Ekonomia

Subvencionet: Në mënyrë perfekte joperfekte

Shqipëria duhet të ndërpresë përkohësisht dhe ndoshta përgjithmonë politikat ekspansioniste dhe elektorale të subvencioneve në bujqësi. Ajo duhet të dedikojë fonde dhe burime njerëzore për t’u përafruar sa më parë me politikat europiane të bujqësisë…

Nga Fatos Fico

Inxhinier i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural

Shqipëria ka një histori zhvillimi ekonomik të turbullt e kaotike. Gjatë 100 viteve të fundit nuk ka dy breza që të kenë vazhduar atë që nisi ai i mëparshmi. Veçanërisht historia e tokës dhe e prodhimit bujqësor është fatkeqe. Sa reforma agrare, sa rishpërndarje e rimarrje tokash, pronash? Sa sisteme e mënyra “artificiale” të shpikura prodhimi?

Fakt është, ashtu si në mesjetë, një familje shqiptare shpenzon gjysmën e të ardhurave vetëm për ushqim. NëBashkimin Europian (BE)është 11%. Fakt është që deficiti nga importi i ushqimeve është i lartë, me prirje që importet të shtohen, sepse bëhen më të lira dhe eksportet në sens të kundërt.

Shoqëria shqiptare duhet ta kuptojë që, për sa kohë shpenzon gjysmën e të ardhurave për t’u (u)shqyer relativisht keq, nuk mund ta rrisë mirëqenien, as të bëjë pjesë në grupin e vendeve me ekonomi të zhvilluar. Shoqëria shqiptare duhet ta ketë një qëllim madhor që të ulë shpenzimet për ushqim, sigurisht duke rritur ekonominë vit për vit dhe të ndërtojë një bujqësi të qëndrueshme, që nuk ka qëllim në vetvete rritjen e eksporteve apo shtimin e numrit të mollëve apo deleve. Përvoja, historia, edukimi, institucionet që kemi na kushtëzojnë shumë në mënyrën e të menduarit dhe të të bërit të gjërave, veçanërisht në bujqësi e fshat.

Krizat, inefektiviteti, konkurrenca, në tregjet e ngopura nuk zgjidhen duke parë vetëm brenda sistemit, por jashtë tij. Zgjidhjet brenda sistemit janë kryesisht margjinale, me kosto të lartë dhe nuk lënë vend për aktorë të rinj dhe “të varfër”, ato zgjidhje që vijnë nga jashtë sistemit japin ndryshime të mëdha dhe si një aktor/nismëtar i ri “i varfër” dhe ato të vjetrit, të pasur, nisen nga i njëjti start. Problemi është të dish ku është fillimi.

Që aktivitetet ekonomike me prodhime tradicionale (jo inovative) të jenë konkurruese apo dhe të mbijetojnë në një treg të ngopur e me shumë aktorë, kanë nevojë së paku për një apo disa burime të lira ose me kosto të ulët. P.sh., Holanda shfrytëzoi energjinë e erës për të “tharë” detin e kultivuar tokat dhe më vonë gazin natyror të Detit të Veriut për prodhimin në serrat me ngrohje.

Bujqësia shqiptare me kosto të lartë

Shqipëria në ekonominë bujqësore nuk ka aktualisht asnjë burim material të lirë apo me kosto të ulët. Inputet janë të gjitha të importit. Problemet e tokës dihen. Ujitja dhe kullimi dihen. Transporti dihet. Kapitali para është i shtrenjtë. Kapitali human mund të duket i lirë në pagë, por po aq të kthen si resto, në gjuhë popullore, është inefektiv dhe ka nevojë për formim profesional e përshtatje të vazhdueshme me evoluimin e teknologjive dhe tregut.

Klimë të ngjashme me Shqipërinë kanë shumë vende afër ose larg, por që janë prodhues të rëndësishëm bujqësor. P.sh., Greqia, po me ferma jo shumë të mëdha e terren kryesisht pyjor e malor, e mbështet bujqësinë dhe zhvillimin rural me gati 3 miliardë euro në vit nëpërmjet programit CAP (Common Agricultural Policy) të BE, pa llogaritur fondet e rajoneve që indirekt apo direkt kontribuojnë për zonat rurale.

“Bizneset” e prodhuesit shqiptarë të bujqësisë përballen me eksternalitetet ato negative, kryesisht që kanë të bëjnë me ndotjen e tokës, ujit, degradimin e pjellorisë së tokës, standardet e diskutuara të prodhimeve dhe në cilësinë, vështirësitë e varfërinë jetesës në fshat, n.q.s. e bazon atë vetëm tek bujqësia.

Subvencionet e mollës, një masë politike dhe joekonomike

“E para, ndër masat është mbështetja për mbjelljen e mollës me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën 350 mijë lekë/hektari për pemëtoret intensive, dhe në vlerën 250 mijë lekë/hektari për pemëtoret me teknologji të përmirësuara”. Është e qartë që është një masë politike dhe joekonomike.

Shprehja “kultivarë të kërkuar nga tregu” ka pasur ndër mend fermerin apo konsumatorin? Tregu i konsumatorit me atë të fermerit (inputet) në një ekonomi të lirë normalisht konvergjon në atë që mjetet e prodhimit janë në shërbim të kërkesës së konsumatorëve, por për arsye e në kohë të ndryshme, mund të jenë edhe të ndryshëm.

P.sh., konsumatori kërkon mollë të lira, të mëdha, me dy ngjyra, fermeri kërkon varietete/fidanë molle të lirë, që hyjnë shpejt në prodhim, por japin mollë të vogla jeshile. Në varësi sa elastike është kërkesa për mollë ose do të falimentojnë prodhuesit me mollë jeshile, ose konsumatori do të harrojë mollën dyngjyrëshe dhe do të marrë jeshilen që gjen.

Por kërkesa për mollë është shumë elastike, kështu që fermerët do të prodhojnë dyngjyrëshe n.q.s. duan të shesin. Me qenë se konsumatori është ai që vendos në një treg funksional, po e marrim të mirëqenë të jenë kultivarë ose llojet e frutave të kërkuar nga konsumatori. Nënkuptojmë pra që me fonde publike do të ndihmohen fermerët të mbjellin këto lloje kultivarësh apo varietete molle të kërkuara nga konsumatori, p.sh., mollë dyngjyrëshe.

Por a ka një studim, kërkim, investim në Shqipëri se cilat janë këto varietete molle dyngjyrëshe që kërkohen jo sot, por pas 5, 10 apo më shumë vjetësh, kur pemët të jenë futur në prodhim?
Për informacion, varietete mollësh janë mbi 7500, njihen në tregun shqiptar sot ato me origjinë vendase dhe që kanë ekzistuar prej vitesh në treg si Starkinge, majoshe, jeshile, ose dhe thjesht mollë Korçe apo Peshkopie, si dhe Gala, Fuji, Granny Smith, Pink Lady si mollë importi apo prodhime vendase relativisht të reja.

Shqipëria do të jetë një vend me shumë fat për ekspertizën e ekspertes/it apo ekspertëve të cilët e dinë sot në mënyrë shkencore, me aq sa është e mundur, apo se thjesht kanë vizion, çfarë mollësh do të konsumojnë shqiptarët apo dhe bota mbas 5, 10 apo 15 vjetëve dhe për më shumë dhe t’i eksportojnë.

