Home / Politika / Basha komenton taksën për Rrugën e Kombit: Po taksohemi dyfish

Basha komenton taksën për Rrugën e Kombit: Po taksohemi dyfish

Lulzim Basha akuzoi qeverinë se po i detyron qytetarët të paguajnë taksa të dyfishta, një prej të cilave është për kalimin në Rrugën e Kombit. Kjo ndodh në një kohë kur shteti, sipas kreu të PD-së, mbledh çdo vit 120 milionë dollarë nga taksa e qarkullimit, por të ardhurat devijojnë nga qëllimi i taksës, që është mirëmbajtja e rrugëve.
“Nuk shpenzon asnjë fraksion të vogël të kësaj shume. Që të shkosh me një makinë me benzinë në Kukës 40 litra karburant i bie që të paguajmë afro 1200 lekë të reja sa herë që shkojmë e vijmë nga Kukësi dhe mbi këtë vendoset edhe tarifa e koncensionit. Ky është taksim i dyfishtë”, tha kreu i PD.

Basha tha se rritja e taksave, por edhe vendosja e taksave të reja vetëm sa po thellon informalitetin në ekonomi, ndaj sipas tij, taksa e sheshtë 9% është zgjidhja e demokratëve.

“Me taksën e sheshtë 9% u japim fund padrejtësive”, u shpreh Basha.

Audienca e kreut të opozitës ishin studentët e shkencave politike të Universitetit të Tiranës, të cilëve u tha se Partia Demokratike po nis transformimin e saj përmes bashkimit dhe ftesat thotë se i ka shpërndarë publikisht dhe individualisht.

“Ftesa është e sinqertë; është nga zemra. PD do shkojë përmes bashkimit drejt përgatitjes për një përballje vendimtare me të keqen që sundon vendin”, u shpreh Lulzim Basha.

Basha riktheu premtimin se për kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhje do të konsultohet anëtarësia.

“Do të ndërtojmë instrumentat më të hapura që kushdo që ka ambicie të ketë mundësi të konkurrojë dhe fati i kujtdo që konkurron të mos jetë në duart e një njeriu apo grupi njerëzish, por në duart e anëtarësisë kjo është një vlerë europiane”.

Juristët e Partisë Demokratike po përgatisin dhe ndryshimet statutore që do t’i propozohen Kuvendit të fundprillit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.