Kryeartikull

A mundet grupimi i ri në PD të kthehet në alternativë?!

Ben Andoni

Prej pak ditësh kundërshtarët e mënjanuar prej kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Bashës, kanë filluar lëvizjen për të testuar elektoratin e Djathtë dhe për të krijuar premisat për një forcë të re politike. Për fat të keq, nuk e kanë më vrullin dhe entuziazmin e pak muajve më parë, kur paraqitën platformën për konceptimin e ri të PD-së. Një pjesë e tyre kanë rënë në monotoninë e humbjes dhe në përshtatjen e paqme me realitetin e ri. Më saktë janë të ngopur me pushtetin e shkuar dhe të gjitha beneficet që rrjedhin për inerci prej tij.

I vetëm Astrit Patosi me ndihmën e Ridvan Bodes dhe shumë më pak nga Majlinda Bregu kanë nisur përpjekjet reale për atë që mund të konceptohet si forcë e re politike. A do munden ta trandin dot elektoratin e Djathtë, që tashmë ndjehet krejt i paorientuar, oratorët e ri të PD-së? Ka pak të ngjarë, sepse përveç goditjes të rëndë në tre zgjedhje rresht, ky formacion ka harxhuar të gjitha ligjërimet e zyrtarëve të saj për të fituar besimin tek elektorati.

Sikur të mos mjaftojë kjo, shpura e shumtë e Lulzim Bashës, që më së shumti duken personazhet e sotëm konjukturale të PD-së, janë hedhur në mbrojtje të ethshme të kryetarit. Më qesharakë janë bërë ata që dikur e lanë Partinë Demokratike, e duke shfrytëzuar deri edhe simbolikën e saj, u munduan ta godisnin poshtë brezit mu në momentin më të keq. Politikanët e ish-formacionit të Genc Pollos dhe Tritan Shehut po i nxjerrin dhëmbët më së shumti sepse nuk duan që një formacion i ri nga PD-ja të arrijë më tepër sesa ata, por edhe sepse u sjell në një kuptim instiktiv vetë pabesinë e tyre.

Gjithsesi, iniciatorët e lëvizjes së re te PD e kanë përvojën e duhur, që në takimet që kanë nisur nga pak ditë të testojnë realisht forcën e tyre por edhe mbështetjen. Astrit Patosi, më aktivi syresh, mendon se :“Një lëvizje politike në shumë raste është më e madhe se një parti politike, por unë nuk mund të përjashtoj asgjë në rast se shurdhëria dhe mosreflektimi do të vazhdojë. Ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë aksionit tonë politik sepse mendojmë se e kemi detyrim ndaj forcës sonë politike ndaj demokratëve në gjithë Shqipërinë, por dhe ndaj vendit në tërësi”.

Realisht, kjo apati e PD-së, mungesë përfaqësimi dhe kaotizmi i saj ka brenda dhe cinizmin e Bashës dhe shpurës së tij, që pak nga pak po i largohen Berishës dhe që kanë kinse forcën të mos i përgjigjen platformës së shtatorit për ringritjen e PD-së, që ka edhe firmat e dy ish-ëve të rëndësishëm të PD-së Patozi dhe Ridvan Bode. Dhe, ky është paradoks. PD-ja ka nevojë sot e kësaj dite për të lexuar sinqerisht humbjet e saj.  Cilado qoftë e ardhmja dhe gabimet e tjera të Edi Ramës, që duket se po i japin zemër PD-së, lëvizja e re duhet respektuar si një alternativë që po realizohet nga politikanë që e njohin mirë politikën shqiptarë. Sesa do t’ia dalin, kjo mbetet për t’u parë paçka se gjasat sërish nuk janë të mira, pasi fryma demokratike mungon realisht edhe në këtë lëvizje, ku duket se problemi kryesor nuk është reformimi i PD-së por thjesht ndryshimi i lidërshipit të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button