Bota

Shefi i NATO-s paralajmëron për rreziqet nga Rusia

Pas vrasjes së një ish-agjenti në Britani të Madhe, Stoltenberg paralajmëron nga kërcënimet e reja ruse. Në samitin e ardhshëm të NATO-s duhet të jepen përgjigje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka paraqitur një konstatim tepër dramatik për strategjinë e Kremlinit në vitet e kaluara. Kjo strategji shtrihet prej anektimit ilegal të Krimesë, stacionimit të trupave ushtarake në Gjeorgji, sulmet e shumta kibernetike e deri tek helmimi i fundit në Britaninë e Madhe, për të cilin thuhet se e ka kryer Rusia. Sulmi në Salisbury “është kryer sipas një modeli të caktuar”, që është vërejtur prej disa vitesh, thotë Jens Stoltenberg, në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”. Ai paralajmëron: “Rusia po bëhet gjithnjë e më e pallogaritshme dhe më agresive”.

Sulmi atomik?

Shefi i NATO-s shkon edhe një hap më larg: “Ne po shohim kohët e fundit se si Rusia po i fut në doktrinën e saj ushtarake dhe në stërvitjet ushtarake armët atomike”. Kjo shton frikën për sulme me armë bërthamore nga ana e Moskës. “Ne duhet të gjejmë përgjigje ndaj kësaj mundësie”, paralajmëron shefi i NATO-s. Tek e fundit, “ekziston rreziku që qeveria ruse të lëvizë gradualisht nga përdorimi i armëve konvencionale drejt përdorimit të armëve bërthamore”.

Përgatitja serioze

Aleanca perëndimore duhet të përgatitet për mbrojtje dhe duhet t’i përmirësojë aftësitë e veta. Stoltenberg llogarit me vendime të reja të kancelares Merkel dhe kolegëve të saj në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor, në Bruksel. “Ne duhet të jemi të zgjuar”, thotë Stoltenberg. Rusia nuk duhet të bëjë kalkulime të gabuara, “sepse ne jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo moment, nëse cënohet një prej anëtareve të NATO-s”. Aleanca duhet të tregojë qartë aftësitë e veta, me qëllim që të evitojë ndonjë luftë të re.

Stoltenberg hedh poshtë kërkesat për çarmatime bërthamore. “Përderisa në botë ekzistojnë armët bërthamore, edhe NATO duhet të ketë armët e veta”. Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut “posedojnë arsenale sinjifikante të këtyre armëve”. Shefi i NATO-s e mbron në këtë kontekst paralajmërimin e SHBA që të modernizojë bombën atomike B-61. “Duhet të jemi të sigurt se ato janë në funksion.”

Lufta kibernetike

Një temë tjetër e mundshme në takimin e Këshillit NATO-Rusi është lufta e mundshme hibride, një përzierje e mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake. NATO pohon se një strategji të këtillë Moska është duke e zbatuar në lindje të Ukrainës. Sulmet kibernetike dhe fushatat për dezinformim bëjnë pjesë në këtë strategji të luftës kibernetike.

Stoltenberg ka kumtuar para disa ditësh në emër të NATO-s se ai nuk dyshon në pohimet e Britanisë së Madhe se Rusia qëndron pas sulmeve ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe vajzës së tij. Por ai ka paralajmëruar nga konfrontimet me Rusinë si në kohën e Luftës së Ftohtë dhe ka kërkuar që të mos fillojë një fazë e armatimeve të reja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button