Home / Ekonomia / Borxhet ndaj OSHEE rekord historik 543 mln euro. Rriten detyrimet e shtetit, ulen të familjarëve

Borxhet ndaj OSHEE rekord historik 543 mln euro. Rriten detyrimet e shtetit, ulen të familjarëve

Institucionet që menaxhohen nga  shteti, administrata publike dhe ndërmarrjet shtetërore janë duke përkeqësuar përformancën financiare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE e cila filloi të përmirësohet pas vitit 2014 me rritjen e arkëtimeve nga konsumatorët familjarë.

Sipas të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë borxhet ndaj OSHEE në vitin 2017 arritën vlerën më të lartë historike në 72.8 miliardë lekë  (543 milionë euro) me një rritje 3 për qind nga viti i kaluar. Vlera më e lartë e detyrimeve u shënua në vitin 2014 me 71.4 mld leke.

Ndikimin më të madh në rritjen e borxheve ndaj OSHEE  e dhanë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat rriten detyrimet ndaj OSHEE me rreth 32 për qind me një vlerë 10.6 miliardë lekë ose 79 milionë euro.

Në të kundërt konsumatorët familjarë kanë ulur më tej detyrimet ndaj Operatorit te Shpërndarjes  me rreth 6 milionë euro vitin e kaluar. Detyrimet totale ranë në 50.7 miliardë lekë nga 51.1 miliardë lekë që ishin me 2016.

Teksa borxhi i konsumatorëve familjarë ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi, pas një rritje galoponte që pësuan këto detyrime gjatë periudhës 2009 -2013, kategoritë e tjera të konsumatorëve, ku përfshihen bizneset private dhe shtetërorë kanë rritur më tej ekspozimin ndaj OSHEE-se.

Borxhi i bizneseve ndaj OSHEE u rrit me rreth 3 milionë euro, duke e çuar vlerë totale të detyrimit në 11.4 miliardë lekë nga rreth 1 miliardë lekë që ishin detyrimet deri në fund të vitit 2016.

Në vitin 2014 qeveria vuri në zbatim një plan për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura shtetërore. Nëpërmjet këtij plani u shuan detyrimet që institucionet shtetërore kishin ndaj kompanisë së Shpërndarjes. Por që nga viti 2014 detyrimet që shteti dhe ndërmarrjet e tij kanë ndaj OSHEE-se janë rritur me 117 për qind.

Qeveria dhe ndërmarrjet në pronësinë e saj janë duke cenuar rëndë zbatimin e planit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë, ku ulja e borxheve është në themel të këtij plani.

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: