Home / Sporti / Zgjedhjet? Duka: Asnjë ndryshim. Dënimi i UEFA-s, asnjë efekt për Skënderbeun në Superiore

Zgjedhjet? Duka: Asnjë ndryshim. Dënimi i UEFA-s, asnjë efekt për Skënderbeun në Superiore

Zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollt, ku presidenti Armand Duka fitoi mandatin e katërt në krye të organit të futbollit vendas, vazhdojnë të kenë jehonë pas vendimit të gjykatës për të kthyer regjistrimin e veprimtarisë së Asamblesë, për shkak të mungesës së disa dokumenteve.
Në një intervistë për Top Channel, presidenti Armand Duka flet për gjithçka po ndodh.

“Na kanë kërkuar disa dokumente shtesë, që ne po i bëjmë gati. Nuk ka asgjë kaq të madhe sa është bërë, e sigurisht nuk do të ketë asnjë ndryshim”, tha Armand Duka.

Pavarësisht regjistrimit në gjykatë apo ankimimit të rivalit të tij, presidenti Duka kujton edhe njëherë vlerësimin që iu bë këtij procesi zgjedhor nga organizmat europianë dhe botërorë, si UEFA dhe FIFA.

“UEFA dhe FIFA kanë pasur një vlerësim maksimal për këto zgjedhje, menjëherë pas përfundimit të tyre. Madje, edhe bashkëpunimi i tyre vazhdon. Brenda këtij viti do të vijë në Tiranë edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino për të parë projektet tona”, tha më tej Duka.

Lajmi më i bujshëm i ditëve të fundit ka qenë dënimi i Skënderbeut me 10 vite pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare, si dhe një milion euro gjobë, penalizimi maksimal që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s.

“Më vjen keq. Ky është një lajm i rëndë për klubin dhe vet futbollin vendas. Nëse këto janë të faktuara, atëherë drejtësia të bëjë punën e saj, ndërkohë që nëse jo, klubi duhet të gjejë rrugën për t’u mbrojtur”, deklaroi Duka.

Gjithsesi, edhe nëse vendimi i UEFA-s për të dënuar Skënderbeun do të mbetet në fuqi, ai nuk do të ketë asnjë efekt në kampionatin vendas.

“Ne e kemi marrë njëherë vendimin për ta dënuar Skënderbeun. Vendimi i UEFA-s nuk na detyron neve që ta dënojmë sërish”, u shpreh Armand Duka.

Ndërkohë, sa i përket kampionatit vendas, presidenti Armand Duka ka kërkuar më tepër bashkëpunim nga kubet, duke mos ushtruar kaq shumë presion për çdo vendim të gjyqtarëve, gabim ose jo. Sipas tij, vendimet e tyre nuk kanë ndikuar aspak në klasifikimin aktual.

Në përfundim të intervistës, Duka nuk lë pa prekur edhe problematikën e Kombëtares, ku mungojnë lojtarët dhe aktivizimi i tyre nëpër klube është minimal.

“Më vjen keq, por ky është një moment shumë i vështirë për futbollin tonë. Unë mendoj se, më mirë të luajnë lojtarët që aktivizohen, edhe pse luajnë në kategori më të ulëta, sesa lojtarët që luajnë në kampionate të mëdha, por nuk aktivizohen”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Intervista e plotë me presidentin Armand Duka

TCH: President, sapo ka filluar mandati juaj i ri me shumë polemika, me shumë zhurmë. Nuk kishte ndodhur më parë në zgjedhjet e fundit që të shkonte çështja deri në gjykatë. Si ndiheni në këtë fillim mandati?

Duka: Duke ndjekur strategjitë që kemi ndërtuar për periudhën e ardhshme, duke ndjekur realizimin e objektivave, normal që ka diskutime, por diskutimi që është bërë për regjistrimin e vendimeve të Asamblesë është më shumë një zhurmë, sesa një ngjarje reale. Është një proces normal i regjistrimit të akteve të vendimeve të çdo asambleje vjetore, për të cilën gjyqtari, siç regjistrohen të gjitha shoqëritë në QKB, shoqatat regjistrohen në Gjykatën e Tiranës dhe bëhen me një vendim gjykate. Gjyqtari s’i ka gjetur të gjitha dokumentet dhe ka kërkuar dokumente plotësuese që nuk kanë të bëjnë fare me legjitimitetin e procesit zgjedhor. Ky është një kapitull i mbyllur.

TCH: Megjithatë, u përmendën shpesh shoqatat përpara zgjedhjeve, çuditërisht gjatë momentit të Asamblesë nuk u trumbetuan aq shumë, e duket se ka mbetur prapë çështja te shoqatat, apo për diçka tjetër?

