Rajoni

Zyrtari amerikan Mitchell viziton sot Beogradin

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ndodhet sot në kryeqytetin e Serbisë, ku mbërriti pas ndalesës në Prishtinë një ditë më parë.
Ai do të takohet në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç; kryeministren Ana Brnabiç; ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç; si dhe udhëheqësit e opozitës.

Në Prishtinë, Mitchell u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, e përveç konfirmimit të mbështetjes amerikane për kosovën, ai vuri theksin edhe te ndikimi në rritje i Rusisë në Ballkan, që sipas Mitchell nuk është në favor të askujt.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara i mbështesin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt strukturave europiane. “Lehtësimi i raporteve është shumë i rëndësishëm dhe Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve”, u shpreh ai.

Sipas një komunikate të Departamentit amerikan të Shtetit, Mitchell ka zgjedhur të ndalojë në Kosovë e Serbi, për të inkurajuar këto dy vende që të arrijnë përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndikojë në forcimin e sundimit të ligjit, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të kapërcejë sfidat rajonale, në interes të qëndrueshmërisë dhe të integrimit në Perëndim.

Turneu i Wess Mitchell në Ballkan do të zgjasë deri më 17 mars, e pas Prishtinës, Shkupit e Beogradit, ai do të ndalojë edhe në Athinë dhe kryeqytetin qipriot, Nikozi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button