Home / Politika / Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë, Vladislav Filipov dhe Alexey Nikolaevich Balashov

Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë, Vladislav Filipov dhe Alexey Nikolaevich Balashov

Vendimin e bëri të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin.

“Ambasadorit rus iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, njoftoi dikasteri i kryesuar nga Ditmir Bushati.

Ky veprim i Shqipërisë është në sintoni me atë të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera europiane kanë dëbuar po ashtu përfaqësuesit e Moskës. Më herët gjatë së hënës ishte presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, që bëri të ditur se 14 shtete të BE-së kishin vendosur të dëbonin diplomatët rusë, respektivisht si në vijim: Franca (4); Gjermania (4); Polonia (4); Republika Çeke (3); Lituania (3); Danimarka (2); Holanda (2); Italia (2); Estonia (1); Kroacia (1); Finlanda (1); Letonia (1); Rumania (1). Nga jashtë BE-së, Ukraina (13) dhe Kanadaja (4).

E para që nisi këtë aksion ishte Britania e Madhe, e cila në fillim të muajit dëboi 23 diplomatë rusë. Këto dëbime tashmë kolektive përbëjnë një dëshmi të rrallë solidariteti me Britaninë, që vjen në një kohë kur marrëdhëniet e saj me BE-në janë të tensionuara në lidhje me negociatat për “Brexit”-in.

Rusia, ndërkohë, ka bërë të ditur se do të reagojë në mënyrë proporcionale. Moska mohon të ketë pasur gisht në sulmin mbi Sergei Skripalin dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury të Anglisë jugore, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në spital në gjendje kritike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.