Home / Politika / Rama: Programe për emigrantët e kthyer. Shqipëria më pak emigrantë se Kroacia

Rama: Programe për emigrantët e kthyer. Shqipëria më pak emigrantë se Kroacia

“Bazuar në të dhënat e INSTAT-it të rakorduara me ato të EUROSTAT, numri i emigrantëve ka rënë, për çudinë e atyre që jetojnë në këtë bombardim të madh”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama gjatë konferencës që u mbajt sot në Tiranë, mbi sfidat e migracionit.

Rama tha se nga cencusi i fundit është lehtësisht e lexueshme që në 2017 në krahasim me 2013,  kemi 20% më pak emigracion, ose 9500 persona më pak, ndërsa në krahasim me 2011 ka rënie me 30% ose 15 mijë persona.

Përveç masave që u ndërmorën në bashkëpunim me partnerët në vitin 2016-2017 për frenimin e azilkërkuesve, Rama tha se qeveria po ndërmerr edhe një tjetër reformë për të motivuar të rinjtë të qëndronin në Shqipëri, e që lidhet me strehimin. Nga kjo reformë, informoi Rama, do të jenë përfituese çiftet e reja, të cilave do tu ofrohen kushte  lehtësuese për të siguruar strehimin, si një ndër faktorët që çojnë në emigrim.

“Jemi duke punuar për një program të ri strehimi në funksion të çifteve të reja. Besojmë se ka një mundësi të madhe se duke ju krijuar të rinjve një mundësi reale strehimi, ne ta bëjmë qëndrimin e tyre në vend shumë më të mundshëm dhe tundimin për t’u larguar se nuk kanë dot një shtëpi të tyre, shumë më të ulët. Është një masë kombëtare që vende të tjera e kanë bërë përpara nesh me sukses. Me të pasur një draft të parë të këtij programi, do të konsultohemi me disa prej partnerëve tanë kryesorë”, tha Rama.

Kryeministri u kthye pas në kohë duke kujtuar se në vitet ’90, Shqipëria përjetoi një lëvizje masive drejt vendeve më të zhvilluara që llogaritet në mbi 1 milionë njerëz. Arsyeja kryesore, nënvizoi ai është domosdoshmëria për një jetë më të mirë në çdo aspekt.

“Emigrimi për një jetë më të mirë mbetet edhe sot ndër arsyet kryesore edhe pse struktura nuk është më e njëjta. Nëse do t’u vinim një emërtim të përbashkët, të gjithë lëvizjeve individuale për të emigruar jashtë vendit, ky emërtim është mundësi punësimi. Janë 84% e emigrantëve të cilët e lidhin me mundësinë për punësim lëvizjen e tyre drejt vendeve të tjera”, deklaroi kreu i qeverisë.

Këtu kryeministri solli në vëmendje rastin e largimit të mjekëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë e Italisë. Sipas tij, kjo erdhi për shkak të mundësive që iu ofroheshin atyre në këto vende, por edhe për shkak të një politike të gabuar që u ndoq në vitet e mëparshme, kur për katër viteve me radhë u mbyllën specializimet duke krijuar një boshllëk të madh, i cili transmetoi pamundësinë reale për të plotësuar me mjekë të specializuar nevojat e të gjithë infrastrukturës sonë të shërbimit kombëtar shëndetësor.

Rama tha se ne adresuam këtë problem duke i dhënë mundësinë çdo mjeku të specializuar që pranon të punojë jashtë Tiranës, të marrë një bonus prej rreth 2 milionë lekësh, çka e bën motivimin financiar të barabartë me atë që merr një mjek, kur ka fat dhe menjëherë futet në sistem, duke zbritur edhe detyrimet nga taksat që janë më të larta se këtu.

Programe mbështetëse për integrimin e emigrantëve të kthyer

Kryeministri Edi Rama në konferencën për sfidat e migracionit vuri theksin në hartimin e programeve për riintegrimin e emigrantëve të kthyer në Shqipëri.

“Kemi një rikthim të emigrantëve siç kemi edhe një largim të shqiptarëve dhe faktikisht nëse do të shohim të gjithë trendin e largimeve dhe rikthimeve në vitet 2010-2017, diferenca mes largimeve dhe rikthimeve shkon duke u ngushtuar. Ne duhet të jemi në gjendje t’i japim përgjigje adekuate në funksion të riintegrimit të atyre që kthehen”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri u ndal edhe te kontributi i të ardhurave që sjellin emigrantët në ekonomi. Sipas tij, nëse në vitet 90 , të ardhurat nga emigracioni ishin burimi kryesor i rritjes ekonomike, një gjë e tillë nuk mund të thuhet sot.

“Në 5 vitet e fundit janë 618 milion euro para të injektuara nga emigracioni. Kjo shifër është e pamjaftueshme të konsiderohet burim i qëndrueshëm i rritjes ekonomike. Ne po tentojmë të ngremë programe, të cilat u krijojnë emigrantëve të kthyer mundësi për investime dhe punësim”, tha ai.

