Home / Bota / Putin rizgjidhet President, pritet vetëm zyrtarizmi

Putin rizgjidhet President, pritet vetëm zyrtarizmi

Vladimir Putin do të udhëheqë Rusinë edhe për gjashtë vite të tjera pasi siguroi një fitore të pritshme në zgjedhjet presidenciale. Me 40 për qind të votave të numëruara, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ai ka marrë 74.2 për qind të votave.
Më herët një Exit Poll shtetëror i dha atij 73.9 për qind të votave. Shkalla e fitores, që gjerësisht ishte parashikuar, u shënjua nga një rritje e mbështetjes krahasuar me vitin 2012, kur ai fitoi 64 për qind të votave. Sipas të njëjtit Exit Poll, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 63. 7 për qind, më e ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Putin dhe ekipi i tij kishin shpresuar për një pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje, për t’i dhënë atij mandatin më të fortë të mundshëm. Sidoqoftë, duke reaguar pas Exit Poll-it, ekipi i tij zgjedhor tha se bëhej fjalë për një fitore të pabesueshme.

“Përqindja jonë flet vetë. Është një mandat që Putin i duhet për vendimet e ardhshme dhe ai ka shumë të tilla për të marrë”, tha një zëdhënës i fushatës për Interfax.

Ndërkohë, regjistrime video nga disa qendra votimi, tregonin parregullsi në një numër qytetesh në rusi. Në disa prej tyre shiheshin zyrtarë të zgjedhjeve që mbushnin kutitë me fletë votimi. Exit Poll-et e publikuara menjëherë pas përfundimit të votimit, tregonin se kundërshtari më i afërt i Putin, Pavel Grudinin, kishte marrë vetëm 11.2 për qind të votave.

Grudinin është një komunist milioner, por në garë u përfshinë edhe një spikere Ksenia Sobchak dhe veterani nacionalist Vladimir Zhirinovski. Lideri kryesor i opozitës, Aleksei Navalni, nuk u lejua të kandidonte për shkak të një dënimi që ai thotë se është arkitektuar nga Kremlini.

Zgjedhjet e të dielës ishin të parat në Krime që kur Rusia e aneksoi rajonin nga Ukraina. Aneksimi u kundërshtua nga Kievi dhe acaroi tensionet mes Rusisë dhe perëndimit.Rusët që jetonin në Ukrainë nuk u lejuan të votonin të dielën pasi aksesi në misionet diplomatike ruse në vend u bllokua nga qeveria e Kievit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: