Ekonomia

Klosi: Shqiptarë, serbë, kosovarë, maqedonas e malazes me një paketë të përbashkët turistike

Shqipëria synon të kthehet në një nga destinacionet me tërheqëse për turizmin, jo vetëm në rajon, por për krejt Europën. Shqipëria do të ofrojë paketa të përbashkëta rajonale turistike për tregjet e treta.

Kjo është risia e prezantuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë Panairit Ndërkombëtar “I.T.B Berlin Fair”, që nga data 7 deri ne 11 mars po mbahet në Gjermani i cili është një nga panairet më të rëndësishëm në Europë dhe botë.
I ftuar në konferencën ministeriale të turizmit, ku ishte zgjedhur për të folur mbi zhvillimin e turizmit, si përfaqësues i Ballkanit, ministri Klosi theksoi se tregu shqiptar është një treg i rëndësishëm, por duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë për të hartuar paketa të përbashkëta rajonale për tregun aziatik.

“Tregu shqiptar është një treg i rëndësishëm, por është një treg që duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë. Krijimi i paketave të përbashkëta, me partnerët serbë, malazezë, të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe për të pasur mundësi pastaj që këto politika të përbashkëta shtetërore të konvertohen në politika biznesi të përbashkëta të tour operatorëve, është një nga risitë e këtij panairi. Ne po përpiqemi që të ftojmë sa më shumë tour operatorë rajonalë në këtë bashkërendim për të pasur mundësi që për tregun e madh aziatik, amerikan, pra për tregun e madh përtej oqeanit, ne të kemi mundësi që të afrojmë një rajon si një paketë e përbashkët turistike”, deklaroi ministri.

Duke vlerësuar panairin e Berlinit si një nga panairet më të rëndësishëm në botë, ministri Klosi shprehu kënaqësinë që operatorët shqiptarë dëshmojnë që gjithmonë e më shumë janë të pranishëm në këtë treg biznesi turizmi në Mesdhe.

Gjatë takimeve të shumta me investitorët të rëndësishëm, ministri Klosi mori garancinë se Shqipëria është në fokusin e tyre të interesit për të investuar në hotele dhe resorte me 4 dhe 5 yje. Ndërsa disa prej tour operatorëve më të mëdhenj në botë tashmë e kanë marrë vendimin për të hyrë edhe në Shqipëri.

Megjithatë ministri Klosi theksoi se kapacitetet e hotelerisë vijojnë të jenë të cunguara dhe për këtë arsye Shqipëria akoma nuk arrin të plotësojë kërkesat e tregut.

Shqipëria përfaqësohet me stendën e saj me një prani të gjerë tour operatorësh nga vendi. Panairi Ndërkombëtar i I.T.B. Berlinit, është panairi më i madh i turizmit në Europë dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë. Ky panair vizitohet nga 180 mijë vizitorë biznesi nga afro 200 vende të botës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button