Home / Politika / Protesta në Kukës, Rama: Policia bëri detyrën, 5 eurot nuk negociohen

Protesta në Kukës, Rama: Policia bëri detyrën, 5 eurot nuk negociohen

Do luftojmë dezinformimin që vjen nga zjarrvënësit në Tiranë. Këtë tha të dielën Kryeministri Edi Rama, duke sqaruar pozicionin e qeverisë në kuadër të protestës së zhvilluar dje në Kukës.

Kryeministri Rama, gjatë një takimi me gazetarët u shpreh se, “policia ruajti gjakftohtësinë dhe bëri detyrën përballë një tufe vandalësh, që natyrisht do marrin ndëshkimin që meritojnë.”

Unë kam komunikuar dje se në jo më shumë se 60 ditë, mund të jetë edhe më parë, ne do përfundojmë diskutimin e nisur prej disa javësh me kompaninë, përsa i përket sistemit që do të përdoret për përdoruesit e shpeshtë të rrugës dhe mënyrës sesi do të adresohet nevoja e banorëve më në nevojë nga pikëpamja ekonomike. Nga ana tjetër kam thënë që ndërkohë do të ndërmarrim një komunikim intensiv shpjegues, jo sepse nuk e bëmë më parë, por sepse dezinformimi dhe manipulimi i opinionit publik dhe posaçërisht i njerëzve në Kukës ka triumfuar mbi shpjegimet që ne kemi dhënë gjatë debateve të ditëve të fundit.

Nëse unë do t’ju pyes juve, por jo vetëm juve që jeni këtu, por të gjithë ata që marrin përsipër misionin e informimit të publikut përmes mediave, a e keni lexuar kontratën, me siguri përgjigja është jo, nuk e kemi lexuar kontratën. Çka bën që edhe sot që flasim, faktit shumë të thjeshtë, që lidhet me kontratën e shkruar shumë kohë më parë, që ka një sistem të posaçëm që do vihet në punë për përdoruesit e shpeshtë, trajtohet sikur unë paskam bërë një tërheqje. Të tërhiqesh nuk është asnjëherë e paudhë, në rast se duhet të tërhiqesh, por këtu s’ka asnjë tërheqje për të bërë, por ka thjesht nevojë për të luftuar dezinformimin që orkestrohet nga zjarrnxitësit e Tiranës dhe që për fat të keq gjen të gjitha kanalet hapur në pasqyrat mediatike të Tiranës.

Më vjen shumë keq që në këtë proces, – pasi kjo kontratë është nënshkruar që prej dy vitesh, pasi ka një vit që kompania ka filluar punë dhe ka bërë goxha punë deri tani, mund t’ju informoj dhe për këto, – ngrihet një furtunë në gotë dhe derdhet benzinë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që, sa për dijeni, do duhet ta dëmshpërblejë përsëri buxheti i përbashkët. Kështu që, në këtë fushatë dezinformimi, ku me dashje, apo pa dashje, të gjithë ju keni rolin tuaj, ne mund të kishim bërë më shumë, patjetër, për ta luftuar dezinformimin dhe në këtë fazë do përpiqemi të bëjmë atë që duhet, për të informuar si duhet publikun dhe në mënyrë të posaçme banorët.

Në kontratë nuk parashikohet që, nëse çohet një grup vandalësh edhe i vë zjarrin investimit, do ta paguajë shteti. Kjo s’ka nevojë të parashikohet në kontratë. Kjo është në ligjshmërinë e Republikës së Shqipërisë. Shteti ka detyrimin të mbrojë pronën publike dhe private, ka detyrimin të mbrojë investimet publike dhe private. Kur këto investime sulmohen dhe digjen nga vandalë, sigurisht që kush i ka bërë investimet i kërkon mbrapsht paratë nga shteti. Kjo s’ka nevojë të parashikohet në kontratë. Kontratat shkruhen për shoqëri të civilizuara, ndërkohë që ligjshmëria e përgjithshme parashikon se çfarë bën, çfarë ndodh në rastin kur njerëz, individë, grupe agresojnë pronën. Kontrata është e njohur qysh prej dy vitesh. Unë në debatin e bërë gjatë këtyre ditëve, kur kam pasur mundësinë të flas edhe në Parlament, e kam bërë shumë të qartë këtë gjë. Mirëpo përsëri vërtetohet ajo shprehja “sa të veshë e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës”.

Dhuna? Ka një zonë të caktuar për protestën , kush e shkel vijën, ka shkelur ligjin dhe godet ose jo, kush goditi ose jo, je në shkelje të ligjin. Policia ruajti gjakftohtësinë dhe bëri detyrën përballë një tufe vandalësh, që natyrisht do marrin ndëshkimin që meritojnë.”

Rama: Nxitësit? E di I madh e I vogël se kush janë nxitësit

Për të evituar aksidentet në rrugën e papërfunduar të Kombit, kreu i qeverisë theksoi se për këtë janë investuar mbi 15.2 mln euro dhe janë blerë 20 borë pastruese, për të eliminuar aksidentet në kohën e dëborës dhe problematikave të tjera.

Sipas kryeministrit Rama, “Rruga e Kombit” ka 37 zona të rrezikshme, të cilat janë vatra aksidentesh për jetën e njerëzve, duke parashikuar një investime prej 30 mln eurosh te tjera për këto 37 zona.

“Përsa i përket se kush janë nxitësit, ata janë në sytë e të gjithëve. Çudi që ju nuk i keni parë, ose nuk e dini akoma se kush janë, se e di i madh e i vogël në Shqipëri.

Ndërkohë që më lejoni t’ju them se deri në momentin që po flasim, kompania ka bërë 15.2 milionë euro investime mbrojtëse. Ju jeni që keni transmetuar kronika për rrëshqitje dhe për rënie masivesh guri në Rrugën e Kombit, apo jo? Kanë ndodhur 3 rrëshqitje të konsiderueshme në periudhën kur ka hyrë në fuqi marrëveshja dhe kompania ka filluar punën. Janë bërë investime për rikuperimin e menjëhershëm të këtyre 3 skarpateve të dëmtuara. Janë bërë investime për urat në rrezik. Ka pasur ura në rrezik shembjeje. Janë bërë investime për tunelin. Vetëm mirëmbajta e tunelit shkon mbi 0.5 milionë euro në vit. Nga ana tjetër, për herë të parë në historinë e kësaj rruge nuk ka pasur asnjë minutë bllokim nga dëbora dhe nuk ka pasur aksident për shkak të dëborës, sepse kompania ka blerë 20 borëpastruese të reja “Mercedes Benz”, të cilat kanë punuar për të garantuar kalueshmërinë e rrugës, pa asnjë problem, kur ka pasur dëborë. Po ashtu është bërë studimi i mbrojtjes dhe i investimeve të nevojshme në rrugë. Ka 37 zona të rrezikshme në aksin e Rrugës së Kombit, që do të thotë 37 vatra potenciale të rrëshqitjes dhe largqoftë, aksidentesh për jetën e njerëzve. Parashikohen 30 milionë euro investime të tjera për këto 37 zona, për ndërtimin e urës së re të Kukësit, e cila nuk ekziston, sepse rruga dihet që është lënë rrugëve dhe 7 mbikalime të reja në pikat ku është e nevojshme për banorë të komuniteteve përgjatë rrugës, që nuk ekzistojnë. Vetëm projekti, me të gjithë studimin e nevojshëm gjeologjik të munguar, – rrugë pa studim gjeologjik që mund të quhet i tillë, a mund të imagjinohet dhe kjo rrugë ka një studim gjeologjik paçavure, – pra, është bërë studimi i ri gjeologjik, është bërë projekti për të gjithë operacionet mbrojtëse, pa llogaritur procesin rutinë të mirëmbajtjes. Dhe vetëm projekti ka kushtuar 2.8 milionë euro. Të gjitha këto janë masa financiare të rënda dhe të domosdoshme, për të garantuar vazhdimësinë normale të funksionimit të rrugës.

Nëse ne nuk do të vepronim kështu dhe nuk do të vendosnim pagesën për përdoruesit e rrugës si kontribut për vetë rrugën, do ishim më të qetë, patjetër, por do të nxisnim rrënimin e mëtejshëm të rrugës dhe rruga mund të dilte përfundimisht nga kushtet e sigurisë e të bëhej e papërdorshme. Pastaj do duhej një ndërhyrje masive, sepse degradimi aty ka qenë i vazhdueshëm gjatë të gjithë këtyre viteve. Unë ju kujtoj edhe njëherë që paraardhësi im e ka thënë botërisht, që ne e ndërtuam, por nuk mund ta mirëmbajmë dot. Ka thënë të vërtetën. Si rrallë herë i ndodh, por ka thënë të vërtetën. E ka filluar procesin për të vendosur pagesën dhe procedura ka dështuar. Në vitin 2014 ka rifilluar si procedurë me ekspertë ndërkombëtarë të IFC-së, janë bërë të gjitha studimet për tarifën, procesi ka hyrë në garë dhe ka rezultuar i suksesshëm. Kompania e zgjedhur ka treguar seriozitet të plotë në zbatimin e kontratës me shtetin.”

Rama: Nuk ka asnjë shans që kjo rrugë të mbahet pa pagesë

Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama, theksoi se mbajtja e rrugës pa pagesë është e pamundur, duke garantuar banorët e zonës se do të kenë abone e cila do të mundësojë një tarifë të reduktuar të lëvizjes për ta.

“E vërteta është që nga një anë nuk ka asnjë shans, asnjë mundësi që kjo rrugë të mund të mirëmbahet pa pagesë, është aritmetikisht e pamundur dhe nga ana tjetër është plotësisht e parashikuar që të ndërtohet një sistem i posaçëm për të gjithë përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Pra, të gjithë banorët e zonës që do ta përdorin rrugën më shpesh do të kenë karta abonosh, që do të jenë pagesë e drejtpërdrejtë për 1 muaj, 6 muaj apo 1 vit, këto janë duke u diskutuar, kështu që mos i merrni për kapital fjalët e mia, se si do jenë të shtrira në kohë dhe sa lloj abonosh do ketë. Por ama e vërteta e thjeshtë është që, nëse je përdorues i shpeshtë i rrugës dhe pa abone, do duhet që sa herë kalon, të paguash çmimin. 5 euro është vendosur bashkë me tarifën në lekë për faktin se një numër i madh përdoruesish të kësaj rruge janë qytetarët e Kosovës dhe ata paguajnë në euro.

Ashtu sikundër 120 mijë euro që kompania i vendos në dispozicion të bashkisë për banorët më në nevojë. Fjala vjen, nëse njerëzit do shkojnë në spital, duke filluar që nga ata që kanë nevojë për të bërë dializën dhe që e kanë të domosdoshme ta kalojnë rrugën 3 herë në javë, nuk mundet as t’ju themi që ju do paguani sa herë të kaloni tarifën e plotë dhe as t’i lëmë të paguajnë. Atëherë do ketë kompensim për pagesë direkte nga ky buxhet. Edhe për këtë buxhet po artikulohet i gjithë procesi i vendosjes së pikave mbi “i”, për të mos lënë që për një arsye apo për një tjetër, për paaftësi, apo qëllimisht, bashkia të mos jetë në gjendje që këto 120 mijë euro në vit t’i çojë aty ku duhet. Brenda jo më shumë se 60 ditëve, të gjitha këto do të jenë të vendosura një për një dhe do të jenë të qarta për të gjithë. 5 euroshi do jetë dhe nuk lëviz, por për banorët e zonës do ketë trajtim specifik.”

Bisedime me Kosovën për Rrugën e Kombit, Rama: Patriotizëm është ta paguash tarifën

I pyetur nga gazetarët nëse kishte diskutuar me Kosovën për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit, Kryeministri u shpreh se nuk kishte arsye për ta diskutuar, ndërsa shtoi se pagimi i kësaj tarife është patriotizëm.

“Kush ishte arsyeja që duhet të konsultoheshim?  Së pari, nuk është taksë. Këtu në Shqipëri dëgjoj shumë njerëz që thonë na janë rritur taksat. Është një histori shumë për të ardhur keq, sepse quajnë taksë pagesën e dritave, quajnë taksë pagesën e ujit. Çfarë do diskutonim me qeverinë e Kosovës? Kjo nuk është tarifë patriotizmi. Patriotizëm është ta paguash tarifën, të japësh kontribut, atë që të takon për tarifën dhe ato historitë që këtu do ndërpriten flukset janë qesharake. Asgjë nuk do ndërpritet, përkundrazi, çdo gjë do vazhdojë normalisht, sepse kushdo që vjen, do vazhdojë të vijë, kushdo që ikën, do vazhdojë të iki. Domethënë nuk ka asnjë rrezik të tillë, e thotë studimi, nuk e them unë, sepse kemi bërë një studim shumë të detajuar për të gjithë këtë proces. Ndërkohë, tarifa nuk u vu këtë javë. Tarifa ka dy vjet që dihet, kështu që nuk është një gjë e re.”

Leave a Reply

%d bloggers like this: