat kanë dështuar me profilet e riskut për biznesin, efektiviteti në rënie

Prej vitesh, kontrolli në dogana kryhet në bazë të profileve të riskut që janë hartuar nga kjo administratë, por duket se kjo praktikë nuk ka rezultuar dhe aq e suksesshme, të paktën sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në një raport të publikuar së fundmi me objekt “Performanca e Administratës Doganore në vlerësimin doganor të mallrave”, KLSH vëren se profilet kanë qenë pak produktive në gjetjen e mangësive.

Nga Drejtoria e Analizës së Riskut dhe Monitorimit (DARM) janë ndërtuar gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016 rreth 200 profile risku. Referuar këtyre profileve të riskut sipas sistemit, Degët Doganore kanë për detyrë që të kryejnë kontrolle bazuar në këto profile riskut. Nga të dhënat e marra nga DPD ka rezultuar se nga kontrolli i deklaratave doganore të përfshira në këto profile risku, janë evidentuar me mangësi 0.91-3.42% e tyre, çka flet për një nivel të ulët të gjetjeve bazuar në këto profile risku”, vlerëson KLSH në auditimin e vet.

Një tjetër fenomen që ka qenë në rritje ka qenë ai i rikanalizimeve nga administrata doganore që do të thotë se nga konstatimet e bëra përmes praktikave është vendosur që të kalohet në një kategori të re risku. Por edhe pse ka pasur një praktikë të tillë, KLSH konstaton se efektiviteti ka ardhur në rënie.

“Degët Doganore gjatë viteve 2014-2016, bazuar në dokumentacionin bashkëngjitur praktikës doganore, janë vlerësuar me risk dhe janë rikanalizuar për kontroll të mëtejshëm 297 DAV. Numri i ri kanalizimeve për këtë periudhë ka pasur trend rritës nga 1468 rikanalizime në vitin 2014 në 1668 rikanalizime në vitin 2016, por efektiviteti i tyre gjatë kësaj periudhe ka pasur trend rënës. Nga 113 raste në vitin 2013, të cilët pas kontrollit kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar, në vitin 2016 kanë rezultuar me shkelje dhe janë vendosur penalitete për vetëm 78 raste.

Me rritjen e numrit të rikanalizimeve pa efektivitet, nga degët doganore është shpenzuar kohë pune dhe burime njerëzore pa efektivitetin e duhur, për më tepër nga ana e subjekteve kemi rritje të shpenzimeve dhe për rrjedhojë të kostos së mallit”, nënvizon KLSH.

Raporti merr në analizë edhe detaje të lidhura me praktikat e vlerësimit tatimor, kërkesat e biznesit për rishikim të një praktike dhe kohën në të cilën i është përgjigjur administrata për t’i dhënë zgjidhje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button