Rajoni

Hungaria mbyll dyert për refugjatët

Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) për Hungari, Ernö Simon, ka deklaruar se me hapat e fundit të ndërmarra, Hungaria ka pamundësuar kërkimin e azilit për refugjatët, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave nga Zyra Hungareze për Emigrim dhe Azil (BMH), Hungaria ka një qëndrim të ashpër ndaj refugjatëve edhe pse në këtë vend janë të strehuar vetëm 1.781 refugjatë.

Simon për AA u deklarua lidhur me gjendjen e refugjatëve në Hungari. Duke bërë të ditur se aktualisht në Hungari gjendet një numër i vogël i refugjatëve dhe azil-kërkuesve, Simon theksoi se refugjatët mund të dorëzojnë këto aplikime në dy kampet Röszke dhe Tompa (zonë tranzitore) të lokalizuara në kufirin Hungari – Serbi.

Ai poashtu pohoi se autoritetet hungareze në javë lejojnë aplikimin e mesatarisht 7-8 refugjatëve dhe se kjo është një kufizim shumë i rëndë. Ai më tej shtoi se me mijëra refugjatë në Serbi presin që me marrjen e statusit të refugjatëve të kalojnë në territorin e Bashkimit Evropian (BE) nëpërmjet Hungarisë.

Azil-kërkimi në Hungari është pothuajse i pamundur

Duke theksuar që në disa ditë, Hungaria nuk lejon asnjë aplikim të vetëm për azil dhe gjysma e kësaj gjendjeje është vendim zyrtar, Simon shtoi:

“Disa muaj më parë, në dy zonat tranzitore të Röszke-s dhe Tompa-s ndodheshin mbi 400 persona ndërkaq tani kjo shifër është ulur në 200. Zonat tranzitore kanë kapacitet për të pranuar një numër shumë më të lartë se këto shifra”.

“Edhe në deklaratën e publikuar para afro një muaji lidhur me këtë çështje, kemi deklaruar se Hungaria pas mbylljes së kufijve me gardh telash, personat e zënë në brendi të kufijve hungarez i ka nxjerrë në Serbi, në anën tjetër të gardhit me tela, dhe se zonat tranzitore pothuajse nuk pranojnë aplikimet e refugjatëve. Me hapat e ndërmarrë, Hungaria pothuajse ka pamundësuar azil-kërkimin nga ana e refugjatëve”, tha Simon.

Duke përgënjeshtruar deklaratën e ministrit të Presidencës Hungareze, Janos Lazar, i cili disa ditë më parë kishte thënë që nuk realizohet aplikimi në kufi meqenëse nuk ka refugjatë, Simon pohoi se sipas të dhënave të UNHCR-së, me mijëra persona presin të kalojnë nga Serbia në Hungari ku duan të paraqesin kërkesën e tyre për azil.

Ai më tej përkujtoi se UNHCR-ja ka publikuar një deklaratë të ashpër lidhur me hapat e qeverisë hungareze për kufizimin e azil-kërkimit: “Ne jemi të befasuar nga fakti që Hungaria mbyll dyert për ata të cilët duan të aplikojnë për azil”.

“Janë të burgosura dhe foshnjat disa muajshe”

Simon gjithashtu tha se zyrtarët e UNHCR-së për çdo ditë vizitojnë kontejnerët metalikë ku dhe takohen me refugjatët e arrestuar. Duke theksuar se është e papranueshme mbajtja në paraburgim të të gjithë refugjatëve pa përjashtim në zonën e rrethuar me gardh telash, Simon shtoi:

“Në fakt, refugjatët ndëshkohen që dorëzojnë aplikimet e tyre për azil në Hungari. Shqetësimi ynë më i madh është se në mesin e të burgosurve pos fëmijë të pashoqëruar të moshës 14-18 vjeç, bashkë me familjet e tyre ka dhe foshnja disa muajshe. Ka edhe fëmijë të cilët kanë lindur në zonën tranzitore”.

“Gratë shtatzëna, disa ditë pas lindjes në spital, bashkë me fëmijët e tyre janë dërguar sërish në zonat tranzitore, në kontejnerët metalikë të rrethuar me gardh me tela gjembor. Në asnjë kohë dhe asnjë mënyrë, fëmijët nuk duhet vendosur pas gardhit me tela dhe nuk duhet arrestuar. Kjo është e papranueshme”, shtoi Simon.

Ai tha se si UNHCR, ka vite të tëra që kanë ngritur shqetësimin lidhur me diskursin politik me të cilin emigrantët dhe refugjatët vendosen në thesin e njëjtë me terroristët. “Ky diskurs është i papranueshëm. Është e papranueshme që në shekullin 21 në Evropë, të ketë gjuhë të urrejtjes ndaj refugjatëve, përfshirë fenë e tyre”, theksoi Simon.

Masat e Hungarisë ndaj refugjatëve

Në kuadër të masave kundër refugjatëve, Hungaria, me mbështetjen e partnerëve të Grupit të Vishegradit si Çekia, Polonia dhe Sllovakia, ka dërguar përforcim policor dhe ushtarak në kufi. Hungaria, ka vendosur gardh me tela gjembor në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë, gardh ky i cili ka për qëllim ndalimin e fluksit të refugjatëve dhe duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ka rritur dënimet për personat të cilët kalojnë kufirin në mënyrë ilegale.

Me ligjin e miratuar vitin e kaluar në Parlament, u bë i detyrueshëm qëndrimi në kampet kufitare gjatë periudhës së azil-kërkimit ndërkaq u bë e ditur që refugjatët e kapur në tërë vendin do të nxirren jashtë kufirit gjembor.

Nga ana tjetër, organizatat joqeveritare akuzojnë forcat hungareze të sigurisë se kanë përdorur dhunë ndaj refugjatëve dhe i kanë kthyer në Serbi.

Pretendimet e qeverisë së Hungarisë lidhur me refugjatët

Shumë personalitete të politikës në Hungari, duke filluar nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, pretendojnë se refugjatët do ta pushtojnë Evropën, në vend të kishave do të hapin xhami dhe se në vendet ku do të jetojnë, do i venë në fuqi ligjet e tyre.

Duke përdorur argumente të llojllojshme të tipit “Refugjatët kanë pushtuar Evropën”, “Kërcënohen vlerat e krishtere”, Orban ka dhënë deklarata të ndryshme me të cilat ka pohuar se nuk duan të pranojnë refugjatë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button