Home / Kosova / Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit e fillon në Prishtinë turneun në Ballkan

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit e fillon në Prishtinë turneun në Ballkan

Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euro-Azisë, Wess Mitchell, do të nisë nesër në Prishtinë një turne në Ballkan, i cili do të përfundojë me vizitën në Nikozi të Qipros.

Nesër, në Prishtinë, Mitchell do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, por edhe me përfaqësues të tjerë politikë dhe nga shoqëria civile, gjatë të cilave ai do të ritheksojë lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Takimi Thaçi-Mitchell, sipas Presidencës, do të zhvillohet në mesditë, në Aeroportin e Prishtinës, në sektorin VIP.

“Ai do të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të stabilitetit dhe integrimeve perëndimore”, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Shtetit.

Më 14 mars, në Beograd, Wess Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë, përfshihrë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq, dhe liderë të opozitës.

Departamenti i Shtetit thotë se Mitchell do të ritheksojë marrëdhëniet e fuqishme mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe do t’i kërkojë Qeverisë serbe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e nevojshme për të arritur qëllimet për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe të mbështesë në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.

Leave a Reply

Your email address will not be published.