Sporti

UEFA dënon me 10 vite përjashtim Skënderbeun; reagimi i plotë i FSHF dhe Skënderbeut

Komisioni i Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit në UEFA ka marrë edhe zyrtarisht vendimin për dënimin 10-vjeçar të Skënderbeut nga kupat e Europës, si dhe gjobitjen prej një milion eurosh, pas akuzave për trukim, duke lënë në fuqi pretencën e kërkuar nga inspektorët e saj.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 21 marsit të këtij Komisioni, ndërkohë që është bërë zyrtar vetëm këtë të enjte, edhe pse Skënderbeut dhe palëve të përfshira u është kërkuar që të mos e bëjnë publik.
Sipas vendimit, gjoba duhet të paguhet brenda 90 ditëve nga komunikimi zyrtar i tij. Gjithsesi, ky vendim është subjekt apelimi, ndaj pritet që Skënderbeu ta apelojë në Komisionin e Apelit të UEFA-s, si shkallë e dytë, e më pas në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, në Lozanë.

Vendimin e UEFA-s për përjashtimin e klubit korçar për 10 vite nga kompeticonet europiane nën akuzat e trukimit të ndeshjeve, FSHF e ka cilësuar si një lajm të për futbollin shqiptar. Teksa thekson se FSHF mbështet çdo vendim që i shërben integritetit të lojës dhe Fair-Play-t, institucioni më i lartë i futbollit në Shqipëri bën me dije se ky vendim është i apelueshëm, pasi do të kalojë edhe në shkallë të tjera të gjykimit.

Reagimi i plotë i FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije opinionin publik se UEFA ka vënë në dijeni sot FSHF për vendimin e marrë nga ana e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë saj, për çështjen “Skënderbeu”.

Sipas vendimit të marrë, ky Komision ka dënuar skuadrën e KF Skënderbeu me 10 vjet mospjesëmarrje në kompeticionet europiane të futbollit, shoqëruar me një sanksionin financiar prej 1 mln euro.

Ky vendim është i apelueshëm. FSHF e konsideron këtë një lajm të keq për futbollin shqiptar, megjithëse ky nuk është një vendim përfundimtar, pasi do të kalojë edhe në shkallë të tjera të gjykimit. FSHF mbështet çdo vendim që i shërben integritetit të lojës dhe Fair-Play-t!

Ndërkohë klubi i Skënderbeut përmes faqes zyrtare në Facebook bën me dije se do të apelojë vendimin si në CAS, po ashtu edhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane.

“Përpara këtij vendimi, e vetmja mënyrë për KF Skënderbeun për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane”, thuhet në reagimin e Skënderbeut.

Më tej në reagim theksohet se: “Është e qartë për të gjithë shqiptarët se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij”.

Reagimi i plotë i Skënderbeut 
Sot, më datë 29 Mars 2018, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s shpalli vendimin për përjashtimin e KF Skënderbeut nga kompeticionet europiane për një periudhë 10 vjeçare dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milionë euro. Siç ishte paralajmëruar nga ana jonë më datë 21 Mars 2018, vendimi i organit juridik të UEFA-s pritej të ishte i tillë, pasi vetë procedimi në këtë institucion paraqet të meta serioze në lidhje me parimin e pavarësisë institucionale dhe garantimin e të drejtave procedurale të palëve.

Përpara këtij vendimi, e vetmja mënyrë për KF Skënderbeun për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane. Është e qartë për të gjithë shqiptarët se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij.

Krenarë për sukseset historike, të cilat janë produkt i meritave, mundit dhe sakrificave tona, KF Skënderbeu mbetet besimplotë se drejtësia e pavarur sportive ose civile do të konfirmojë pafajësinë tonë dhe do të rrëzojë vendimin absurd të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s. Çmojmë se e vetmja arritje e UEFA-s përmes këtij proçesi është vrasja e kredibilitetit dhe integritetit të këtij institucioni në komunitetin sportiv ndërkombëtar

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button