Politika

Vlahutin: Strategjia e BE-së rikonfirmon mbështetjen për zgjerim

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u mblodh Këshilli Kombëtar i Integrimit, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.

Në fjalën e saj, Vlahutin vuri në dukje se strategjia për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE rikonfirmon fuqimisht mbështetjen e BE për ta bërë së bashku këtë rrugë.

Ndërsa vlerësoi Shtetin e së Drejtës si përparësinë kryesore të vendeve të rajonit, Vlahutin vuri në dukje edhe një sërë përparësish të tjera: “E para, është Shteti i së Drejtës, që është pika kryesore që matet në perspektivë për në BE. Ngritja e grupeve të përbashkëta hetimore mes vendeve të rajonit dhe BE. Për sigurinë dhe emigrimin janë parashikuar nisma specifike, ku kryesore do të jetë shkëmbimi i informacionit. Në fushën socio-ekonomike BE do të fusë një skemë të re që do të nxisë investime private. Do të lehtësohet më tej tregtia mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vendet e BE dhe kjo e bën të rëndësishme ndërlidhjen në fushën e transportit, energjisë dhe fushën dixhitale”.

Duke iu referuar sigurisë dhe emigracionit, Vlahutin i konsideroi këto të fundit, sfida të përbashkëta.

“Sa i përket sigurisë dhe emigracionit, janë parashikuar nisma specifikime për të rritur bashkëpunimin në fushën e ligjzbatimit dhe ndarjen e informacionit në nivel kombëtar dhe rajonal midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Do të bëjmë përpjekje të mëtejshme për të forcuar ekspertizën, dialogun dhe shkëmbimin, kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Nga ana e tij, Ministri për Europën dhe Punët e Jashme, Ditmir Bushati deklaroi se Shqipëria ka bërë progres në dy vitet e fundit, ndaj sipas tij, në muajin prill pritet të jepet rekomandimi për nisjen e procesit.

“Fillimisht presim raportin e Komisionit Europian. Në rast se do t’i përmbahemi konstatimit të vetë strategjisë së zgjerimit në faqen e shtatë, ku i referohet progresit të Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe gadishmërisë së komisionit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, ne mbetimi shpresëplotë që në prill, Komisioni do të rekomandojë nisjen e këtij procesi”.

Për ministrin Bushati, procesi i zgjerimit kërkon edhe vendosjen e gishtit në plagë, duke luftuar fenomenet negative në të gjitha vendet që aspirojnë BE-në. Ai tha se reforma në drejtësi do të vendosë edhe një standard të ri për fqinjët, ndërsa vuri në dukje se është bërë progres edhe në reformën e administratës publike.

“Shqipëria ka kohë që ka një strategji dhe tani jemi në fazën e zbatimit të reformës në drejtësi. Kjo reformë do të vendosë një standard të ri edhe për fqinjët. Kemi bërë një progres të qenësishëm në reformën e administratës publike. Reformat në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut, janë dëshmi e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në këtë proces”, përfundoi Bushati.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button