Home / Politika / Para protestës, selia e PD vizitohet nga Knut Fleckenstein

Para protestës, selia e PD vizitohet nga Knut Fleckenstein

Sipas asaj që njofton Zyra e Shtypit e Partisë demokratike, në këtë takim Lulzim Basha informoi raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein se kryeministri Edi Rama po instalon në vend një sistem autokratik, ku kontrollon të gjitha pushtetet, që po i përdor për të dhunuar dhe shkelur të drejta dhe liritë kushtetuese të qytetarëve.

Basha tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë grabitjen e dyfishtë nga qeveria dhe drejtësinë me dy standarde, të kontrolluar nga qeveria. Qytetarët në burg dhe kriminelët në liri është standardi Rama për drejtësinë e kapur.

Sot 11 qytetarë të varfër janë në burg, sepse refuzojnë një taksë që nuk e paguajnë dot. Ndërsa kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin dhe të korruptuar si Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Klement Balili, Orest Sota dhe të tjerë janë të lirë”, theksoi Basha

Kreu i opozitës vuri në dukje se qytetarët nuk refuzojnë pagesën e taksave, siç deklaron qeveria, por refuzojnë grabitjen e dyfishtë, refuzojnë të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim. Basha tha se shqiptarët paguajnë taksën e qarkullimit, e dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve 200 milionë euro në vit dhe për të cilën nuk ka transparencë për çfarë përdoret.

Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demorkatike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe.

Kreu i opozitës theksoi se mosbindja civile dhe protesta janë reagimi i vendosur qytetar përballë grabitjes dhe padrejtësisë nga një qeveri që ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat për të grabitur pasuritë publike, për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë dhe për të mos ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.

Knut Fleckenstein ka qenë mjaft aktiv edhe gjatë kohës kur Partia Demokratike protestonte në çadër para zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar, si pjesë e disa përpjekjeve për të shmangur bojkotin opozitar të këtyre zgjedhjeve dhe uljen e tensionit politik.

Më herët, Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend një kërkesë për shtyrjen me disa orë të nisjes së seancës plenare të së enjtes dhe në të opozita kërkon që seanca të zhvillohet në orët e pasdites.

Leave a Reply

Your email address will not be published.