Kosova

Çfarë u shkruante Zoran Gjindjiq Bushit, Blairit dhe Putinit për Kosovën

Në 15-vjetorin e vrasjes së Zoran Gjingjiqit mediat serbe përkujtojnë qëndrimet e kryeministrit të atëhershëm, por edhe çfarë veprimesh ndërmerrnin edhe liderët tjerë serbë për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, e në dritën edhe të lajmit të së dielës se gjoja SHBA-të kanë përgatitur një “paketë në katër pika”, të cilën do t’ia prezantojnë presidentit aktual serb Aleksandar Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

“Paqeta e Uashingtonit” është “vetëm hapi i fundit në vargun e hapave për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, megjithëse të gjithë hapat nga ana e Serbisë mbetën pa kurrfarë epilogu, shkruan b92.net, duke përkujtuar veprimet e ish-presidentëve serbë në dy dekadat e fundit:

“Dobrica Qosiq apelonte për përkufizim të përjetshëm, Boris Tadiq nxori një plan prej katër pikave, Tomisllav Nikoliq shpesh paralajmëronte ‘platformë për KeM (Kosovën e Metohinë, v.j.)’, ndërsa si modele për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar propozoheshin modeli i Qipros dhe ai i dy Gjermanive”.

Një riaktualizim më të madh të “çështjes së Kosovës” brenda Serbisë shkaktoi “dialogu i brendshëm” të cilin e inicoi Vuçiqi, duke paralajmëruar se propozimin e tij në këtë drejtim do ta paraqesë gjatë kësaj pranvere.

Por, çka propozonte Zoran Gjingjiq, i cili në një atentat të organizuar nga policia speciale serbe u vra 15 vjet më parë në ditë të djeshme, më 12 mars 2003. Gjingjiq, përkujton mediumi serb, propozonte zgjidhje të ndryshme – nga federalizimi deri te ndarja e Kosovës, sepse, siç thoshte, nevojiten biseda dhe kompromise.

“Kjo që tani e keni është më e keqja – vdekje e bardhë, jeni në borë, mendoni se jeni për bukuri, kurse gradualisht vdisni. Duhet të zgjoheni dhe në atë çast të thoni se jeni në rrezik. Kosova është rrezik për shtetësinë serbe, plagë përmes së cilës do të na derdhet pika e fundit e gjakut. Na duhet që ta mbyllim në ndonjëfarë mënyre. Maksimalisht të volitshme për vete, por me kompromis me palën tjetër, me shqiptarët që në Kosovë jetojnë”, ka thënë Gjingjiq në intervistën e tij fundit, të publikuar më 21 shkurt 2003, më pak se 3 javë para se të vritej.

Në të njëjtën kohë, në fillim të 2003-tës, Gjingjiq kritikoi ashpër bashkësinë ndërkombëtare, duke thënë se është “çasti i fundit për bisedime për Kosovën” dhe se “bashkësia ndërkombëtare një gjë flet, ndryshe vepron”.

Më 1 shkurt kryeministri i atëhershëm serb ka kërkuar nga komandanti i NATO-s për Evropë Gregory Johnson ka kërkuar që të sigurojë kushte për kthimin e 1.000 pjesëtarëve të forcave jugosllave në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 1244. Më 5 shkurt pat deklaruar se negociatat për Kosovën duhet të nisin në qershor të vitit të njëjtë.

Në të njëjtën periudhë kohore, siç transmeton Expressi, u ka dërguar edhe letra liderëve të Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë – Tony Blair, George Bush dhe Vladimir Putin – në të cilat kërkon prej tyre bisedime urgjente për Kosovën. Aty ai alarmon se “Kosova rrëshqet drejt pavarësisë” dhe i paraqet propozimet e veta për zgjidhjet e mundshme.

Në letrën drejtuar Putinit Gjingjiq shkruan se bashkësia ndërkombëtare lidhur me zgjidhjen e problemit të Kosovës rrezikon të bëjë “ gabim shumë të madh” dhe se është duke u zhvilluar “organizim ‘spontan’ i Kosovës drejt pavarësisë”.

“Propozimi ynë është që pa humbur kohë t’i qasemi kërkimit të kompromisit që do të ishte i pranueshëm për të dy palët, serbe dhe shqiptare. Zgjidhja e tillë është e mundur, sepse ne në Serbi nuk e kemi ndër mend që t’i bindim shqiptarët e Kosovës që të jetojnë bashkë me ne. Duam ta ruajmë interesin shtetëror të Serbisë, t’i mbrojmë të drejtat e komunitetit serb në Kosovë dhe të sigurojmë ruajtjen e përmendoreve, religjionit dhe kulturës sonë”, i shkruan mes tjerash Putinit.

Ndërkaq, në letrën Blairit, thotë:

“Siç ndoshta e dini, Kosova ngadalë synon pavarësinë. Asnjë koncept serioz alternativ nuk është diskutuar në bashkësinë ndërkombëtare (…) Një supozim i përgjithshëm, megjithëse implicit, është se pas disa viteve institucionet kosovare do t’i marrin funksionet më të rëndësishme, përfshirë të drejtat e minoriteteve etnike. Kjo do të quhet Kosovë multietnike edhe pse numri i joshqiptarëve do të jetë i papërfillshëm, nëse fare do të ketë të tillë. Ata të cilët janë dëbuar nga shtëpitë e veta do të mbeten përgjithmonë të pastrehë”, i shkruan Gjingjiqi kryeministrit britanik.

Siç transmeton Gazeta Express, opsionet që i ofron Gjingjiqi janë tre: federalizim, ku serbët dhe shqiptarët do të kishin status si myslimanët dhe kroatët në Bosnjë, por me atë që e konstituuar kështu Kosova do të kishte status asimetrik ndaj Serbisë – më shumë se autonomi dhe më pak se njësi federale; i dyti, sipas modelit të Qipros, me demarkacion territorial, por pa ndryshim të kufijve, ku serbët do ta organizonin jetën e tyre politike kryesisht në veri; opsioni i tretë të cilin ia paraqet Blairit, në rast se dy të parët nuk realizohen, do të ishte ndryshimi i kufijve me marrëveshje, me atë që komuniteti serb do të fitonte pjesën e vet të territorit.

Në të njëjtën kohë Gjingjiq i shkruan një letër të ngjashme edhe presidentit amerikan George Bush, ku thotë se Rezoluta 1244 “flet në favor të autonomisë esenciale”.

“Ajo që de fakto ndodh është proces i dhënies së atributeve të sovranitetit strukturave të Kosovës si një shteti potencialisht të pavarur. Fare s’bëhet fjalë për kompromis me Serbinë, Jugosllavinë. Me siguri i vetmi ‘kompromis’ është që të shtohet trysnia mbi Serbinë dhe Beogradin”, shkruan Gjingjiq, duke tërhequr vërejtjen se “zgjidhja e cila momentalisht implementohet po e shtyn zgjidhjen e problemit, duke rrezikuar shpërthimin e tij në të ardhmen”, transmeton Expressi.

Gjingjiq u vra më 12 mars 2003 nga pjesëtarë të policisë sekrete serbe BIA përpara ndërtesës së Qeverisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button