Home / Politika / 2018-a, vit i përshpejtimit të Shqipërisë drejt BE-së

2018-a, vit i përshpejtimit të Shqipërisë drejt BE-së

“Viti 2017 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm, por 2018-ta duhet të jetë viti i përshpejtimit të Shqipërisë”, deklaroi të martën, nga Brukseli, Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, në dëgjesë me grupin “Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europian”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.

Shqipëria, tha ai, është pjesë përbërëse e familjes europiane dhe nuk mund ta konceptojmë një Europë pa pjesëmarrjen e Shqipërisë.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Tajani vlerësoi angazhimin e qeverisë për reformën në drejtësi ndërsa shtoi se “shteti i së drejtës duhet të jetë një përparësi”.

“Dua të nënvizoj angazhimin e qeverisë për të gjithë reformën në drejtësi. Është një parim ky mbi të cilin ne ngulim këmbë në mënyrë të vazhdueshme edhe brenda BE-së për të siguruar një bashkëjetesë më të fortë, më demokratike”, tha Tajani.

Ne kemi të njëjtat sfidat përballë vetes, vijoi Presidenti i PE-së. Siguria e Europës, sipas tij, lidhet edhe me sigurinë e Shqipërisë.

“Plani i Veprimit kundër krimit të organizuar që Rama ka nisur, duhet të nënvizohet që është i rëndësishëm. Unë e çmoj në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me Guardia di Financa italiane kundër trafikut të drogës”, tha ai.

Tajani vlerësoi si një mesazh shumë të mirë edhe modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, ku nuk ekziston problemi i përkatësive të besimit fetar, ku të krishterët dhe myslimanët frekuentohen me njëri-tjetrin, xhamia është pranë kishës.

Duhet që Ballkani të jetë një rajon paqeje, tha ai duke nënvizuar se “ne duam të ndalojmë faktin që Ballkani të mos mund të zgjedhë lirisht që të jetë pjesë e BE-së në të ardhmen”.

“Shqipëria për ne ka një rol shumë të rëndësishëm”, vijoi Tajani.

“Duhet të flasim me një zë të vetëm, ne duhet të jemi garant të suksesit të të gjitha takimeve që po mbahen këto ditë. Unë mbështetem shumë tek ju, mbi të gjithë anëtarët e parlamentit, mbi politikanët dhe partitë e ndryshme në Shqipëri, në mënyrë që ky proces, që është një proces stabiliteti, begatie, lufte ndaj papunësisë dhe një projekt sigurie i brendshëm dhe i jashtëm, të mund të arrijë objektivat”, tha ai.

“Ne të gjithë besojmë se Ballkani mund të jetojë një stinë të re lirie dhe paqeje”, theksoi Tajani, duke shprehur mbështetjen e plotë të PE-së për Shqipërinë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: