Home / Kronika / Protesta e dhunshme u lënduan 12 policë, askush nuk mund të jetë mbi ligjin

Protesta e dhunshme u lënduan 12 policë, askush nuk mund të jetë mbi ligjin

Manifestimi i presupozuar paqësor, që u zhvillua sot në Kukës, kundër taksës për kalimin e automjeteve në rrugën e Kombit,  u shndërrua në një sulm barbar kundër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe kundër pasurisë publike e private, ku mes protestuesve kishte elementë me të shkuar kriminale, deklaroi Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke theksuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

Në një deklaratë për mediat, Ministri i Brendshëm Xhafaj, theksoi se “grupe individësh të papërgjegjshëm, në përbërje të të cilëve në një numër jo të vogël gjendeshin elementë me të shkuar të rëndë kriminale si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shfrytëzuan padrejtësish të drejtën legjitime dhe paqësore të tubimit”.

Më tej, Xhafaj tha se shpreh respektin për të gjithë ata qytetarë të kësaj zonë të dalluar për ndershmëri, krenari dhe fisnikëri, të cilët u distancuan nga këta individë të papërgjegjshëm si dhe ndaj atyre që nxisin zjarrin dhe dhunën për interesa politike.

“Asnjë e drejtë e pretenduar nuk mundet të justifikojë në asnjë kohë dhe asnjë rrethanë, sulmin ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkatërrimin e pronës. Janë lënduar 12 punonjës të FNSH-së nga gurët dhe sendet e forta të hedhura nga këta individë, ndërsa një punonjës policie është plagosur rëndë dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital”, tha ai.

Po ashtu, Xhafaj shtoi se vlerësonte gjakftohtësinë e punonjësve të Policisë së Shtetit në situatën e ndodhur pak orë më parë, duke shmangur kështu realizimin e skenarëve më të rëndë kriminalë, për të cilët ishin dhe mbeten të interesuar provokatorë të caktuar.

“Publikish jap gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit për çfarë ajo bën për të mbrojtur jetën dhe pronën. U kërkoj qytetarëve, partive politike, mediave dhe komunitetit të biznesit, të distancohen ndaj gjithë atyre përfaqësuesve të partive politike që kanë inkurajuar me gjuhë nxitëse protestuesit për ushtrim dhune ndaj policisë dhe shkatërrim të pronës dhe sjell në vëmendje se ky është një precedent i rrezikshëm dhe antikushtetues”, tha Xhafaj.

Gjithashtu, Xhafaj tha se “Ju bëj apel autoriteteve të qeverisë vendore të distancohen nga këto akte të dhunshme dhe të ushtrojnë ndikimin tyre duke qenë bashkëpunues dhe në ndihmë të Policisë së Shteti për të mundësuar normalitetin dhe lëvizjen e lirë të qindra qytetarëve dhe transportin e mallrave”.

“Deklaroj se Policia e Shtetit, në zbatim të ligjit, do të ketë një përgjigje të ashpër për çdo person që ka nxitur dhe është përfshirë në akte të dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe që kanë sjellë një dëm të madh ndaj pronës publike dhe private. Kush nxit dhunën dhe anarkinë do marrë përgjegjësinë ligjore, askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, theksoi Xhafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published.