Home / Kosova / Kosovë-Shqipëri, me doganë të përbashkët brenda prillit

Kosovë-Shqipëri, me doganë të përbashkët brenda prillit

Pika e përbashkët doganore mes Kosovës dhe Shqipërisë pritet të nisë funksionimin brenda muajit prill të këtij viti.

Kështu deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë për KosovaPress.

“Krijimi kësaj pike të përbashkët doganore do të sheshojë shumë gjëra për të ofruar pastaj edhe praktikat e përbashkëta që të ketë më pak burokraci dhe më tepër shkëmbime“, theksoi Minxhozi.

Duke folur për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, Minxhozi tha se janë në rritje.
“Pavarësisht pengesave burokratike që mund të ndodhin, Kosova ka shifrën më të lartë të eksportit në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, tha ai duke shtuar se Odat tregtare duhet të hartojnë politikat ekonomike.

“Janë realizuar 200 milionë euro shkëmbime tregtare në gjithë fushën e bashkëpunimit, ku Shqipëria ka eksportuar 150 milionë euro në Kosovë, ndërsa Kosova ka eksportuar 50 milionë euro. Natyrisht kjo është një shifër e mirë, por prapë ne jemi të pakënaqur sepse edhe eksportet e Shqipërisë në Kosovë mund të ishin më të mëdha, edhe anasjelltas”, nënvizoi Minxhozi.

Ambasadori Minxhozi bëri të ditur se “Shqipëria si eksportuese në Kosovë zë vendin e 6-të ose të 7-të. Janë vendet të tjera që kanë më tepër eksporte por nga ana tjetër, Kosova e ka destinacionin kryesor Shqipërinë për eksport”.

Minxhozi shtoi se ka burokraci, por mendon që të gjendet një zgjidhje.

Sipas tij, Odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të ulen bashkë për të hartuar politikat zhvillimore për t’ia bërë ato prezente edhe qeverive përkatëse dhe të bëjnë ndryshimet legjislative.

Minxhozi theksoi se edhe marrëveshjet e arritura mes dy qeverive janë në rrugë të mbarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.