Mollët në tregun botëror bujqësor janë produkte (commodities). Konkurrenca është e fortë si brenda kategorisë, ashtu edhe me fruta të tjera. Prodhuesit e mollëve në vendet me frutikulturë të zhvilluar dhe tregje të mëdha, për të ruajtur fitimet dhe pjesën e tregut nxjerrin në treg vazhdimisht kultivarë të rinj. Fruta “e re” që pëlqehet nga tregu ka çmim “premium” në krahasim me të tjerat. Por jo të gjithë kultivarët e rinj ia dalin të pëlqehen dhe shumë prodhues/fermerë që i kultivojnë humbasin

Sot shoqëria shqiptare, sikur këto fondet e mollës Ministria e Bujqësisë t’i luante në bursa do të ketë më shumë shanse të fitojë, se sa kultivarët e mollës të kërkuar nga tregu të jenë të frytshëm ekonomikisht pas disa vjetësh.

Cilido fermer që ka sadopak njohuri nga shteti ligjor dhe që ka besim se Shqipëria do të jetë vend demokratik edhe pas 5, 10 apo më shumë vjetësh duhet të mbjellë n.q.s. ka mundësi mollë pa u menduar shumë sepse do të ketë një situate win – win sido që të shkojë – mollët kërkohen nga tregu dhe i shet pa problem ose nëse nuk i shet, i thotë shtetit “ti më tregove dhe më ofrove fonde që këto mollë kërkohen nga tregu, më paguaj investimin e fitimin e munguar tani që nuk shiten”.

Krijimi i kultivarëve të ardhshëm, me pak fjalë, bëhet me kërkim shkencor nga universitete, institute, në bashkëpunim me fermerë e biznese private për të krijuar varietete të reja dhe krijimi i një varieteti apo kultivari zgjat deri në dhjetë vjet. Ndërkohë shoqërohet me studimin e konsumatorëve, si dhe marketingun për promovimin e kultivarit.

Pavarësisht nga kultivarët, mollët kërkojnë, krasitje të vazhdueshme për t’i dhënë formë, për të marrë më shumë diell e ajër, për efekt më të mirë të spërkatjeve, për të lehtësuar vjeljen. Krasitja e gjelbër ndihmon pemën për rregullshmëri dhe prodhim cilësor.

Ujitja dhe plehërimi me pika janë faktor tjetër. Mbrojtja nga ngricat dhe breshëri, si pasojë e ndryshimeve klimatike do të jenë më të shpeshta dhe me intensitet më të lartë. Spërkatja është një tjetër kosto, por edhe problem për konsumatorët, të cilët kanë perceptimin se fermerët shqiptarë i përdorin pa kriter pesticidet, duke i hequr mollës një nga arsyet përse blihet, atë që një mollë në ditë e mban mjekun larg.

Problemet dhe alternativat

Një ide se si një investim publik në bashkëpunim me biznesin privat mund të sjellë energji të reja, të lira, të jetë rishpërndarës, ku të gjitha palët kanë fitim e përfiton një numër i madh fermerësh, me efektivitet investimi, mjaft i mirë për mjedisin dhe natyrën me kohëzgjatje të madhe, si dhe rezultate të tjera pozitive të konsiderueshme është përdorimi i energjisë diellore për ruajtjen e ftohtë të mollëve, por edhefrutave, perimeve, etj.

Dhomat frigoriferike dhe ato me atmosferë të kontrolluar janë një kërkesë e fortë nga prodhuesit e frutave. Kostoja më e lartë që kanë dhomat frigoriferike është energjia elektrike, përveçse mbetet problematike në sigurim. Shpërndarja e saj mbetet e parregullt dhe nën standardet minimale në zonat rurale, shumë më tepër se ato urbane.

Shqipëria është vend me diell. Impiantet diellore për prodhimin e energjisë, kostoja e të cilëve është ulur shumë vitet e fundit, rendimenti i tyre është rritur mjaft, kërkesa për energji është në rritje, ashtu si dhe çmimi i saj, japin një alternativë me të cilën të ndihmohen fermerët e bizneset.

Një impiant diellor, në shifra të përafërta, me sistem 50 kwh mund të prodhojë rreth 45 mijë kwh në vit dhe kërkon një sipërfaqe tarrace 350 metër katrorë me një kosto instalimi rreth 70 mijë euro. Kursimi vjetor nga mosblerja në rrjet i kthyer në cash ose para, me çmimet aktuale, 1 kwh – 10 cent është 4500 euro dhe impianti ka një jetëgjatësi 20 vjet. Me çmime aktuale do të prodhojë energji përgjatë jetës në vlerë 90 mijë euro.

Në shifra më të mëdha, 1 milion euro që investohen në energji diellore do të prodhojnë mesatarisht 750 mijë kwh në vit, ose të konvertuar në para 75 mijë euro në vit. Për njëzet vjet me radhë, kjo energji vjetore me çmimet aktuale do të japë 1,5 milionë euro në vlerë energji elektrike.

Çmimi i energjisë elektrike është në rritje të vazhdueshme, energjia nga rrjeti është e pasigurt dhe shpesh pa standarde, pra frigoriferët duhet të kenë sisteme “diesel back up”, me kosto të lartë. Kostot e impianteve diellorë janë në rënie, rendimenti i tyre në rritje. Efektiviteti i paneleve diellore mbetet i lartë edhe në kushtet praktike, kur kostot reale mund të jenë të ndryshme dhe prodhimi vjetor më i vogël, ose kërkohen më shumë investime se sa vlera e vetëm impiantit për ta përshtatur me strukturat ekzistuese.

Problem tjetër kryesor për fermerët është cash, likuiditeti ose paratë në dorë. Nëse fondet publike reduktojnë kostot fikse të shpenzimeve, si energjia elektrike, ndoshta edhe më shumë se 50%, që përdoret në magazinat me ftohje, fermerët, së pari, do të kenë mundësi ta përdorin më shumë ruajtjen e ftohtë, sepse mund të përballojnë më lehtë koston, si dhe do të paguajnë më pak para cash, të cilat mund t’i përdorin për investime të tjera.

Skema

Marrim psh investimin e supozuar si shembull 1 milion euro. Lidhet marrëveshje me pronarët e magazinave frigoriferike, me kusht që ata të ruajnë për llogari të publikut deri në vlerën e kursimit që ata kanë nga prodhimi diellor i energjisë, minus shpenzimet relative, si dhe një interes kuptohet.

Shteti ia kalon këtë vlerë 75 mijë euro, për 20 vjet me radhë biznesit ruajtës dhe fermerëve të ndryshëm për të magazinuar prodhime me çmim të reduktuar në atë vlerë. Mund të jetë më pak në praktikë kjo vlerë, sepse shembulli është teorik dhe nuk merr parasysh impiantet specifike, kostot reale të instalimit e funksionimit, por potenciali mbetet siç u tha, gjithmonë i lartë, sepse çmimi aktual i energjisë do të rritet, rrjetet ende nuk garantojnë shpërndarje të rregullt në zonat rurale dhe efektet mjedisore të energjisë së prodhuar nga fosilet dhe hidrocentralet. Zvogëlon nevojën për cash, para likuide, si për magazinën ashtu edhe për fermerët.

Pra, në vend që Ministria të futet në një aventurë për të financuar një prodhim hipotetik, sepse askush nuk e di cilët do të jenë kultivarët e frutave që do të pëlqehen nga tregu pas 5 apo 10 vjetësh, në një kohë kur konsumi i frutave është në nivelin maksimal rreth 18 kilogramë në vit dhe prodhimi vendas e mbulon pothuaj të gjithë, pse duhen investuar fonde për frutore të reja?

Ndërkohë që ruajtja e ftohtë është një nga hallkat më problematike dhe në të cilën ulja e kostove nëpërmjet investimeve publike për energji të lirë ofron një zgjidhje shumëplanëshe.
Janë shumë institucione që mund të përfshihen, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural, ajo e Energjisë, Mjedisit, shkencat, universitete, komitete, organizma e institucione lokale e ndërkombëtare. Burimet e financimit, për fat të mirë, janë dhe mund të ngrihen nga burime të ndryshme.

Janë 2,2 milionë euro për frutorë të rinj për vitin 2018. Sikur një milion euro të investohen në energji diellore për ruajtje të ftohtë, pra më pak se gjysma e fondit total, do të ulin koston për ruajtje në mesatarisht 75 mijë euro çdo vit, për njëzet vjet me radhë duke kthyer 1.5 milionë. Pra, nuk po hap një gropë dhe e mbush prapë gropën vitin tjetër me fonde publike, por fiton një interes edhe më të lartë se ai bankar.

Nga ana tjetër, subvencioni 350 mijë lekë/hektar nuk e shtyn domosdoshmërisht një fermer të investojë për frutorë, sepse kostot që duhet të mbulojë deri sa të fillojë të prodhojë për disa vite janë shumë më të mëdha. Prodhimi, pastaj, do të kërkojë si kusht për shitje të sigurt e të vazhdueshme dhe ruajtjen e ftohtë, e cila do të jetë si kosto ndoshta edhe më e madhe se investimi për mbjellje, në mënyrën aktuale.

Ndërkohë, po aq e rëndësishme është që kemi bërë diversifikim, i cili në vetvete mbart kosto edhe më të mëdha, n.q.s. bëhet më vete. Pra edhe nëse ka thatësirë të tejzgjatur në Shqipëri, siç po ndodh gjithmonë e më shumë, mund të prodhojmë energji lokalisht, pavarësisht reshjeve, si dhe të ndërtojmë kompetenca profesionale që lidhen me një burim tjetër, pra prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli, për të cilën po investojmë potenciale strukturore dhe humane për ta shfrytëzuar.

Ekonomi do të thotë të përdoresh atë që ke, me sasi dhe lirë, pra diellin në Shqipëri. Ndryshimet klimatike po i bëjnë potencialet ujore gjithmonë e më të pasigurta e më të kushtueshme. Shqipëria fushat i ka kryesisht me origjinë aluvionale/lumenjsh, pra më pak prurje të ngurta nga lumenjtë, si pasojë e digave në hidrocentrale të vegjël apo të mëdhenj, si dhe rritja e nivelit të deteve, i bëjnë hidrocentralet tmerrësisht jo të favorshëm në territorin shqiptar. Edhe bujqësia, shpejt a vonë, do të duhet të llogarisë ujërat e kripur të detit në ultësirë, thatësira e përmbytjet, si pasojë e ndryshimeve klimatike, pa u futur në problemet që HEC-et krijojnë me natyrën, natyrisht.

Jo subvencione elektorale

Shqipëria duhet të ndërpresë përkohësisht dhe ndoshta përgjithmonë politikat ekspansioniste dhe elektorale të subvencioneve në bujqësi. Shoqëria shqiptare duhet të dedikojë fonde dhe burime njerëzore për t’u përafruar sa më parë me politikat europiane të bujqësisë ose CAP dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ku njerëzit realizojnë vetveten, por jo duke jetuar për t’u (u)shqyer.

Reforma në drejtësi drejt BE është një gjë, por 350 mijë fermerë që ka Shqipëria janë po ashtu një tjetër gjë. Mendoni se do të jetë e lehtë për 70 mijë fermerët holandezë të pranojnë t’ju shtohen edhe 350 fermerë të tjerë që vetëm kërkojnë në njëBEtë zgjeruar?

Shqipëria, edhe në sensin diplomatik të negocimit me BE, duhet të zhvillojë shtyllën e dytë të CAP, atë të zhvillimit rural – e njerëzor, sidomos ajo pa kushte dhe elektorale, si e tanishmja për fermerë e biznese. Kujtoni si më sipër, Greqia ka 3 miliardë në vit, EU në total 55 miliardë në vit. Ose do t’i konkurrojmë ata me kultivarë të kërkuar nga tregu, ose do të jemi edhe ne qershia mbi tortë kur të anëtarësohemi si një vend, historikisht me bujqit e parë në Europë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button