Rajoni

Bullgaria voton, por nuk zgjedh mes Brukselit dhe Moskës

aaa631Këngë proruse, me qindra flamuj të kuq që valëviten, portrete të Vladimir Putinit. Kjo ndodhi pak ditë më parë në një shtet anëtar të BE-së, Bullgaria, që më 5 tetor zhvillon zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Festa vjetore rusofile e liqenit Koprinka, në qendër të Bullgarisë, tërhoqi 7 000 persona, nën syrin e vëmendshëm të kandidatëve të shumë partive.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Bullgarisë, që bën gjithashtu pjesë në NATO. Por, zemra e shumë bullgarëve qëndron në Lindje. Ata janë 40 për qind që i kundërvihen sanksioneve të vendosura kundër Rusisë nga perëndimorët për politikën e saj në Ukrainë, kundrejt 13 për qind që janë pro, sipas një studimi të institutit Mediana.

Në një mesazh të lexuar në liqenin Koprinka, ambasadori rus, Jurij Isakov, përgëzoi që ky grumbullim është i ngulitur në zemrat e bullgarëve, pavarësisht ndryshimit të rrethanave.

Dy vendet kanë gjuhë të përafërta, alfabet cirilik dhe kristianizmin ortodoks. Edhe nën diktaturën komuniste, Bullgaria gjykohej si aleati më besnik i Moskës.

“Përpjekjet e Perëndimit për të kundërvënë popujt tanë vëllezër kanë dështuar”, thotë Danail Dimitrov, 38 vjeç, i pyetur nga gazetarët në festën rusofile. Ndërsa një profesor historie flet për luftën ruso-turke në vitet 1877-78, që i dha fund pesë shekuj dominimi otoman në Bullgari.

Nostalgjia e vëllait rus

Nostalgjia e vëllait të madh vazhdon të jetë ende gjallë në mendjet e bullgarëve pas çerek shekulli demokraci, vendi i vogël ballkanik me 7,4 milionë banorë, është më i varfëri në BE.

Një ditë para zgjedhjeve të parakohshme, tensioni mes BE-së dhe Rusisë është një shpresë për partinë ultranacionaliste “ATAKA”, që është duke humbur votues. Në liqenin Koprinka, shefi i saj Volen Siderov premtoi të bëjë gjithçka që të evitojë që Bullgaria të shndërrohet një platformë për goditje kundër Rusisë.

Në krahun e formacioneve të mëdha politike, socialistët, që mbështesnin qeverinë teknokrate që ra në korrik, ishin gjithashtu të pranishëm në festën proruse. Ndryshe nga “ATAKA”, ata flasin për një politikë më të ekuilibruar mes Lindjes dhe Perëndimit për të mbrojtur interesat kombëtare.

E djathta e ish-kryeministrit Bojko Borisov (2009-2013), ku sondazhet parashikojnë një rikthim në pushtet, shikon më shumë drejt Gjermanisë, “modeli i menaxhimit më i përshtatshëm për Bullgarinë”, sipas tij.

Blloku reformues (e djathta antikomuniste), një aleat potencial për Borisovin, shkon edhe më larg duke propozuar çmontimin e monumentit të ushtrisë sovjetike në Sofje për të thënë që janë me origjinë evropiane.

Kali i Trojës në BE

Sipas analistëve, qeveria e re duhet, sikurse edhe paraardhësit e saj, njëkohësisht të tregojë besnikërinë e saj drejt BE-së dhe të ruajë marrëdhëniet me Rusinë.

“Bullgaria ka një status paradoksal”, thotë Ognian Mintchev, i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare. “Ajo i përket NATO-s dhe BE-së, por Moska kontrollon krejtësisht burimet e energjisë dhe oligarkia bullgare mbron interesat ekonomike dhe strategjike ruse”.

Si e majta dhe e djathta gjykojnë si të nevojshëm projektin e gazsjellësit ruso-italian “South Stream” që anashkalon Ukrainën, në origjinë të së cilit është gjiganti rus i gazit “Gazprom”.

Fillimi i ndërtimit të pjesës bullgare të këtij projekti faraonik u ndërpre para verës, pas protestave të Brukselit dhe Uashingtonit.

Por, megjithatë projekti nuk është braktisur. Borisov garanton se nëse ka një marrëveshje evropiane, ky projekt mund të rifillojnë në vjeshtë.

Ekuilibri bullgar ushqen dyshime në Evropë.

Në pranverë, revista “Der Spiegel” citonte burime të brendshme të shërbimeve sekrete gjermane sipas të cilave Berlini dhe kryeqytete të tjera kishin frikë se mos Moska shtonte influencën e saj në Bullgari për të ndarë bllokun e 28 vendeve evropiane.

“Vendi shfaqej si një kalë Troje rus mbrenda BE-së”, thotë politologu Daniel Smilov, sipas të cilit “qeveria e re duhet të tejkalojë një problem të madh reputacioni”.

 (Nga Vesela Sergejeva)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button