3 mijë shqiptarë të punësuar në 2017-ën në Gjermani përmes kualifikimeve

Duke folur për çështjen e azilkërkimit, Kryeministri Rama tha se shqiptarët u përfshinë, për pamundësi lëvizje normale në tregun e lirë të punës, në valën e azilkërkuesve nga Lindja e Mesme për shkak të konflikteve, ndaj dhe u bë shumë zhurmë e spekulime.

Sidoqoftë, tha ai, pa dashur në asnjë rast që ne të justifikojmë këtë fenomen, dhe duke qenë të vetdijshëm se ky fenomen duhej dhe duhet frenuar, jemi në kushtet kur kemi një rënie të numrit të azilkërkuesve. Kjo ka ardhur, tha ai, edhe nga masat e ndërmarra nga qeveria.
Edhe në raportin e fundit për azilkërkuesit, të publikuar në datën 1 mars të këtij viti, evidentohet se Shqipëria nuk është më në 6 vendet me kërkesat më të larta për azil.
Sipas tij, masat e qeverisë, të kombinuara me krijimin e mundësive legale për punë kanë sjellë një situatë të lehtësuar për azilkërkimin. “Në vitin 2017, janë 3 mijë shqiptarë që janë punësuar në Gjermani me kualifikime të ndryshime.
“Kjo është rruga dhe ne do të punojmë ngushtësisht me Gjermaninë dhe vende të tjera për të stimuluar këtë rrugë që është paradhoma e mundësive që Shqipëria do të ketë pas anëtarësimit në kuadrin e lëvizjes së lirë në tregun e punës.

Emigrimi, fenomen historik ku kanë kaluar të gjitha vendet

Kryeministri Edi Rama deklaroi se emigrimi është një fenomen historik, përmes të cilit kanë kaluar të gjitha vendet që sot janë të zhvilluara dhe se një ndër arsyet kryesore të largimit të shqiptarëve është mundësia për punësim që ofrojnë vendet e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, nënvizoi ai, që ky është në fenomen historik mbi të cilin ka shumë e shumë për të analizuar studiuar e reflektuar.

“Emigrimi nuk përbën asgjë të veçantë për Shqipërinë, por është një fazë historike që ka përcaktuar lëvizja e lirë si risi dhe si domosdoshmëri e munguar për shumë e shumë vite për shqiptarët”, u shpreh kreu i qeverisë.

Diskutimi i sotëm, tha ai, bazohet mbi shifra dhe studime të vërteta që mundësojnë një diskutim që synon të jetë i ftohtë dhe analitik, larg politizimit apo shpërdorimit për efekte të caktuara.

“Për më tepër, ky debat në Shqipëri, zhvillohet në kushtet kur vendi ynë dhe disa vende të tjera në rajon nuk janë pjesë e tregut të forcave të lira të punës, siç janë vendet e tjera të Bashkimit Europian. Dhe në këtë kontekst duket sikur janë vetëm shqiptarët apo banorët e tjerë të rajonit që largohen dhe lëvizin në drejtim të vendeve më të zhvilluara. Por kjo është larg së qeni e vërtet. Nëse i referohemi shifrave edhe lëvizjeve nga vendet e BE, si Polonia, e deri te Kroacia, në këto vende shifrat mbeten të larta”, theksoi kryeministri.

Sot, tha ai shqiptarët nuk kanë arsye politike për t’u larguar nga vendi, por kanë të njëjtat arsye për të cilat largohen nga vendi i tyre polakët, rumunët, apo kroatët.

Nga Kroacia, që është vend anëtar i BE-së, bëri të ditur ai, janë larguar plot 50 mijë njerëz në 2017, 90% e të cilëve të reja e të rinj. Por, theksoi kryeministri, ndryshe nga shqiptarët, apo qytetarë të tjerë të rajonit që janë ende të pa integruar në BE, ata nuk shënohen si azil kërkues, sepse janë forca të lira pune që lëvizin për mundësi më të mira dhe një shans integrimi.

“Nëse nga Kroacia, vend anëtar i BE-së janë larguar 50 mijë qytetarë në 2017, nga Shqipëria u larguan 39 905, ndërkohë janë kthyer 25 mijë. Pra siç ndodh rëndom me debate të super intensifikuara me emocione apo nevojë politike e mediatike të ditës, kur shkojmë tek shifrat pasqyra është shumë më e ndryshme nga çfarë thuhet e kuptohet prej rrjedhës intensive të propagandës. Në Italinë e Jugut, fenomeni i largimeve është kronik, i cili as nuk është frenuar e as nuk është shmangur dot dhe bëhet fjalë për një vend anëtare e G7, një ndër 7 vendet e industrializuara të botës, një destinacion gjithashtu për shqiptarët”, u shpreh Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: