Ekonomia

EDIL AL tërhiqet nga qendra tregtare, “Mall of Tirana” bëhet “Tirana Industrial Park”

Kërkesa e tregut po orientohet drejt hapësirave me funksion kryesisht industrial. Kjo po bën që edhe biznesi të zhvendosë dhe rikonceptojë projektet potenciale të rëndësishme…

“Mall of Tirana” do të ishte një nga projektet e reja dhe më të mëdha që do të zbatoheshin në Tiranë nga kompania EdilAl në zonën e Kasharit. U projektua fillimisht si një qendër tregtare por tashmë duket se kompania ka ndryshuar “kurs”. Projekti është rikonceptuar për t’u kthyer në një park industrial. Gentjana Hykaj, Manaxhere e Shitjeve për EdilAl tha për Monitor se ky rikonceptim vjen në kushtet e studimit të tregut dhe nevojave që shfaq ai.

“Kur është konceptuar projekti fillestar për “Mall of Tirana” u mendua për një qendër rekreacioni me ambiente zyrash, hapësirash për dyqane, madje edhe hoteleri. Por nga ajo që konstatojmë ne sot, kërkesa e tregut po orientohet drejt hapësirave me funksion kryesisht industrial.

Kjo bëri që edhe projekti të ndryshohej dhe sot kemi “Tirana Industrial Park”, një qendër magazinash, prodhim/magazinim i integruar me ekspozim dhe administrim. Përmes këtij investimi që kap vlerën 25 milionë euro ne synojmë që t’u ofrojmë bizneseve një infrastrukturë të integruar në një vend, me më shumë se një lloj transporti duke përfshirë autostradat, hekurudhën, aeroportin dhe portet.

Kjo sepse afërsia nga Rinasi, nga hekurudha e re Tiranë-Durrës që pritet të ndërtohet por edhe nga Porti i Durrësit, është një pikë e fortë. Mendojmë që kjo garanton një kosto më efektive për biznesin. Shohim që ka gjithmonë e më shumë një rritje të besueshmërisë mes kompanive që kërkojnë mbështetje për zgjidhje logjistike, hapësira për zyra tregtare, hapësira për depozita dhe sallone të shitjes me pakicë dhe kemi reflektuar pikërisht këtë” shprehet Hykaj.

Projekti i Tirana Industrial Park

Kompania EdilAl parashikon që të mbyllë ndërtimin e plotë të Tirana Industrial Park në harkun kohor të dy viteve. “Faza e parë pritet që të zgjasë një vit dhe kjo pjesë do të jetë funksionale për biznesin për të ushtuar aktivitetin e tyre me akses të plotë. Projekti i rikonceptuar sjell edhe një format të ri administrimi dhe menaxhimi që synon të lehtësojë bizneset në aktivitetin e tyre të përditshëm” shprehet Hykaj, duke nënvijëzuar se sipërfaqja e përgjithshme ku do të shtrihet projekti është rreth 136 mijë m².

Ajo nënvizon se projekti pritet të ketë një ndikim të dukshëm edhe për zonën përreth ku po ndërtohet ky park pasi do të gjenerojë punësim për banorët. “Ne planifikojmë që të ofrojmë 44 magazina me një madhësi nga 1100 m2 në 10 mijë m2 për bizneset e interesuara por brenda kësaj hapësire kemi planifikuar që të integrojmë edhe një shumëllojshmëri shërbimesh në funksion të klientëve që mund të jenë ambiente shërbimi dhe facilitete deri mirëmbajtje të sistemeve inxhinierike, mirëmbajtje e sipërfaqeve të përbashkëta dhe pastrim territori” shprehet Hykaj.

Bizneset kanë nisur të kërkojnë” shtëpi “të re jashtë Tirane

Ndërtimi i një parku industrial nuk është një sipërmarrje dhe aq tipike në Shqipëri të paktën nëse e krahasojmë me dinamikën që ka pasur ajo e qendrave tregtare që ka pësuar rritje vit pas viti duke e çuar hapësirën e ndërtimit në nivele rekord.

Nga një përllogaritje që ka kryer “Monitor” vetëm për zonën e kryeqytetit, me 862 mijë banorë, ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, më e lartë se në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse sot biznesi po zhvendos dhe rikoncepton projektet potenciale të rëndësishme. Por a ka realisht kërkesë për të justifikuar parqet industriale.

“Kemi konstatuar se ka nevojë për hapësira të shtuara me orientim industrial. Ende pa përfunduar këtë projekt, sot kemi disa kërkesa nga biznese të rëndësishme që kërkojnë të zhvendosen. Kemi kërkesa nga sektorë te ndryshëm përpunim druri,paketim industrial,magazinim në formë elektronike dhe arshivës. Kompania iu krijon bizneseve mundësinë e lehtësimeve fiskale (datacenter) dhe logjistike gjithashtu në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë mundësi kreditim 70-80% të vlerës së financimit pa kolateral” shprehet Hykaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button