Politika

Rama: Aftësim për tregun e punës, jo propagandë dhe lëmoshë

“Misioni ynë është punësimi i kujtdo që është i aftë për punë”, deklaroi të hënën Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “zyrat e punës janë në shërbim të personave të dalë nga skema e ndihmës ekonomike”.

I pranishëm në një aktivitet për riaktivizimin në tregun e punës të ish- përfituesve të ndihmës ekonomike, Rama u shpreh se “varfëria nuk luftohet me propagandë dhe as me lëmosha”.

Kreu i Qeverisë siguroi se “ky do të jetë mandati i ri i punësimit dhe ndryshimit rrënjësor të raportit me punën dhe integrimit në punë përmes aftësimit”.

“Edhe pse kjo që po bëjmë është ende shumë pak në raport me atë që ka nevojë vendi dhe atë që meritojnë ata që janë në punë, rroga, siguri dhe kushte pune më të mira, kjo jep parashikueshmëri më të qëndrueshme në vijim dhe garanci për sigurimet dhe pensionin e tyre”, tha Rama.

Varfëria, vijoi kryeministri, nuk luftohet me propagandë dhe lëmosha, duke zgjidhur sot për sot diçka të vogël dhe duke mbyllur sytë ndaj të nesërmes.

“Varfëria u ul këmbëkryq për vite të tëra dhe u kthye në një status për shumë njerëz, për të cilët nuk u mendua kurrë se si do të aftësohen dhe tërhiqen në tregun e punës. Ndihma ekonomike duhet të jetë vetëm një moment solidariteti, që duhet të jetë sa më i shkurtër, përmes së cilës një shtet i vërtetë dhe qeveri e përgjegjshme duhet të bëhet gati për të kaluar në një fazë tjetër përmes punës”, shtoi Rama.

Kryeministri kujtoi se për mbi 20 vite njerëzit ishin lënë në gjendjen e paralizës me një ndihmë ekonomike të pjesshme, që ka arritur të jetë edhe 6 mijë lekë të vjetra, që e shërndanin ata që sot dalin në televizor me të varfërit e lënë pas dore.

“Lënia në mëshirën e lëmoshës të mpin, të paralizon dhe përjashton nga rrethi i mundësive që ka vendi. Sot, kush del nga ndihma ekonomike dhe është i aftë për punë, del nga një situatë ku merrte 35 mijë lekë të vjetra dhe ka në dorë nga shteti 55 mijë lekë që të shkoj dhe të bëj kurs profesional në Qendrat e Formimit Profesional”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje të gjithë personave të interesuar që në vend që të dalin në televizor duke u qarë në supet e atyre që nuk ja ka zgjidhur kurrë hallin, dhe hallin e tyre do ta përdorin për propagandë, të drejtohen në Zyrat e Punës ose Qendrat e Formimit Profesional dhe të marrin çdo muaj 55 mijë lekë për t’u trajnuar dhe aftësuar për punë.

Kryeministri theksoi se ndërmarrja ku po zhvillohet aktiviteti ka të punësuar 250 punonjës dhe pritet të shkojë në 300 punonjës deri në fund të vitit. “Nuk mund t’i punësojnë menjëherë edhe 50 punonjës, sepse njerëzit duhen aftësuar dhe trajnuar”, tha Rama, duke theksuar rëndësinë e procesit të trajnimit të harmonizuar me ndërmarrjet.

“Jemi të vetëdijshëm që zyrat tona të Punës duhet të bëjnë shumë më tepër. Çdo zyrë duhet të jetë një zyrë jo që pret dhe përcjell, por mbështet me të gjithë forcën e solidaritetit njerëzit që janë në kërkim dhe nevojë të një pune”, tha Rama.

Po ashtu, ai kërkoi që të ketë një harmoni të plotë me Zyrat e Shërbimit Social Shtetëror për të nxjerrë çdo muaj sa më shumë persona nga qerthulli vicioz i varfërisë dhe ndihmës ekonomike si lëmoshë e përjetshme dhe të përfshihen në tregun e punës.

“Sigurisht se ka rroga të pamjaftueshme, por jetojmë në një vend ku deri dje ishim pa asnjë rrugëdalje. Sot e kemi, por na duhet punë dhe këmbëngulje, sepse ajo që u rrënua në sistem për çerek shekulli”, tha Rama.

Në mbi 20 vite, sipas tij, nuk u mendua kurrë për arsimin profesional, zanatet dhe një të ardhme të qëndrueshme të punësimit.

Vendet më të pasura të Europës dhe botës, vijoi kryeministri, nuk i degdisin të gjithë fëmijët drejt universiteteve, por u japin një zanat që jo vetëm të bëjë një punë, por edhe të bëjnë biznes.

“Zyrat e punësimit duhet të shkojnë të trokasin në çdo ndërmarrje, të kenë të qartë çdo pasqyrë nevojash dhe t’i shkojnë prapa çdo njeriu që është i gatshëm të punojë. Kjo është një reformë përmbajtësore, pasi nuk mund të jetë kurrë lëmosha, alternativë e punës dhe statusi i varfërisë ‘mish për top’ për politikën e ditës”, tha në përfundim Rama.

Zyrat e Punës në shërbim të familjeve të dala nga skema e ndihmës ekonomike 

“Gjatë katër viteve të fundit janë krijuar rreth 39% e totalit të vendeve të punës, të hapura në 27 vite”, bëri të ditur sot ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë një takimi të zhvilluar, në një nga sipërmarrjet e suksesshme në vend e cila punëson rreth 250 qytetarë.

Ahmetaj tha se për të bërë të mundur punësimin e qytetarëve, zyrat e punës kanë rritur bashkëpunimin me sipërmarrjen.

Ato, u shpreh më tej ministri, po kthehen edhe në shërbim të personave të dalë nga skema e ndihmës ekonomike

“Jemi ende larg asaj që duam me ndërmjetësimin dhe përputhjen e nevojave dhe aftësive, që ofron tregu në të dy krahët e vet, por fokusi ynë është që në 2018 të kthejmë Shërbimin kombëtar të Punës në një mision që jep jetë dhe dritë një familjeje duke i ofruar një punë”, tha ai.

Në shërbim të rritjes së punësimit, ministri renditi dy elementë, që janë strategjia e re për punësim dhe trajtimi i personave që mbështeten me ndihmë ekonomike, duke i bërë ata të aftë për të gjetur një vend pune .

Ahmetaj komentoi edhe vizitat e kreut të PD-së në disa prej familjeve që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

“Nga varfëria nuk dilet duke shkuar te një familje që është apo sa ka dalë nga skema e ndihmës ekonomike, por dilet duke adresuar fenomenet e varfërisë”, vuri në dukje Ahmetaj.

Sipas tij, për të gjitha ato familje që janë apo kanë dalë nga kjo skemë për shkak të reformës të reduktimit të varfërisë, po synohet aftësimi i tyre me qëllim bërjen e tyre të punësueshëm.

“Nuk synohet që personat që trajtohen me ndihmë ekonomike të qëndrojnë gjatë në këtë skemë. Ndihma ekonomike është thjesht një instrument mbështetjeje provizore. Së bashku me aftësimin për punësim ato do të shërbejnë për nxjerrjen e familjeve nga varfëria”, deklaroi ministri.

Sipas Ahmetajt, pavarësisht se ne po japim dyfishin e vlerës së ndihmës ekonomike për qytetarin krahasuar me vite më parë, sërish nuk mburremi dot.

“Ne duhet modestisht të fokusohemi të nxjerrja e familjeve nga varfëria. Dhe po fokusohemi te sektorët që mund të promovojnë punësim duke u hequr lakun e burokracive”, deklaroi ministri.
Ministri foli edhe për aftësimin profesional të personave që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Sipas tij, sot kemi një instrument të ri, të iniciuar nga Kryeministri, që ka të bëjë me trajnimin e anëtarëve të familjes që trajtohet me ndihmë ekonomike duke i ofruar atij gjysmën e vlerës së ndihmës ekonomike.

“Ne i ofrojmë anëtarit të familjes që mbështetet me ndihmë ekonomike 5 500 lekë mbështetje nga 11 mijë që merr, nëse i nënshtrohet aftësimit profesional në shkollat profesionale falas, për t’u bërë i punësueshëm”, deklaroi ministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button