Duka: Realisht unë nuk është se i kam parë në detaje se çfarë plotësimi dokumentacioni ka kërkuar gjyqtari për regjistrimin e akteve të Asamblesë, por nuk besoj se është kjo çështja. Kjo është e mbyllur. Të gjithë anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit janë të certifikuar, të regjistruar më parë, janë vendimmarrës në të gjitha asambletë e Federatës dhe do të vazhdojnë të jenë të tillë. Ajo që mbetet tashmë si detyrë, apo si objektiv i trupave të zgjedhur dhe i Administratës së FSHF-së është organizimi dhe funksionaliteti më i mirë i të gjithë anëtarëve të saj, jo vetëm i klubeve të futbollit, por edhe i të gjithë shoqatave anëtare të FSHF-së, për të qenë sa më mirë të organizuar dhe sa më shumë pjesë e zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

TCH: Pra nuk është se mendohet që ky është një kthim prapa, apo se do të ketë zgjedhje përsëri, me këtë çështje që mbetet në gjykatat shqiptare apo CAS-in e Lozanës.

Duka: Kam dëgjuar që ka një ankimim në Lozanë nga kandidati për president. Është pezulluar po me kërkesën e tij në Lozanë, nuk di ndonjë zhvillim tjetër të mëpasshëm nëse do të ketë vërtet një gjykim. Ai ankimim i bërë është pezulluar po nga ankimuesi, e ne e kemi pranuar këtë pezullim. Por kush do jenë zhvillimet e mëtejshme dhe kërkesat e mëtejshme, nuk i di, por besoj se nuk do të ketë ndonjë ngjarje apo ndryshim.

TCH: Pak pas zgjedhjeve ju keni pasur një takim me presidentin e UEFA-s, me atë të FIFA-s. Përveç urimeve që ju kanë ardhur, mund të na tregoni diçka më tepër rreth takimeve që keni pasur personalisht?

Duka: Opinioni i organizatave ku ne bëjmë pjesë, europiane apo botërore, është dhënë fill pas Asamblesë për zgjedhje korrekte dhe me standarde në Federatën e Futbollit. Gjithashtu marrëdhëniet dhe mbështetja e tyre ka vijuar edhe pas zgjedhjeve. Në takimin që kam pasur me presidentin e FIFA-s, ai vet ka shprehur dëshirën për të vizituar Shqipërinë, gjë që ne e kemi bërë edhe publike. Besoj se brenda këtij viti ai do ta vizitojë Shqipërinë për të parë nga afër projektet e përbashkëta që ne kemi, ndërtimin e kompleksit të ri apo shumë projekteve të tjera për zhvillimin e futbollit.

TCH: Pak ditë më parë erdhi edhe dënimi i parë për Skënderbeun, një dënim që ndoshta është shokues për ambientin e futbollit, jo vetëm për klubin. Megjithatë, ju si drejtues i futbollit shqiptar si e keni parë këtë vendim. Çfarë do të thotë një dënim maksimal, qoftë nga ana sportive, ashtu dhe në aspektin financiar.

Duka: Ky është një vendim i një trupe gjykuese dhe nuk mund të komentojmë vendimet e tyre. Ashtu e kanë gjykuar, argumentuar. Por edhe klubi ka të drejtën e vetëmbrojtjes për vendimin. Në fund të shkallëve të gjykimit do të shohim se kush do të jetë vendimi përfundimtar. Patjetër që është një lajm i keq për të gjithë ne, për futbollin shqiptar, për klubin edhe më shumë. Por nëse ka prova trupat gjykues duhet të mbështeten, nëse jo atëherë i akuzuari, në rastin konkret klubi duhet të bëjë mbrojtjen e domosdoshme për të argumentuar të kundërtën. Urojmë që të jetë sa më e mira për klubin, për futbollin në përgjithësi dhe vendimet të jenë të atilla që t’i shërbejnë zhvillimit të futbollit. E përsëris edhe njëherë që është një lajm i keq dhe të gjithë ne duhet të ndihemi të penalizuar nga kjo.

TCH: Shqipëria dhe ju vet si drejtues i FSHF-së keni pasur një eksperiencë me CAS-in, ku keni fituar. Keni ndonjë lloj bashkëpunimi me klubin, apo dëshirë e mundësi për ta ndihmuar falë eksperiencës suaj? A ka ndonjë mundësi në CAS për përmbysje vendimi siç ndodhi edhe me Kombëtaren shqiptare?

Duka: Ne jemi përfaqësuar në atë kohë, në gjykimin e çështjes së Shqipërisë kundër Serbisë nga një studio avokatie. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe klubi, nuk është se ne jemi avokatë apo mund të japim ndonjë konsulencë apo asistencë në lidhje me këtë çështje. E thashë edhe më lartë, nëse klubi ka bindjen që është i papërfshirë, apo nëse ka prova dhe argumente për të provuar të kundërtën, këtë duhet ta bëjë nëpërmjet dëshmive dhe studiove të specializuara për këtë gjë. Të argumentojë përpara Komisionit të Apelit të UEFA-s apo para CAS-it të Lozanës, nëse do të shkojë më tej, të kundërtën apo të japë provat e domosdoshme për të demostruar pafajësinë e tij.

TCH: Ekziston ideja që jemi një shtet i vogël dhe gjithmonë ndëshkohemi më lehtësisht nga UEFA apo organet ndërkombëtare të dënohet një vend i vogël, sepse ndoshta fenomeni i trukimit të ndeshjeve është ndërkombëtar dhe jo shqiptar.

Duka: Është fenomen botëror trukimi, është një sëmundje që duhet të kurohet dhe të dënohet. Por unë nuk uroj që të jetë ashtu siç thoni ju, megjithëse penalizimi 10-vjeçar më duket shumë i ekzagjeruar.

TCH: Nëse do të ketë një konfirmim të dytë për vendim, a ka FSHF ndonjë vendim tjetër për ta dënuar sërish Skënderbeun?

Duka: Ky vendim nuk është se i detyron Komisionet e Federatës për të marrë një vendim tjetër kundër klubit. Federata, apo komisionet e saj i kanë dhënë vendimet e tyre për ato dyshime, apo për ato që i ka gjetur të provuara sipas komisioneve. Nuk ka pse t’i rikthehemi për gjykim kësaj çështjeje.

TCH: Sa i përket kampionatit, jemi pothuajse në fazën e fundit. Si gjithmonë, e vetmja gjë që sulmohet mbetet arbitrimi. Ju herë pas herë e keni prekur si fenomen, që ndoshta është nga hallkat më të dobëta të futbollit.

Duka: Janë kontestuar arbitrat dhe vazhdojnë të kontestohen. Unë nuk mendoj se është hallka më e dobët e futbollit, sikurse nuk mendoj që është hallka më e arrirë e futbollit. Patjetër që ka pasur gabime të arbitrave, por edhe vet aktorët duhet t’i ndihmojnë më shumë arbitrat. Duhet të mos i vënë kaq shumë nën stres dhe presion, të kërkojë më shumë nga vetja e tyre dhe nga ekipet e tyre, të jenë më shumë bashkëpunues dhe të mos e ekzagjerojnë apo trumbetojnë shumë fort çdo vendim, qoftë edhe të gabuar të arbitrave, por të jenë më shumë sportiv. Nuk jam kurrë i mendimit se gjykimi ka qenë vendimtar në vendosjen e klasifikimit të ekipeve në garë. Nëse do të marrim të bëjmë klasifikimin e sotëm të kampionatit, pak a shumë do të kemi të njëjtin gjykim apo performancë që kanë dhënë në garë. Kjo është një garë vërtet shumë e fortë, nuk është me diferenca shumë të mëdha, por një garë me 10 skuadra, ku edhe ajo që renditet e fundit apo ajo e rënditur në vendin e parë nuk është se kanë diferenca të mëdha. Kështu që duhet bërë kujdes në gjithçka. Nuk mund t’ia atribuosh gjithçka gjyqtarëve, por edhe tek organizimi, te forma e futbollistëve, te përgatitja e ndeshjeve për të arritur objektivat që kanë vendosur klubet.

TCH: Ka ndonjë mundësi që futbolli shqiptar të ketë shumë shpejt edhe mbështetjen e teknologjisë së gjykimit, si VAR-i apo teknologjia e vijës fatale (Goal Line Technology). Janë të kushtueshme, por gjithsesi të nevojshme.

Duka: Ne kemi bërë hapa për të qenë sa më shumë profesionalë, apo më afër realitetit me gjykimin. Kemi bërë komunikimin online të gjyqtarëve me anësorët nëpërmjet sistemit audio, kemi vënë arbitra prapa porte për ndeshjet e rëndësishme. VAR-i është në fazë eksperimentuese, nëse vendoset që do të jetë i përhershëm për të gjitha vendet e Europës apo botës, patjetër që do ta ndjekim edhe ne. Për sa kohë që është eksperimentuese do të presim rezultatet e eksperimenteve dhe vendimet e organeve kompetente të lojës, si FIFA.

TCH: Para pak ditësh patëm edhe grumbullimet e ekipeve kombëtare. Përpos ekipeve zinxhirë, ajo që binte në sy ishte ndeshja e Përfaqësueses A. Panucci ndoshta kishte krijuar një atmosferë shumë të mirë pas fitores me Turqinë. Tashmë edhe pritshmëritë tona janë gjithmonë të larta pas kualifikimit në Europian. Por si e patë ju këtë ndeshje, ku më shumë sesa rezultati, ishte loja ajo që nuk bindi?

