Kosova

S’ka rrezik për çarje të Bllokut

s-rsquo-ka-rrezik-p-euml-r-ccedil-arje-t-euml-bllokut_hdPavarësisht situatave që mund të paraqiten, nuk do të ketë rrezik për qarje të bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV. Ky është zotimi që kanë dhënë përfaqësuesit e partive nënshkruese të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Sipas Isa Mustafës, Rexhep Selimit, Donika Kadaj-Bujupit dhe Bilall Sherifit, koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe VV-ja çdo ditë e më shumë është duke u konsoliduar dhe do të vazhdojë të jetë i tillë deri në realizimin e marrëveshjes së arritur.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten se koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe VV është i vendosur që projektin e tyre ta çojnë përpara.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se thirrjet e disa përfaqësuesve të LDK-së, që ai të jetë kryeministër i vendit, janë vlerësime personale të tyre.

“Idetë janë vlerësime personale. Ne kemi një marrëveshje dhe nuk do ta ndryshojmë atë marrëveshje çdo ditë në bazë të ideve të njerëzve. Kur bëhen marrëveshje, ato bëhen edhe në suaza të kompromiseve”, ka deklaruar Mustafa pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe në Kosovë.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje! (VV), Rexhep Selimi, ka vlerësuar se nuk ka asnjë rrezik që të prishet ujdia e arritur në mes të bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje!-s ndonëse, sipas tij, shpresat e pushtetit në ikje qëndrojnë pikërisht te ndonjë ‘rrezik’ për përçarje të këtij blloku.

“Normalisht se shpresat e pushtetit në ikje qëndrojnë te ndonjë ‘rrezik’ si, për shembull, mundësia e përçarjes së koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe marrëveshjes së tyre me Lëvizjen Vetëvendosje! Këtë edhe e kanë provuar tashmë. Por, jo, nuk ka asnjë rrezik të tillë. Rreziku kryesor qëndron te krerët e PDK-së, të cilët po vazhdojnë të paraqesin ende rrezik potencial për demokracinë dhe shtetin të cilin duan ta mbajnë të kapur. Pra, nuk ka rrezik të përçarjes së subjekteve politike që tashmë e kanë formalizuar shumicën parlamentare me anë të marrëveshjes së nënshkruar më 10 shtator”, ka deklaruar Selimi për “Epokën e re”.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe VV çdo ditë e më shumë është duke u konsoliduar.

Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se nga 47 deputetë sa ka pasur ky koalicion në fillim, tani i ka 63 sosh.

“Prej arritjes së marrëveshjes koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe VV dita-ditës veç se është forcuar si me numra, po ashtu edhe si koncept. Nga numrat fillestarë, prej 47 deputetëve, tani kemi një shumicë absolute shqiptare prej 63 deputetësh dhe e kemi përkrahjen e komunitetit pakicë. Pavarësisht përpjekjeve dhe tendencave që të lansojë informata për përçarje eventuale të koalicionit, ka qenë vetë PDK-ja e cila ka humbur gjatë këtij procesi. Prandaj, blloku LDK-AAK-Nisma-VV veçse është forcuar dhe kështu do të jetë deri në realizimin e marrëveshjes. Dhe e gjithë ky është një iluzion të cilin po e pret kot Partia Demokratike e Kosovës”, ka deklaruar për “Epokën e re”, Kadaj-Bujupi.

Po ashtu, edhe anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka deklaruar se nuk do të ketë përçarje brenda bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV, sepse ende vazhdojnë arsyet pse është lidhur marrëveshja ndemjet këtyre katër partive politike. “Nuk do të ketë përçarje brenda bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV, sepse arsyet pse është lidhur marrëveshja ndemjet këtyre katër partive politike vazhdojnë të ekzistojnë. Pra, arsyeja është ndryshimi i modelit qeverisës. Prandaj, nuk ka asnjë arsye blloku të qahet. S’ka asnjë arsye të ndryshojnë qëndrimet sepse vendit i duhet ndryshimi dhe padyshim që blloku vetëm sa do të konsolidohet edhe më shumë”, ka thënë për “Epokën e re”, Bilall Sherifi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button