Home / Opinion / Paqja sipas Trumpit

Paqja sipas Trumpit

Nga: Joschka FISCHER

Pas një viti që presidenti amerikan Donald Trump nuk i ndoqi premtimet e tij të proteksionizmit, ai më në fund ka vendosur ta bëjë këtë, në një mënyrë që dëmton Europën më shumë se të tjerët. Po bëhet shpejt e qartë se sulmet e Trump ndaj tregtisë së lirë nuk janë vetëm për tregtinë globale, por për të gjithë sistemin e rendit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan Donald Trump po bëhet serioz në lidhje me përkthimin e përçmimit të tij ndaj sistemit ndërkombëtar në politika konkrete. Vendimi i tij për të vendosur 50 miliardë dollarë tarifa ndëshkuese në shumë mallra kineze mund të përçajë thellë tregtinë globale. Dhe ndërsa ai mori vendimin e minutës së fundit të përjashtojë mallrat e BE-së nga tarifa të tilla, Europa mund të përfundojë gjithsesi e prekur.

Qasja “Amerika e Para” e Trumpit nuk do të lërë pa prekur rendin ndërkombëtar të bazuar te rregullat. Shtetet e Bashkuara krijuan një rend pas-lufte dhe e kanë fuqizuar rregullat e tij për dekada. Por ky nuk është më rasti. Në fakt, veprimet e fundit të Trump nuk janë vetëm për tregtinë, por për largimin e Amerikës nga vetë Pax Americana (Paqes Amerikane).
Disa vende janë më të lidhura me rendin post-luftë se Gjermania, që ashtu si Japonia i detyrohet për rigjallërimin e vet ekonomik pas vitit 1945 sistemit tregtar të bazuar te rregullat. Ekonomia e Gjermanisë mbështetet fuqishëm në eksporte, që do të thotë se është shumë e pambrojtur ndaj barrierave tregtare dhe tarifave ndëshkuese të imponuar nga partnerë të mëdhenj tregtarë.
Politikat protektioniste të Trump kështu sfidojnë të gjithë modelin ekonomik gjerman që ka ekzistuar që prej vitit 1950. Fakti që Trump ka përjashtuar vazhdimisht Gjermaninë, një nga aleatët më të ngushtë të Amerikës në Europë, është diçka serioze. Ndërsa optimistët thonë se të lehurat e Trump janë më të këqija se kafshimet e tij – se prononcimet e tij për tregtinë, ashtu si kërcënimet ndaj Koresë së Veriut janë thjesht strategji negociatash – pesimistët mund të përgjigjen me një pyetje të arsyeshme: Po sikur Trump ta ketë me të vërtetë atë që thotë?
Në Gjermani, nuk duhet të ketë iluzione për nënkuptimin e luftës tregtare. Pavarësisht përkatësisë së gjatë në BE dhe në tregun e saj të përbashkët, Gjermania do të ishte një nga humbësit më të mëdhenj, prej varësisë së saj tregtare dhe gjendjes aktuale të marrëdhënieve transatlantike.
Sigurisht, shtetet anëtare në BE që kanë akuzuar Gjermaninë për arrogancë mund ta shohin këtë rezultat duke u kënaqur. Por një dobësim në ekonominë më të madhe të BE-së do të kishte pasoja negative direkte në të gjithë bllokun. Dhe tani nuk është koha për përçarje. Tërheqja nga BE-ja e Mbretërisë së Bashkuar po shkakton tashmë disonancë politike mes shteteve anëtare dhe populistët anti-europianë sapo kanë fituar një shumicë të kombinuar parlamentare në Itali.
Për t’i bërë gjërat më keq, as Gjermania dhe as Komisioni Europian, që merret me çështjet e tregtisë në emër të shteteve anëtare të BE-së, nuk është aktualisht në një pozicion superior ndaj Trump. Budallallëku i politikëbërësve gjermanë që zgjodhën të shpëfillin kritikat afatgjata ndaj suficitit të vazhdueshëm është bërë e qartë. Po ta kishte pakësuar qeveria e fundit gjermane suficitin – që arriti një rekord të ri të lartë vitin e kaluar – duke shtuar investimin në vend, Gjermania do të ishte në një pozicion më të mirë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të Trump.
Kur mendojmë për mundësinë e një lufte tregtare transatlantik, duhet të kujtojmë gjithashtu shprehjen që i atribuohet zakonisht Mahatma Gandit se “një sy për një sy përfundon duke e bërë të gjithë botën qorre”. Një luftë transatlantike kokë më kokë prodhon humbës nga secila palë dhe mund të nxisë një periudhë të re izolimi dhe proteksionizmi. Nëse përparon shumë, mund edhe të çojë në një rënie të ekonomisë globale dhe në disintegrim të Perëndimit. Për këtë arsye, BE-ja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të negociojë edhe kundër dëshirës.
Një nga pasojat e parashikueshme të revolucionit tregtar të Trump është se do ta afrojë më shumë Europën me Kinën, që tashmë i është qasur BE-së përmes Iniciativës së Investimit të Rripit dhe Rrugës, si dhe projekteve të infrastrukturës kudo në Euroazi. Teksa alternativat e orientuara nga lindja të transatlanticizmit rriten në vitet e ardhshme, arritja e një balance mes Lindjes dhe Perëndimit do të jetë një nga sfidat më të vështira të Europës. Europianët tani duhet të shqetësohen jo vetëm për Rusinë, por edhe për një superfuqi të re kineze.
Shkatërrimi apo shqetësimi i marrëdhënieve tregtare transatlantike nuk është në interes as të SHBA dhe as të Europës. Liderët kinezë me gjasa po e festojnë premtimin e administratës Trump për “ta bërë Amerikën madhështore sërish”, sepse deri më tani ka penguar interesat amerikane dhe premton ta bëjë Kinën madhështore sërish. Në fakt, pavarësisht tarifave të sapolajmëruara të Trump ndaj Kinës, në përgjigje të supozimeve për shkelje të pronësisë intelektuale, dikush mund të justifikohej nëse mendonte se synimi kryesor i politikës së jashtme të Trump është të ndihmojë kinezët në përpjekjen e tyre për ndikim global.
Me të marrë pozicionin, një nga lëvizjet e para të Trump ishte të tërhiqte SHBA-në nga Partneriteti Transpaqësor, një marrëveshje tregtare që do të krijonte një mburojë kundër Kinës në rajonin Azi-Paqësor. Tani, Kina ka një shans për të vënë rregullat e tregtisë në një zonë që përbën rreth 60% të ekonomisë botërore. Po ashtu, pasojat e tarifave të Trump ndaj aluminit dhe çelikut do të ndihmojnë kryesisht Kinën, ndërsa dëmtojnë aleatët europianë të Amerikës. Nëse kinezët kërkojnë të kapitalizojnë mundësinë e papritur që u është dhënë, nuk mund t’u hedhësh fajin.
Në muajt e ardhshëm, dobësia thelbësore e Europës do të bëhet gjithnjë e më e dukshme. Begatia e Europës varet në gatishmërinë e Amerikës për të ofruar garanci sigurie dhe kujdestari të rendit ndërkombëtar liberal. Me SHBA-në që po braktis pozicionin e vet në ndjekje të nacionalizmit atavik, europianët janë vetëm. Shpresa mbetet që europianët të veprojnë shpejt për të ruajtur unitetin e tyre dhe të rikuperojnë sistemin ndërkombëtar që i ka ofruar atyre paqe dhe begati për breza.

Leave a Reply

%d bloggers like this: