Home / Kryeartikull / “Gërdeci” është mbyllur, fajtorë janë… viktimat

“Gërdeci” është mbyllur, fajtorë janë… viktimat

Ben Andoni

Dhjetë vjet më vonë gjërat janë fashitur. Ai që denoncoi u gjet i vdekur nga një aksident, që ekspertiza e nxori për fajin e tij! Presidenti i asaj kohe Bamir Topi raportoi se nuk dinte asgjë për fabrikën e demontimit edhe pse ishte Kreu i Ushtrisë, kurse zyrtarët shqiptarë të Ekzekutivit filluan pingpongun e përgjegjësive. Ndërkohë që ndodhte kjo: fshati Gërdec fare afër Tiranës ishte sheshuar, kurse 26 persona kishin vdekur. Shpërthimi që ndodhi në atë “fabrikë” fantazmë të demontimit, që kinse e dinin pak veta, do rëndonte shumë mbi të gjitha në aspektin psikologjik dhe moral të njerëzve.

Qeveria shqiptare, që asokohe lante duart, e kishte justifikuar këtë proces me stokun e madh të 100.000 ton municioneve me origjinë gati gjysmë shekullore.

Gjithçka u duk se lidhej me shpirtin aventurier të dy djemve amerikanë Efraim Diveroli dhe David Packouz, të cilët menduan që këtë handikap të shqiptarëve ta shndërronin në një proces fitimi. Trafikantët që sapo kishin lënë adoleshencën, arritën që kompania e tyre AEY të siguronte  një kontratë qindramilionëshe nga ushtria amerikane për të furnizuar ushtrinë afgane të Karzait me fishekë!

Tashmë janë bërë të njohura të gjitha gjërat në këtë proces të dyshimtë fitimi, por rruga e municionit shkonte prej kompanisë eksportuese shqiptare MEICO të Ministrisë drejt një kompanie që ishte ideuar nga sekseri zviceran Thomet, me pseudonimin “Evdin” me bazë në Qipro. “Evdin” i përcillte fishekët tek AEY dhe merrte pjesën e komisionimit, kurse AEY dhe qeveria e SHBA-ve shmangnin problemet, që dilnin rrugës. Paketimi i municioneve dhe manovrimet e komisionerit rrëfyen hilenë e palëve të përfshira, përveç kushteve të tmerrshme sesi bëhej paketimi. Nga këtu u fut në lojë biznesmeni Kosta Trebicka, si prodhues i kartonëve. Kontrata e Trebickës me të panjohurit VIP, vazhdoi me qetësimin që i dha Ambasada amerikane në Tiranë, ndërkohë që vetë trafikantët filluan problemet me njëri-tjetrin. Më shumë akoma, kur biznesmeni shqiptar Trebicka filloi të interesohej më shumë sesa duhej dhe të bëhej publik, u nxor edhe ai vetë nga loja. Ky i fundit shkoi drejt SHBA-së për t’u interesuar me prokurorët federalë, por edhe ai ishte futur në një qerthull ku nuk do dilte dot më. U gjend i vrarë në atë që u quajt si aksident.

Është e tepërt të flasim për atë që ndodhi me palën amerikane, por Ambasada u përmend dhe ishte e përfshirë jo pak nga ato që do të dilnin më vonë. Ambasadori Ëithers në Tiranë ishte vetë i përfshirë në disa plane, që do sqaronte vetë media e vendit të tij, kurse kabllogramet do të nxirrnin shumë nga ky skandal.

Epilogu i Gërdecit është edhe më “i çuditshëm”, shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare kërkoi strehim politik në SHBA dhe kjo kërkesë iu njoh, megjithëse ishte ende në proces gjykimi në Shqipëri (atij iu dha mundësia të largohej).  Kryeministri Berisha e fitoi dhe një mandat, ndërsa fshati që u shkretua iu ndërtuan shtëpitë dhe një vit më vonë do të votonin sërish për PD-në! Viktimat lanë trishtimin dhe motivin për protesta një herë në vit të njerëzve më të afërt.

“Gërdeci” mbolli dhe viktima të tjera pas shpërthimit. U premtua se fajtorët e vërtetë do dilnin, por përveç njerëzve të lidhur me MEICO dhe nuklën e demontimit, askush nuk u fut në burg nga njerëzit VIP. Politikanët e asaj kohe, të etiketuar direkt si përgjegjës, u ricikluan. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, që dha dorëheqje, u ngjit sërish si Ministër Mjedisi. Aldo Bumçi, Ministri i Drejtësisë, që dërgonte materialet zyrtare me kokën e protokollit për dijeni…(djalit të kryeministrit) vazhdoi karrierën.

Pesë vjet më parë Partia Socialiste, sapo erdhi në fuqi, premtoi se do të ndihmonte që të përcilleshin faktorët e vërtetë pas hekurave. Por jemi dhjetë vjet më pas dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Përveç fjalëve dhe akuzave.

Banorët e dëmtuar tashmë kanë bërë një memorial për të ndjerët e tyre dhe shkojnë e nderojnë ata që nuk i dëgjojnë. Ata që dëgjojnë dhe janë përgjegjës s’janë në burg. Në fakt, fajtorët e vërtetë nuk do kapen dot kurrë, sepse ata janë vetë…viktimat!

Leave a Reply

%d bloggers like this: