Politika

Rama në Bruksel: Kërkojmë negociatat, reformat i kryem

“Shqipëria nuk po kërkon ndonjë dhuratë dhe asnjë favor që nuk e meriton. Po kërkojmë thjesht çeljen e negociatave sepse e meritojmë”, deklaroi dje në Bruksel kryeministri Edi Rama.

Gjatë dëgjesës me grupin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”, Rama vuri në dukje se “kemi bërë një nga një çdo gjë që është e shkruar në fletoren e detyrave tona të Shqipërisë dhe e kemi bërë sipas rregullave aty”.

Duke vënë në dukje se nuk e kemi bërë sepse Brukseli na e kërkon që ta bëjmë këtë gjë, kryeministri tha se “sot ne e bëjmë sepse është e mirë për vendin tonë dhe për brezat e ardhshëm.

Por e bëjmë në të njëjtën kohë, vijoi Rama, sepse duam që të marrim nga Brukseli, pranimin dhe dritën e gjelbër nga vendet anëtare për të nisur bisedimet për anëtarësim e kjo është arsyeja pse gjendemi këtu.

Kreu i Ekzekutivit tha se “së bashku me miqtë e Shqipërisë mund t’i bëjmë gjërat të ndodhin dhe të sigurohemi që ata që janë më skeptikë,  të kuptojnë që çelja e negociatave me Shqipërinë nuk është krijimi i një problemi të ri potencial, por është thjesht çelja e një procesi që do ta bëjë Europën më të fortë pasi Ballkani ka nevojë dëshpërimisht për Europën, por edhe Europa ka nevojë për Ballkanin strategjikisht”.

Që prej 2014, tha Rama, kemi një ndryshim mjaft thelbësor e të rëndësishëm, që është vullneti i përbashkët për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë, për të bashkëpunuar e për ta sjellë të gjithë rajonin në një nivel tjetër, në kuptimin reciprok e të respektit të ndërsjellët. “Njëkohësisht, ashtu siç e tha mjaft mirë Presidenti, është një rajon ku jo për arsye që nuk janë thënë e për arsye që janë të thella, ne kemi kaluar konflikte e kemi kaluar luftëra dhe një rajon”, nënvizoi ai.

Sipas tij, “ne dhe askush tjetër në këtë ndërtesë a në këtë qytet, nuk duhet ta harrojë se ajo që është arritur është një arritje mjaft e madhe, por është po me kaq rëndësi që kjo arritje të mbrohet e të përforcohet”.

Rama nënvizoi se Europa është një besim në rajonin tonë, që mbledh e bën bashkë gjithkënd, pavarësisht etnisë dhe besimit të tij fetar.

“Mund të dukemi naivë, në një moment kur Europa vihet në dyshim në shumë vende të mëdha europiane. Mund të shfaqemi të paduruar, por nuk jemi as naivë e as të paduruar, thjesht e dimë çfarë do të thotë lufta, që nuk është rasti për shumë europianë, të cilët nuk kanë parë luftë, e ndonjëherë harrojnë që kjo është kështu për shkak të Bashkimit Europian përmbi të gjitha”, theksoi kryeministri.

Reforma jonë në drejtësi reale

Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe në reformën në drejtësi dhe ndryshimet Kushtetuese për këtë. “Ne ndryshuam Kushtetutën tonë dhe mendojeni, kemi të vetmen Kushtetutë në botë, ku një operacion ndërkombëtar monitorimi është një fuqi kushtetuese që siguron se reforma jonë në drejtësi është reale sikurse procesi i rivlerësimit i çdo gjyqtari e i çdo prokurori është real”, vuri në dukje kryeministri.

Rama solli shembullin e Serbisë dhe Malit të Zi që presupozohet që të nisin me një plan veprimi, i cili do të trajtojë reformën në drejtësi, ç’ka nënkupton, sipas tij, që ata duhet të ndjekin modelin shqiptar dhe ata po negociojnë, ndërkohë që ne nuk e kemi nisur akoma procesin e negocimit.

“Unë e di që në këtë proces ka dy aspekte, është aspekti teknik dhe ai politik. Sidoqoftë mendoj se Shqipëria nuk e meriton që të jetë subjekt i problemeve të brendshme të një vendi apo një tjetri që të kushtëzohet nga dinamikat e brendshme atje dhe besoj fort që forcat populiste apo antieuropiane, nuk do të dobësohen më tej, nëse Shqipëria nuk do të çelë bisedimet”, tha Rama.

Ai tha se “nuk besoj se ky është një pretekst i mirë për të thënë që kemi disa populistë, disa antieuropianë, pra kemi disa njerëz që janë të ç’magjepsur me Europën, ndaj duhet të tregojmë kujdes e kësisoj Shqipëria nuk mund t’i çelë menjëherë bisedimet”

Nuk mendoj, vijoi ai, nëse kjo do të ndihmonte për të luftuar populizmin, ndërsa shtoi se “tashmë me Shqipërinë ka diçka që është vërtet fyese; Krimi etnik shqiptar”.

Por vijoi kryeministri Rama, “ne nuk po vijmë këtu të themi që duam të bëhemi anëtarë sepse e dimë që nuk jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë”.

“Kemi probleme me korrupsionin, kemi probleme me krimin e organizuar, kemi probleme me ndërtimin e institucioneve dhe kjo është arsyeja pse duam të nisim bisedimet e të hymë në një fazë të re, e cila do të japë shumë herë më tepër ndikim edhe vetë Komisionit dhe do të jetë një përgjegjësi shumë herë më e madhe për të gjithë ne”, përfundoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button