Kosova

Zhvillim dramatik: Lista serbe braktis Qeverinë, shkon te Vuçiqi

Lista Serbe tashmë ka udhëtuar drejt Serbisë për t’u takuar me presidentin serb dhe për t’ia dhënë lajmin se po e braktis Qeverinë e Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur burime të B92. Sipas këtij televizioni, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës sot kanë takim me Aleksandar Vuçiqin, transmeton Gazeta Express.

Gjatë një konference për media mbrëmë në Beograd, i pari i shtetit serb tha se vendimi për t’u larguar nga Qeveria e Kosovës i takon kryesisht Listës Serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka bërë me dije Listës Serbe se ai nuk do të marrë vendim në vend të tyre lidhur me iniciativën për t’u larguar nga Qeveria e Kosovës, pas arrestimit të Marko Gjuriq, i cili hyri pa leje në Kosovë.
“Nuk do të marr vendime për ta dhe kjo u takon atyre, por duhet të vendosin me kokë të ftohtë”, tha Vuçiq.

Ky takim po mbahet pas ngjarjeve që ndodhën dje në veri të Mitrovicës.
Një grup zyrtarësh të lartë të Serbisë dje morën rrugën për në Kosovë, ndonëse disa nga ta nuk patën leje për t’u futur në vend. Në mesin e tyre ishte drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ndonëse pa leje, u fut në veri të Mitrovicës përmes rrugëve ilegale.

Ai kishte ardhur për të mbajtur një takim me serbët në atë pjesë të Kosovës. Por, me të kuptuar qëllimin e tij, njësitet e Policisë së Kosovës morën hapat e nevojshëm për të ruajtur rendin dhe ligjin në territorin e Kosovës.

Jashtë Shtëpisë së Kulturës në veri, ku Gjuriq po mbante takimin, ishin mbledhur grupe serbësh të cilët u bënin presion gazetarëve dhe reporterëve që ishin aty për të paraqitur rrjedhën e ngjarjes për opinionin. Huliganët serbë ishin ata që edhe sulmuan fotoreporterin e Indeksonline, Blerim Ukën. Ndërsa, nuk lejuan kameramanin e Indeksonline, Jeton Sopa, të xhirojë protestën e tyre.
Para se të kryhej intervenimi, në veri dëgjoheshin sirena që paralajmëronin gjendjen e jashtëzakonshme. Njerëzit kishin dalë nëpër ballkone për të parë situatën.
Ishin njësitet e Policisë së Kosovës ata që pa e zgjatur shumë, kryen arrestimin e Gjuriqit. Ai u fut në autoblindë dhe u soll në stacionin policor Qendra në Prishtinë. Pas pak orësh, ai sërish nën përcjelljen e autoblindave të PK-së, u dërgua në Merdare ku iu dorëzua autoriteteve serbe.
Ishin sekretari i Përgjithshëm në kabinetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Nikolla Selakoviq, dhe Marko Gjuriq ata që nuk kishin leje për të hyrë në Kosovë. Ndërsa, ministri i Kulturës, Vlladan Vukosavljeviq, kishte leje, por ishte kthyer mbrapa.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button