Opinion

Populistët e botës bashkohen

Nga: Dominique MOISI

Stephen Bannon ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë qe i ftuar nderi në asamblenë e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë në Francë, duke nënkuptuar formimin e një aleance populiste transatlantik. A mund të ndalohet kjo?

Në vitin 1965, Henry Kissinger shkroi një libër të titulluar Partneritet i Trazuar , në të cilin analizonte tensionet që kishin përfshirë aleancën transatlantike gjatë Luftës së Ftohtë. Një rend ndërkombëtar i qëndrueshëm, arsyetonte ai, kërkonte lidership të Shteteve të Bashkuara – një model i fuqishëm për demokracinë në botë – mbështetur nga lidhje të forta me Europën. Kissinger me gjasa nuk e kishte imagjinuar kurrë se, më pak se gjashtë dekada më vonë, SHBA do të luante rolin e kundërt, teksa një version i ri aleancash transatlantike më të errëta shfaqen.

Të marrim parasysh mbledhjen e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë të javës së shkuar në Francë. Ndërsa rizgjidhej në krye të partisë, Marine Le Pen lajmëroi se partia do të merrte emrin e ri Rassemblement National (Tubimi Kombëtar). I ftuari i nderit në këtë event të rëndësishëm ishte ish-kryestrategu i Donald Trump, Stephen Bannon.
“Të gjitha faktet madhështore historike në botë dhe personazhet shfaqen, dy herë,” shkroi Karl Marks, “herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë”. Do të ishte e thjeshtë të quhej mbledhja në Lille si kategori e “farsës”. Në fund të fundit, Le Pen dhe Bannon janë të dy të refuzuar të politikës.
Le Pen humbi zgjedhjet presidenciale franceze ndaj Emmanuel Macron me një lumë votash. Për më tepër, tani ajo po sfidohet nga brenda partisë së saj nga mbesa më e rë dhe më inteligjente, Marion Maréchal-Le Pen, e cila foli në Komitetin për Veprim të Konservatorëve Politikë përpara zv. Presidentit amerikan Mike Pence në Uashington.
Sa për Bannon, ai u shkarkua pa ceremoni nga Trump në gusht 2017. Për t’ia shtuar turpin, Trump publikoi një deklaratë ku thuhej se Bannon ‘kishte pak lidhje’ me fitoren e Trump në zgjedhjet presidenciale dhe se kishte humbur jo vetëm punën, por edhe “mendjen” kur u pushua.
Prania e Bannon në eventin në Lille ishte paradoksale. Në fund të fundit, pushimi i tij i kishte shkaqet pjesërisht në ekstremizmin e tij, ndërsa Le Pen aktualisht po përpiqet të zgjerojë mbështetjen e saj partiake duke zbutur imazhin. Megjithatë, në një kuptim tjetër, pjesëmarrja e tij ishte e arsyetuar, pasi reflektonte zhvillimin aktual të aleancës populiste transatlantike, një variacion i zymtë mbi “vlerat gjeografike” ku bazohej aleanca e Luftës së Ftohtë.
Pavarësisht problemeve politike të Bannon, ai thotë se “vala e historisë” po lëviz pashmangshmërisht drejt populistëve. Nga perspektiva e tij, me Trump që ka siguruar presidencën amerikane – një zhvillim që ka destabilizuar rendin botëror që Bannon dhe soji i tij duan ta djegin – është vetëm çështje kohe përpara se Europa të pasojë hapat e Amerikës.
Do të ishte e rrezikshme të hidhej poshtë vizioni i Bannon si mburrje. Macron mund të ketë fituar në Francë, por fitorja elektorale e Trump nuk ishte aksident. As dominimi i fortë i partive populiste në zgjedhjet e Italisë këtë muaj, ku partia Liga anti-imigracion dhe Lëvizja Pesë Yjet anti-establishment siguruan së bashku rreth 50% të votave.
Edhe Gjermania ka rënë disi viktimë e forcave populiste. Sigurisht, një koalicion i ri i madh qeveritar është formuar me partinë e Merkel dhe simotrën bavareze Bashkimin Social Kristian dhe Partinë Social Demokratike. Por u deshën më shumë se pesë muaj që partitë të binin dakord dhe partia më e madhe opozitare është tani Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë. Në një vend që dukej se ishte vaksinuar kundër populizmit nga historia naziste, ky është një zhvillim shqetësues. Demokracia është më e brishtë nga se është parë ndonjëherë dhe nuk duhet të merret kurrë për të mirëqenë.
Si mund ta ulim valën populiste? Si fillim, elitat politike nga të dyja anët e Atlantikut që ende besojnë në demokracinë liberale duhet të pranojnë se janë përgjegjëse për rritjen e valës së populizmit, prej dështimit të tyre për t’iu përgjigjur siç duhet shqetësimeve të elektoratit. Ata duhet të punojnë pa u lodhur për të gjetur zgjidhjet reale të problemeve, nga pabarazia në migracion, që ka nxitur mbështetje për forcat populiste. Këto zgjedhje duhet të adresojnë jo vetëm sfidat teknike, por edhe ndjenjat e shtetasve – të kapura mirë nga populistët – për humbje të identitetit dhe diskriminim.
Sigurisht, demokratët amerikanë duhet të gjejnë një kandidat imponues që të kandidojë kundër Trump në zgjedhjet presidenciale 2020. Dhe Franca e Gjermania duhet të çojnë përpara integrimin europian. Këtu, Franca ka një përgjegjësi të veçantë nën drejtimin e Macron.
Dhe, mos u gaboni: ndryshe nga ajo që Bannon tha në Lille, është Macron – jo Le Pen dhe partia e saj e riemëruar – ai që mban çelësin e të ardhmes në demokracinë franceze. Nëse ai dështon të bëjë sistemin të funksionojë për shumicën e elektoratit, Franca mund të shkojë në rrugën e SHBA-së, duke vënë një precedent të rrezikshëm për pjesën tjetër të Europës. Në një skenar të tillë, aleanca transatlantike do të ishte në telashe të mëdha – dhe po kështu edhe rendi botëror që ajo ka bazë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button