Bota

Prodhuesit e çelikut në BE “frikë” për tarifat amerikane

Nga Asociacioni Evropian për Prodhimin e Çelikut (EUROFER) theksuan se arsyet e presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave të importit të çelikut dhe aluminit janë absurde dhe se ky hap mund t’i kushtojë Bashkimin Evropian (BE) dhjetëra mijëra vende pune.

Kreu i EUROFER-it, Axel Eggert, tha se “arsyetimi për rrezikimin e sigurisë kombëtare që Trump e përdor dhe lidhjen me tarifat për financimin e NATO-s, është absurde”.

BE-ja vitin e kaluar ka eksportuar rreth 5.5 milionë ton çelik në SHBA. Prodhuesit evropianë të çelikut janë të shqetësuar për shkak të mundësisë së humbjes së qasjes në treg.

“Humbja e mundësisë së eksportit në SHBA në kombinim me rritjen e pritur të madhe të importit në BE mund të na kushtojë neve dhjetëra mijëra vende të punës në industrinë e çelikut dhe sektorët e ngjashëm”, tha Eggert.

Në një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Trump nënshkroi vendime të ndara që imponojnë një tarifë prej 25 për qind mbi çelikun e importuar dhe një tarifë prej 10 për qind mbi aluminin e importuar. Tarifat do të hyjnë në fuqi për 15 ditë.

Shpalljet përjashtojnë Kanadanë dhe Meksikën, megjithëse Trump tha se kjo mund të shfuqizohet nëse Shtëpia e Bardhë nuk i pëlqen rezultatet e rinegocimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA).

Duke përshkruar rregullat e reja si “fleksibël”, Trump tha se vendet e tjera mund të aplikojnë për përjashtime.

– Franca kritikon tarifat e reja të Trump-it në çelik dhe alumin

Ndërkohë, edhe Franca ka kundërshtuar vendimin e presidentit të SHBA-ve për nënshkrimin e tarifave të reja mbi importet e çelikut dhe aluminit.

“Franca shpreh keqardhje për njoftimet e Donald Trumpit mbi tarifat e çelikut dhe aluminit. Ka vetëm humbës në një luftë tregtare”, ka thënë ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire.

Maire theksoi se me partnerët e tyre të Bashkimit Evropian (BE) do të vlerësojnë pasojat në industritë e tyre dhe do të dakordohen për një përgjigje të përshtatshme.

Sipas tij, këto taksa do të kishin “një ndikim të madh në ekonominë evropiane dhe në kompanitë franceze”.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, më herët këtë javë poashtu paralajmëroi se një veprim i tillë, nëse zbatohet, do të dobësonte ndikimin amerikan në botë. “Evropa duhet të tregojë fuqinë dhe sovranitetin e saj”, tha Le Drian.

Ai ka shtuar se tarifat “mund të jenë tërheqëse për SHBA-të tani, por në afat të gjatë do të kenë efekte të dëmshme në ndikimin mbarëbotëror të Amerikës”.

Aktualisht, rreth 90 për qind e aluminit të përdorur në prodhimin amerikan është importuar, përfshirë edhe një e treta e çelikut.

Grupet e industrisë besojnë se konsumatorët do të përballen me barrën e impaktit nga tarifat nëpërmjet rritjes së çmimeve për artikujt duke filluar nga birra deri te makinat, si dhe mijëra sende të tjera që prodhohen nga të dyja metalet ose të paketuara brenda tyre.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për të aplikuar tarifat doganore prej 25 dhe 10 për qind përkatësisht në çelikun dhe aluminin e importuar.

“Së fundmi ne po hedhim hapa për të zgjidhur problemin që vazhdon prej një kohe të gjatë. Sot për të mbrojtur sigurinë kombëtare të SHBA ne po sjellim taksimet doganore për çelikun dhe aluminin e importuar. Do të aplikojmë tarifat doganore 25 për qind për çelikun dhe prej 10 për qind për aluminin e importuar që vjen në kufijtë tanë”, tha Trump në ceremoninë e nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, në lidhje me vendimin e debatueshëm të taksave doganore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button