Duka: Ndeshja ishte një miqësore. Në fund të të gjithë asaj panorame të asaj ndeshjeje nuk është se jam i kënaqur nga rezultati. Jo se meritonim më shumë, ndoshta nuk jam i kënaqur edhe nga paraqitja e ekipit. Por gjithsesi mbetet një ndeshje miqësore, ku trajneri dhe stafi i tij kanë eksperimentuar shumë për të parë sa më shumë alternativa dhe për të shkuar drejt konsolidimit të ekipit për ndeshjet zyrtare të shtatorit, kundër Izraelit dhe Skocisë. Nuk ishte më e mira që mund të japë Shqipëria, por duhet të kemi parasysh se e vlerësoj shumë kundërshtarin. Nuk mendoja se do të ishte një Norvegji aq e fortë, jo vetëm fizikisht por nga të gjitha pikëpamjet, që ia vështirësoi edhe më shumë eksperimentet Panuccit. Duke qenë se ishte miqësore, kemi luksin që të korrigjohemi për ndeshjet zyrtare dhe të mendojmë edhe më mirë, sepse edhe kundërshtarët që kemi në shtator nuk janë më të dobët sesa Norvegjia. Janë të të njëjtit nivel, apo ndoshta edhe më të mirë. Duhet të përgatitemi shumë mirë, duhet të gjejmë futbollistët më të mirë të mundshëm për të hedhur në fushë. Ndeshjet miqësore janë ndeshje kolauduese, eksperimentale, por gjithsesi është mirë që të marrësh edhe rezultat.

TCH: Në analizën e trajnerit u tha se pak a shumë këta janë lojtarët e parë, nuk është se presim dikë të jashtëzakonshëm që do të na ndihmojë. Ata kanë pak minuta në klubet e tyre, thuajse nuk luajnë fare.

Duka: Duhet të jemi realistë që nuk është një moment i mirë për futbollistët tanë. Kemi shumë nga ata që aktivizohen pak në klubet e tyre. Është trajneri që do të vendosë se kush do të jetë në fushë, qoftë për miqësoret e majit, apo qoftë edhe për në shtator, por në çdo kohë mendoj se më e mira është që të aktivizohen ata futbollistë që kanë më shumë minuta në këmbë, pavarësisht nga kampionatet ku luajnë. Nëse do të jenë nga kampionate më të forta, edhe më mirë, por nëse jo, më mirë ata që luajnë edhe në kampionate më inferiore, sesa futbollistë që nuk aktivizohen.

TCH: Përpara Europianit, Panucci ka edhe ndeshjet e Ligës së Kombeve. A janë edhe këto pjesë e kontratës, ndonjë kushti apo objektivi për trajnerin italian?

Duka: Patjetër që ne synojmë vendin e parë edhe në Ligën e Kombeve, pavarësisht se është një grup me 3 skuadra, gjë që i bën shumë të vogla diferencat. Gabimet këtu janë edhe më të pafalshme, pasi një gabim të penalizon drejtpërdrejt dhe rrëshqet poshtë në klasifikim. Objektivi ynë është që të jemi në vend të parë në grup dhe të luajmë ndeshjet gjysmëfinale apo të play-offit për të siguruar qoftë edhe nga ky kompeticion mundësinë për të shkuar në Euro 2020. Është e njëjta rëndësi që i kushtohet edhe këtij kompeticioni, sikurse për kualifikueset e Europianit.

TCH: Përveç analizës që bën publikisht trajneri, a ka edhe një analizë që e ndan personalisht me ju?

Duka: Analizat teknike, trajneri i bën me stafin e tij dhe me ekipin. Nuk është se mund të bëjë analiza teknike me presidentin e Federatës. Unë besoj se trajneri, njësoj si të gjithë ne, i ka nxjerrë konkluzionet nga ajo ndeshje, e ka parë se çfarë nuk shkoi mirë. Ka mësuar shumë se çfarë duhet të korrigjojë për të ardhmen, qoftë për aktivizimin e futbollistëve, qoftë për vendosjen e tyre në fushë.

TCH: Sa i përket kampionatit, mendoni se do të ketë probleme Shqipëria për dërgimin e një skuadre në Champions League? A do të ndikojë çështja e Skënderbeut?

Duka: Patjetër që ne do të marrim pjesë në të gjitha kompeticionet europiane sipas kuotave tona. Kështu që skuadrat që do të renditen të parat, nëse Skënderbeu nuk do të marrë pjesë, do ta zëvendësojnë ato sipas radhës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: