Home / Politika / Lobimi “rus” i PD-së, dyshime edhe për financimin e protestës kundër reformës në drejtësi

Lobimi “rus” i PD-së, dyshime edhe për financimin e protestës kundër reformës në drejtësi

Prokuroria duhet të nisë një hetim të plotë e të pavarur mbi dyshimet për përfshirjen e Partisë Demokratike në një skemë të dyshimtë financimi, nga kompani lobuese që zotërohen nga shtetas rusë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, informoi të hënën deputetët socialistë mbi zhvillimet e reja rreth asaj, që ai e quajti “‘sallata ruse’ e Lulëzim Bashës e Partisë Demokratike”.

Balla iu referua dy investigimeve të pavarura në media, njëra në 22 nëntor 2017 dhe tjetra nga revista investigative “Mother Jones”, dhe më pas ribotuar nga New York Times, që hedhin dritë pothuajse tërësisht për përfshirjen e PD-së në një skemë jotransparente financimi, ku përfshihen kompani në zotërim të shtetasve rusë, kompani guacka Off Shore dhe mosdeklarimi nga PD sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri dhe ligjit për financimin e partive politike.

Ai citoi konkluzionin e revistës amerikane “Mother Jones”: “Pagesa e Biniatta Trade LP për Muzin ngre një dyshim të dukshëm. Një burim i lidhur me Rusinë siguroi para përmes një kompanie skematike për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për të ushqyer mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike në Shqipëri”.

Balla u shpreh se “ky është një rast tepër i rëndë që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri”. “Uroj që të gjitha këto dyshime të mos jenë të vërteta por i takon organeve të drejtësisë dhe prokurorisë që kësaj çështje t’i shkoj deri në fund dhe ta zbardh për gjithë  opinionin publik”, tha Balla.

Duke bërë një detajim të situatës, Balla u shpreh se, “që pas rezultatit të parë të investigimit i kemi kërkuar Lulzim Bashës dhe PD-së të japin shpjegime menjëherë për këtë çështje ndaj publikut, dhe prokurorisë fillimin e një hetimi të plotë e të pavarur mbi dyshimet për disa vepra penale, por tashmë kanë dalë prova dhe detaje të reja, të rënda dhe tejet shqetësuese”.

Balla kujtoi bojkotin e Kuvendit nga PD në 18 shkurt 2017, me qëllim bllokimin e reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se ka shumë dyshime edhe për mënyrën se si u financua protesta e opozitës kundër reformës në drejtësi dhe përpjekja për ta futur vendin në një spirale dhe krizë të thellë përmes bojkotimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Në pranverën e vitit të kaluar, PD lidhi dy kontrata me lobistin amerikan Nick Muzin, në Washington, për të siguruar takime të nivelit të lartë me administratën e presidentit Trump. Pagesat u bënë përmes dy konratave të lidhura në fund të marsit nga vetë PD dhe një kompani guackë e re gjistruar në Skoci e quajtur “Biniatta Trade LP”, të cilat në total arrijnë shifrat 675 mijë dollarë”, tha Balla.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me Muzin është raportuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP”, sipas Ballës, është mbajtur e fshehur dhe është raportuar në 14 nëntor 2017, pothuajse në ditën e  fundit të detyrimit ligjor për ta deklaruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.